Odiseja e stadiumit, do rikonstruktohet "Qemal Stafa" apo do ndërtohet një i ri?

6 Nëntor 2013, 15:21Sport TEMA

Nga Bledar Kuka*

Drejtori i stadiumit të fton të presësh pak ose ta shoqërosh sa të përfundojë një detyrë të ditës. Zgjedh të dytën dhe kaloj korridoret e mbushur me foto të ndeshjeve të ekipit kombëtar të futbollit, pastaj pistën e tartanit që duket si një dru i tharë dhe pastaj përshkoj pas mikpritësit fushën që për tifozët shqiptar nuk teprohet po të quhet mitike. Jemi në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Në krahun tjetër, pasi kalon edhe një herë pak metra gjerësi tartan, një portë e vjetër e hapur të lejon të hysh në barkun e tribunës, asaj që njihet si “karshia” apo “njëzetëshja” pasi 20 lekë të vjetra kushtonte një biletë për të parë një ndeshje futbolli në të, përpara vitit 1990. Detyra e ditës për drejtorin është e lidhur me depozitat e ujit, të rënda, të trasha, të pista, vendosur në një xhep në gji të tribunës “njëzetëshe”, ndërsa ajri që thithet të sjell në hundë një erë të keqe. Njëlloj sikur hyn në një ndërtesë të braktisur prej dekadash, të thyer nga koha, pluhuri, ajri dhe uji.

Ardian Canaj, drejtori i fundit i lavdisë-gërdallë, jep e merr me disa punonjës të stadiumit për të gjetur një zgjidhje, pasi diku ka rrjedhje të ujit dhe faturat nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve vijnë më të kripura sesa duhet të jenë. Në fund është vetë drejtori që jep një mendim që pranohet nga ata që duhej të ishin të zotët e punës. Do të vendosim saraçineska këtu dhe atje. Dakord, i thonë, kështu do ta bëjmë, të ka shkuar mirë në mendje. 

Me t’u futur në zyrë, i them Ardianit se këta punonjës mund të jenë njerëzit më të mirë në botë, por nuk kanë asnjë lidhje me këtë punë. Të duket fantazi se këtu mund të ngrihet stadiumi i ri modern i Tiranës dhe i Shqipërisë. Më përpara besohet një histori me alienë e ufo sesa që ne do të kemi një impiant që të na krahasojë me Slloveninë apo të paktën me Maqedoninë. Ardiani, gjysmë me të qeshur e gjysmë me mërzi, tregon edhe se kur u emërua këtu e një vit e ca më parë, e gjeti të prishur makinerinë korrëse të barit. Askush nga punonjësit në stadium nuk e prekte me dorë (nëse nuk u thua që ta bëjnë diçka as nuk bëhet fjalë që ta kryejnë, thotë drejtori). Shpjegimi ishte fare i thjeshtë: Nuk dinin ta bënin! Drejtori shkoi tek pronari i një biznesi që ishte me qira në ambientet e stadiumit dhe i kërkoi ndihmë. A mund ta bësh? Po, i thotë ky, e bëj. E zbërtheu makinën korrëse dhe i tregoi bjellën e thyer dhe kollodokun jashtë loje.

Me shumë vështirësi u porositën pjesët jashtë, në Britani, dhe u blenë për 600 euro. Makineria nisi punën, ndërsa kur ajo kishte qenë e prishur, bari i fushës korrej me një makineri modeste nga ato që përdoren për lulishtet e lokaleve! Gjithsesi, pavarësisht nga rrënimi dhe padija, gjasat janë thuajse të gjitha që në këtë vend të ndërtohet stadiumi i ri i futbollit. Vetëm i futbollit! Drejtor Ardiani është emëruar në detyrë nga shoqëria aksionere, të cilën në 75 për qind e zotëron Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe 25 për qind shteti (sot nëpërmjet Ministrisë së Arsimit e Sportit) dhe puna që ka në duar është të përfundojë procesin e tenderimit për të shpallur kompaninë apo kompanitë fituese që do të ndërtojnë investimin e ri.

Pa u ndikuar nga fakti se ka qenë vit elektoral dhe se për stadiumin ka pasur shumë dyshime nga politika, Canaj po çon përpara punën e tij. Më 22 nëntor do të bëhet tenderi për të përcaktuar fituesin dhe në garë do të jenë 3 kompani. Brenda muajit dhjetor do të njihet fituesi, pra ai që do të ndërtojë atë që pritet të quhet “Stadiumi Kuqezi”.

Gjithçka, sipas Canajt, po kryhet me ndihmën e UEFA-s dhe procedurat do të shoqërohen me vlerësimin e një komisioni të ndërtuar për këtë punë me anëtarë bordi të 4 kompanive këshillimore të ofruara nga UEFA. Pikërisht UEFA është shumë e përfshirë në gjithçka dhe është gati të japë 4 milionë eurot e para, menjëherë, për të nisur puna. Nga ana e saj, FSHF do të japë gjithsej 10 milionë euro dhe për këtë gjë do të ndihmohet nga 5 milionë euro të së drejtës televizive që do të fitojë në mënyrë automatike nga eleminatoret e kampionatit europian vitin e ardhshëm. Po ashtu, do të ketë të ardhura të tjera po të tilla për eleminatoret e Botërorit të vitit 2018, para që do të merren normalisht në 2016. Pagesat do të bëhen pjesë-pjesë, por është e sigurt që do të bëhen dhe kjo do të ndihmojë që puna të ecë. 

Canaj të thotë se nëse UEFA do të krijojë besim tek kompania që do të ndërtojë stadiumin, ajo mund të japë edhe më shumë se 4 milionë eurot e premtuara.

Shqetësim mbetet se çdo të bëjë qeveria. Nuk është sekret që kryeministri Rama nuk ka qenë aspak entuziast për prishjen e “Qemal Stafës” dhe ndërtimin e një stadiumi të ri po në atë vend. Në mars të këtij viti, në studion e emisionit sportiv të televizionit “Ora News”, Rama deklaroi si shef i opozitës dhe kandidat për kryeministër, se do të donte që një stadium i ri të ndërtohej diku tjetër dhe “Qemal Stafa” të modernizohet. “Është pjesë e një kompleksi historik që përfshin krejt atë pjesë të Tiranës”, tha Rama në emision. Dihet se stadiumi është pjesa e hekurt e sëpatës së liktorit, sipas projektit të Italisë fashiste të Musolinit.

Thënë kjo, në Federatë duken të qetë. Ata nuk besojnë se qeveria nuk do ta japë lejen e ndërtimit të objektit. Përse? Armand Duka beson se, jo vetëm procesi ka ecur shumë përpara dhe se premtimi është bërë në prani të Mishel Platinisë, presidentit të UEFA-s, por edhe se ndërtimi i impiantit do të jetë një investim i huaj i pastër. Është pikërisht kjo gjë që kërkon të bëjë qeveria, të nxisë dhe të rrisë investimet e huaja.

Për më tepër, siç thotë Canaj, objekti i ri sportiv nuk është pronësi për të huajt (siç është, p.sh., aeroporti i Rinasit), do të jetë një konçesion për 35 vjet.

Për të bërë një kompromis me ata që vlerësojnë rëndësinë historike dhe që kanë nostalgji, por edhe për atë që thotë Rama, FSHF premton se fasada e tribunës kryesore do të ruhet për të qenë një monument kulture.

Kosto e një stadiumi të tillë shkon deri në 40-42 milionë euro, madje jemi duke vlerësuar vetëm pjesën sportive. Bashkë me pjesën e biznesit, shpenzimi “kërcen” në 55 deri 60 milionë euro. Ka një tjetër “kleçkë” këtu: Në këtë shifër nuk është llogaritur TVSH-ja, pra tatimi mbi vlerën e shtuar. Në Federatë të thonë se nëse shteti kërkon të jetë mbështetje, le të heqë TVSH-në për punimet në stadium dhe le të mos japë asnjë lek për ndihmë. 

Canaj tregon se vetëm procesi deri në përcaktimin e fituesit do të kushtojë gjysmë milionë euro. Natyrisht ka shumë nga ata që do të donin një stadium të ri jashtë qytetit. Shpesh herë është folur për ta ndërtuar në Kashar apo në Lundër. Canaj thotë se është gati të dalë në cilindo emision televiziv, në çfarëdo televizioni dhe të debatojë me këdo që duan t’i vënë përballë: Unë them se është më mirë të ndërtohet këtu ku është. Duke folur nga zyra nën tribunën kryesore ai thotë se kostoja do të rritej nëse do të bëhej rikonstruktim dhe plus kësaj do të duhej të shpenzohej edhe për stadiumin e ri. Si shembull ai sjell stadiumin e Shkupit, ish-Stadiumin e Qytetit (Gradski Stadion), që sot quhet “Filipi II Stadion”. Pikërisht, ky stadium është ngritur me konceptin e rikonstruksionit.

Kostoja e tij ka mbërritur në 60 milionë euro dhe ende nuk ka përfunduar puna, ndërsa stadiumi ka rreth 33-34 mijë vende të ulura. Canaj thotë i bindur se stadiumi aktual është tërësisht i amortizuar. “Në çdo rast, ky duhet prishur tërësisht edhe nëse do të bëhet fjalë për rikonstruksion”, shpjegon ai. Ndërkaq, administratori i caktuar nga shoqëria aksionere “kuqezi” ka edhe një tezë tjetër të preferuar prej tij: Stadiumet e rangut të vogël dhe të mesëm është më mirë të ndërtohen brenda qendrave të banuara. Kjo është direktiva e UEFA-s sipas Canajt, ndërsa gjithçka është mbështetur në studimet e bëra nga kompani dhe studio të specializuara. Canaj merr si shembull dy stadiume, “Eden Stadium” në Pragë dhe “Stozhice Stadium” të Ljubljanë.

Çekët dhe sllovenët kanë preferuar t’i ndërtojnë në qytet. Dhe, në të vërtetë, “Eden Stadium” ndodhet në lagjen Vrshovicë të Pragës dhe ka rreh 20 800 vende të ulura.

“Stozhice Stadium” ndodhet në lagjen e Bezhigradit në Ljubljanë, veçse është pjesë e një kompleksi sportiv ku ndodhet pallati i sportit “Arena Stozhice”. Stadiumi kushtoi 56.6 milionë euro, ndërsa Arena e lojrave me dorë shkoi edhe më tepër: kushtoi 66.3 milionë euro. Sllovenët nuk e ndërtuan më të madh se me 16 000 stola (saktësisht 16 038 vende). Canaj ka dëshirë të marrë edhe shembuj nga Europa Perëndimore. Ai tregon se ka raste kur një stadium vendoset të ndërtohet aty ku është, pra të bëhet rikonstruksion. i tillë është shembulli i “Velodromit” të Marsejës. Por, shpjegon drejtori, “Velodromi” është në pronë të bashkisë së Marsejës që ka marrë përsipër çdo kosto në emër të vlerave sociale të impiantit. Shpenzimet shkojnë deri në 267 milionë euro, por bashkia e Marsejës nuk i diskuton këto shifra dhe këtu nuk bëhet fjalë për investim privat.

Në të kundërt, stadiumi i Nisës po në Francë, i quajtur “Alianc Riviera” është ndërtuar krejtësisht i ri, për të janë “tundur” 245 milionë euro dhe kostoja është më e vogël edhe sepse kapaciteti ndryshon, nga 50 000 në Marsejë, në 35-36.000 në Nisë.

Le t’i lemë gjithsesi këto shifra që nuk janë për ne dhe le të ushqehemi me copën tonë të bukës. Nëse gjithçka ecën mbarë, FSHF pret që në korrik të vitit të ardhshëm të fillojë puna për ndërtimin e stadiumit. Për t’u përfunduar kjo vepër futbolli do të duhen normalisht 20-22 muaj.

Përsa i përket sipërfaqes, “Qemal Stafa” nuk ka asnjë problem. Sipërfaqja që kërkon UEFA për stadiume deri në 20.000 vende është 30-40 mijë metra katror. Stadiumi i Tiranës ka sipërfaqe prej 35.000 metra katror. Sa për krahasim, “Stozhice Stadium” i Ljubljanës ka sipërfaqe prej 24.614 metrash katrorë. Ndërsa bëheshin gati projektet dhe në fillim doli shifra e madhe prej 33 mijë vendesh, UEFA ndërhyri dhe dalë nga dalë kapaciteti zbriti. Madje, europianët do të kishin dashur që impianti të mos kishte pasur më shumë se 18.000 vende (Praga me 1.3 milionë banorë e ka stadiumin me pak më shumë se 20.000 vende), por Federata Shqiptare e bindi për të mos e ulur më tej. Shqetësimi, ndoshta i fundit, për këtë projekt ka të bëjë me pistën prej tartani të atletikës. FSHF thotë se i ka bërë propozimin e saj Federatës Shqiptare të Atletikës. Ne, ka thënë Duka, marrim përsipër kostot e heqjes së tartanit nga stadiumi dhe vendosen e saj në një vend tjetër, ndoshta tek stadiumi Dinamo apo tek Universiteti i Sporteve.

Pra duket se gjithçka është gati, besohet se është gjetur zgjidhja për secilin “zë” të investimit. E vetmja pikëpyetje mbetet fjala e mirë e Edi Ramës, një njeriu që ka dalë edhe nga sporti, përveçse nga arti, dhe që pritet të bëjë gjënë e duhur.

*Revista Klan

14 komente në “Odiseja e stadiumit, do rikonstruktohet “Qemal Stafa” apo do ndërtohet një i ri?”

  1. Ben Chicago says:

    mos ja fusni kot
    stadiumin e ndertoi saliu per 100 vjetorin e pavaresise

  2. feniks says:

    Stadiumi Kombetar “Qemal Stafa” kurre nuk duhet te prishet!!!
    Ai eshte stadiumi me i mire qe kemi ne Shqiperi dhe mbart nje HISTORI TE GJALLE TE FUTBOLLIT SHQIPTAR!!!
    Le te prishet stadiumi “Dinamo” nje RRANGALLE,qe eshte TURP TE QENDROJE NE KEMBE dhe te prishet “Qemal Stafa”!!!
    Ka dy gjera ketu:
    Prishesit duan te zhdukin nje STADIUM nga Tirana,te zhdukin emrin e tij “Qemal Stafa” dhe ta lene kombetaren tone te bredhe si CIFUTI NE SHKRETETIRE duke shpenzuar MILIONA EURO per stadiumet e botes!!!
    KY ESHTE VEPRIM KRIMINAL ANTI KOMBETAR!!!
    Pra i riu le te ndertohet mbi germadhat e “DINAMOS” ose ne KASHAR,prane DIGITALB-it ose ne SAUK-LUNDER!!!

  3. Kendveshtrim tjeter says:

    Sot jemi deshmitare te ndertimit(rikonstruksionit)te “autostradave” mbi rruget e sistemit komunist,perfundimi flet per humbje jetesh,nga perplasjet e makinave.
    Do ishte nje gje e shemtuar te nderohej nje stadium me keto mendesi,kjo do kishte vlere vetem per korupsionin e Dukes.com
    Ne te njejtin vend duhet te rrafshohet çdo gje e stadiumit te vjeter,ku perqark jane ndertuar objekte qe nuk lejojne perspektiven e shtimit te stadiumit.
    Me qe Canaj,paska deshire te perballet me mendimet ndryshe,po i them se eshte i nxituar.
    Stadiumi Qemal Stafa,po qe se ka mbetur ne doren e tij dhe te federates,le te ngrihet atje ku eshte.
    Shteti shqiptar duhet te ndertoj nje stadium kombetar me permasat olimpike,gje qe siperfaqja e stadiumit “Qemal Stafa” nuk e siguron,apo jo Canaj,po qe se merr vesh nga sporti !
    FIFA eshte e interesuar te ndertoj vetem stadium futbolli,por kaq nuk mjafton !
    Ne stadiumin “Qemal Stafa” i parashikuar per me teper se 40 mije vende,do te duhet nje parking makinash i nivelit bashkohor
    Sigurisht ky stadium nuk do ndertohet brenda nje mandati,por te kete fazat e tij,ne perfundim ai te jete nje stadium ku dhe brezat e ardhshem te kontribujne.

    1. Auron says:

      Kunder -“Kendveshtrimit tjeter”!!!
      Ne se ti thua se me fjalen “RIKONSTRUKSION” nenkuptohen MBALLOMAT qe u vune ish RRUGEVE te dikurshme,MASHTRON!!!
      AKSIDENTET,VDEKJET ,VJEDHJET etj nuk ndodhin se rruget u rikonstruktuan,por se NUK U NDERTUAN ME PARAMETRAT E NEVOJSHME,DUKE VJEDHUR 50% te parave te caktuara per ato!!!
      Po rruga Durres-Kukes,qe u fillua PA TENDER,PA STUDIM FIZIBILITETI,PA PREVENTIV etjCFARE EMRI I VE TI LAMASH KESAJ???
      Pse u CANE PJESE TE MEDHA TE KESAJ RRUGE PAS MBARIMIT???
      Po TUNELI I THIRRES pse u vu ne pune pa u BETONUAR TUNELI ne mbi 100 METRO GJATESI,gje qe eshte KRIM dhe mund te RREZOHEJ e te VRISTE ME QINDRA PASAGJERE brenda tij???
      I dime ne se si i ka bere RRUGET E TUNELET Berisha:ME SHUME VIDH SE SA NDERTON!!!
      Si mund te prishesh STADIUMIN ME TE MIRE,qe kemi,kur ne Tirane qendron nje GERDALLE E SHKATERRUAR SI STADIUMI “Selman Stermasi” me nje siperfaqe brenda dhe jashte tij dy here me te madhe se ai i “QEMAL STAFES”???
      Si mund te pranojme t’i zhvillojme ndeshjet e KOMBETARES jashte Shqiperise per 3-4 VJET???
      Ky eshte BIZNES KRIMINAL!!!
      Le t’i jepet me KONCESION NJE FIRME PRIVATE DHE UEFA LE TE NDERTOJE NJE TE RI NE VEND TJETER!!!

  4. I.Troplini says:

    Asnje lopate dhe te mos levizet nga vendi, pa krijuar struktura te shendosha ne FSHF. Era e urines qe kundermon “karshine”, eshte vetem maja e ajsbergut se felliqesirave te “Presidentit” te FSHF dhe lakejve qe i rrine perreth dhe hiqen sikur dine se cfare po bejne.
    Korrupsion, paaftesi profesionale, mospergjegjesi totale dhe trajtimi i ketij posti si prone private dhe jo si detyre karshi sportit kombetar, jane tiparet e kesaj FSHF me drejtuesit e saj.
    Me kete urine qe i rrethon,,,,keta njerez nuk duhet te kene ne dore shuma prej milionesh Euro, qofte edhe sikur te premtojne se do bejne “mrekullira”, sic beri ai plaku i marre i Vucidolit.

  5. ajaxs says:

    Le ta ndertojne stadiumin e ri ne zgjatimin e bulevardit, djathtas apo majtas.

  6. Ladi says:

    Ku eshte ky stadiumi Dinamo ??

    1. Auron says:

      Stadiumi “Dinamo” eshte atje ku kullosje dhite ti kur ishje i vogel!!!
      Tani qe u rrite ke mesuar ca SHEJTANLLIQE TE REJA!!!
      Shko beji fresk Dukes se KRIMIT!!!

  7. demokrat says:

    Stadiumet brenda ne qytete behen pjese e normalitetit qytetar, e zhvillimit dhe e jetes se perditshme. Qytetaret duhet ta ndiejne stadiumin pjese e jetes se perditshme, pse jo edhe pjese te nje rutine familjare, si ne Londer. Tirana i ka mundesite qe me dy stadiume moderne te ngritura mbi ato ekzistuese ti japi qytetit nje cilesi te re jete. Koha e te ngriturit stadiume jashte qyteteve, qe vizitohen nje here ne jave , me fusha gjigande parkingjesh jane te tejkaluara, te ftohta , ngrehina te zbrazeta. Planifikimi urban duhet te behet para se gjithash real dhe qytetar. Shteti shqiptar dueht te zgjedhi formen e duhur qe mos te japi as edhe nje $1, por tu krijoje kushte sektorit privat qe te investoje per ngritjen e objekteve shumefunksionale qe do te jene fitimprurese dhe do ti sherbejne edhe sportit edhe biznesit edhe punesimit. Nuk kemi per te shpikur asgje, vetem te marrim praktiken me te mire angleze ose gjermane, ashtu si beri edhe Torino me ngritjen e stadiumit te ri te Juventusit.

  8. Vendi me i mir me u bo stadjumi i ri esht sheshi skenderbej
    Fantastike
    Do jet pik kthese per shqiptart
    Ose edhe ke piramida mir do ishte per stadjum te dyt.

  9. Arli says:

    E ka mire Rama. Stadiumi “Qemail Stafa” duhet rregulluar, por jo prishur. Duhet ndertuar nje stadium i ri jashte qytetit, ashtu si e ka shumica e vendeve. Nuk mund te ndertosh stadium ne vendin kryesor te qytetit. Po krijoj bindjen se ata qe meren me kete pune kane shume pak njohuri per jeten qe behet jashte Shqiperise. Stadiumi ka nevoje per parkim makinash dhe kete mund ta besh vetem jashte qytetit. Mos beni furiqe, dhe pas disa vitesh ta korigjoni perseri.

  10. urbanisti says:

    Pyetja e meposhteme na jep pergjigjen se ku duhet te ndertohet Stadiumi kombetar.
    A duhet te bllokohen rruget per te shkuar ne stadium?

  11. miri shkodra says:

    A din kush te me spjegoje perse quhet “kombetar” stadiumi “Qemal Stafa”?

  12. tifosi says:

    uUn nuk e kuptoj perse nuk e ndertojn te stadiumi Dinamo?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje