Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) raportohet se nuk ka asgjë kundër që Kosova të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, por këtë ekipi përfaqësues kosovar duhet ta bëjë me një kusht: të luajë pa simbole shtetërore.
Ky është vendimi që e ka marrë presidenti i FSS, Tomislav Karadzic, i cili do ta prezantojë vendimin e federatës që ai drejton në Kongresin e FIFA-s që mbahet javën e ardhshme në Brazil, raporton Telegraf.
Sipas Politika, vendimi i FSS vjen si rezultat i konsultimeve me qeverinë e Serbisë, që si duket i ka bërë presion federatës që të lejojë Kosovën të luajë miqësore pas arritjes së marrëveshjeve në Bruksel.
Muaj më parë në Zyrih të Zvicrës u takuan kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, dhe ai i FSS, Tomislav Karadzic, ku në prani të kreut të FIFA-s, Sep Blater, është diskutuar rreth asaj se Kosova duhet të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese e të zhvillojë ndeshjet miqësore me simbolet shtetërore, një kërkesë që u hodh poshtë, pasi sipas statuteve të FIFA-së, Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së.
Deri tani Kosova ka pasur të drejtë të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare vetëm për përfaqësuesen e të rinjve, teksa tani e tutje edhe kombëtarja e madhe do të ketë mundësinë që të luajë ndeshjet miqësore ndërkombëtare.
Kështu, hapen të gjitha dyert që në shkurt të zhvillohet miqësorja e parë, ajo e paralajmëruar me Kroacinë, ndërsa kjo do të nxisë investime edhe në infrastrukturën shumë të dobët të stadiumeve kosovare, e po ashtu do të nxisë edhe përmirësimin e kualitetit të futbollit kosovar.