Ish-sulmuesi ukrainas i Milanit, Andrij Shevçenko, ëndërron që një ditë të drejtojë ekipin kuqezi. Ai ka thënë se do të ishte ideale që të drejtonte Milanin në të ardhmen, edhe pse për momentin nuk e ka marrë ende patentën e trajnerit.
“Tani është një moment tranzicioni, po mbaroj studimet për të marrë patentën e trajnerit dhe po përgatitem për të ardhmen. Të drejtoj Milanin apo kombëtaren e Ukraniës, për mua do të ishte ideale”, ka thënë ukrainasi.
Ai u shtohet kështu pretendentëve të tjerë për të marrë drejtimin e Milanit, duke filluar nga Pipo Inzagi, Rino Gatuzo, Klarens Sedorf dhe Marko Van Basten.
Por, Sheva është në disavantazh, duke qenë se nuk ka marrë ende patentën dhe për këtë arsye, ndoshta do t’i duhen disa vite për të marrë drejtimin e kuqezinjve, të cilët janë duke kaluar një prej momenteve më të vështira të tyre dhe shkarkimi i trajnerit Masimiliano Alegri është një çështje kohe.