Mbi 34 mijë shqiptarë i bëjnë thirrje Januzajt të zgjedh Shqipërinë

20 Shtator 2013, 11:55Sport TEMA

Beteja mes Belgjikës dhe Shqipërisë, për të fituar shërbimet e talentit të Mançester Junajtid Adnan Januzaj vazhdon, por si mund të qëndronin pasivë tifozët kuqezi,  të cilët kanë hapur faqe të posaçme në Facebook dhe për pak kohë janë bërë me mijëra ku kërkojnë të bindin lojtarin me origjinë nga Kosova që t’i bashkohet vendit të tij.“Adnan Januzaj, thuaj “po Shqipërisë”! Eja ndero Flamurin, Atdheun, Kombin!”.

Kjo është përmbajtja e faqes që është hapur nga tifozët kuqezi për të sensibilizuar opinionin publik shqiptar dhe për të bindur talentin e Mançester Junajtid, të bëjë zgjedhjen e duhur: të vishet kuqezi. Kjo faqe nuk ka shumë kohë që është hapur, vetëm një muaj më parë, por ka fituar deri tani plot 35 mijë pëlqime dhe ka bërë bujë në Angli, e sigurisht edhe në Belgjikë. “Sport Witness” në Britani i ka kushtuar një artikull të veçantë idesë më të fundit të tifozëve shqiptarë, që i kërkojnë Januzajt të mos e refuzojë Shqipërinë. Para një muaji Januzaj dha sinjale se ndihej më tepër shqiptar, prandaj po sheh mundësinë që të luajë për Shqipërinë, pavarësisht se me Belgjikën ka më shumë shanse të jetë në finalet e Botërorit apo Evropianit. Shumë tifozë të Mançester Junajtid janë shqetësuar kohët e fundit se mos Januzaj largohet tek rivalët e Mançester Sitit, por dilema më e madhe e 18-vjeçarit mbetet se me cilën ekip përfaqësues do të luajë në të ardhmen. Vështirë se mund t’i thotë jo thirrjes së dhjetëra mijëra shqiptarëve që me këto ritme pritet të bëhen shumë shpejt mbi 100 mijë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje