Uniforma është femër

30 Nëntor 2013, 11:41Kronika TEMA

Një ditë me vajzat e policisë rrugore. Emërimet e reja, eksperiencat në rrugë, komplimentat dhe kërcënimet. Përvojat e punës dhe karriera në polici. Jeta personale dhe ambicjet e Erjona Ndrecajt, Anisa Zanit dhe Radiela Shkëmbit

Nga Alida Cenaj, Revista Klan

 

“Je kinge, je shumë kinge”. Zhurma e morisë së makinave që i vijnë rrotull qendrës së Tiranës, megjithëse piku i trafikut, nuk e ulin dot “volumin” e komplimentit që del nga dritarja e një BMW-je të zezë. Shoferi, një djalë i ri në moshë, ka ulur xhamin pa i rezistuar dot tundimit të pamjes që i ka dalë përpara në krye të bulevardit: një police femër që drejton trafikun. Pasagjeri në krah, gjithashtu një djalë i ri, buzëqesh e bën me dorë në shenjë miratimi. Megjithëse trafik, BMW-ja e ul shpejtësinë në maksimum dhe dy djemtë deri në sekondën e fundit kur hyjnë në rrethrrotullim, pritën që të paktën, vajza me tabelën me shenjën e kuqe “stop” në dorë, t’u hidhte një sy. Por megjithë interesin, zonjusha me uniformë në krye të rrugës vazhdoi qetësisht të drejtonte makinat e kur ishte rasti zhurma e fortë e bilbilit tërhiqte akoma më shumë vëmendjen. Është mesditë, kohë me shi dhe radha e makinave nëpër rrugë nuk është e vështirë të imagjinohet si është. Po aq edhe kurioziteti që shkakton edhe tek shoferët e tjerë prania e vajzës me uniformë.

Por, të paktën këto dy muajt e fundit, kjo është rutina e zakonshme për Erjona Ndrecajn. Patrullon, vë gjoba, drejton trafikun e ndonjëherë i ndodh të dëgjojë edhe të tilla komplimente – kësaj herë të thëna me zë aq të lartë ndoshta edhe prej pranisë së një fotografi pak më tutje dhe koleges së saj, Anisës që qëndron pak metra më larg. Po të mos ishte prej aparatit nuk do të ishte çudi që djaloshi të mos e kishte kaq shumë guxim. Sepse Erjona ose Anisa nuk janë nga ato që të falin nëse BMW-ja, fjala vjen, do të ishte e parkuar në një vend të gabuar, tejkalon shpejtësinë, ose nuk ka dokumentet në rregull. Nuk pi ujë as komplimenti e as buzëqeshja e pafajshme. Me prurjet e reja në policinë rrugore (pas reformës, e kthyer në inspektoriat në varësi të Policisë së Shtetit), nuk ia hedh dot lehtë sado që prania me shumicë femërore duket sikur e ka zbutur situatën. Nëse deri para disa vitesh prania e një vajze me uniformë, jo vetëm në rrugë, por edhe në një ambient krejtësisht mashkullor komisariatesh përbënte çudi, tani kjo është bërë një shfaqje e zakonshme. Jo më larg se para një jave, për ironi ose jo, gardhi policor rreth Kryeministrisë ditët e protestave kundër sjelljes së lëndëve kimike të Sirisë në Shqipëri, përbëhej nga femra, ndërsa në rrugë, të paktën këto dy muajt e fundit, efektivat rrugore janë shtuar me një ose dy femra në grup. Madje ndonjëherë të bie rasti të shohësh edhe vetëm dy vajza të reja, me veshjen karakteristike të dallueshme fosforeshente, ndërsa bëjnë xhiron e radhës në rrugët më të rrahura e më problematike duke hapur bllokun për të shënuar gjobën. Ndodh të falin, nëse u merr leje për “një sekondë”, por ndodh (më shpesh) të marrësh peshqesh, me firmën e një femre police edhe një fletë ngjyrë rozë, me 30 mijë lekë gjobë të merituar për parkim të gabuar. Nuk është më çudi as skena në qendër të Tiranës me Erjonën që drejton makinat e vëna në radhë, as komplimenti i thënë me zë të lartë, por as ndonjë koment të llojit “kush ta ka dhënë uniformën ty moj…”

Duke treguar eksperiencat e këtyre dy muajve, Erjona Ndrecaj, Anisa Zani dhe Radiela Shkëmbi qeshin e riprodhojnë batutat që kanë dëgjuar më shpesh gjatë kësaj kohe. Janë diplomuar në të njëjtën ditë ndaj njihen që herët, e po në të njëjtën ditë kanë marrë edhe “transferimin”: Nga komisariatet ku u emëruan pas përfundimit të Akademisë së Rendit, në radhët e policisë rrugore. “Janë lloje krejt të ndryshme punësh”, thotë Anisa, më e vogla e grupit, vetëm 21 vjeçe. “Por këtu më pëlqen më shumë”. Iu takon edhe të lodhen më shumë sepse puna në komisariat, patrullimi ose turnet janë më të lehta për t’u përballuar sesa rruga dhe shumë llojet e shoferëve me të cilët përballen çdo ditë. Por tani duket se ia kanë marrë dorën, edhe punës, por edhe ambientit të ri, deri dy muaj të shkuar pothuaj 100 për qind mashkullor. “Çudia filloi që kur u transferuam këtu”, thotë Radiela. “Në të njëjtën kohë erdhëm 15 ose 20 femra police në drejtorinë e policisë rrugore, por kolegët na pritën shumë mirë. Në fillim na ndihmonin e na orientonin, ndërsa tani jemi kolegë të mirë me pjesën tjetër, atë mashkullore”.

Prandaj dhe kanë vendosur të qëndrojnë, sepse secila prej tyre e gëzon të drejtën të bëjë kërkesë për t’u kthyer në punët ku kanë qenë, “por jo, ndihemi shumë mirë”.

Sepse tek e fundit edhe për to, kjo është një eksperiencë e re për t’u zbuluar.

“Mendoj se prania femërore e ka zbutur edhe inspektoriatin, por edhe praninë e vetë policisë rrugore në rrugë”, shton Erjona. Ndoshta sepse ndryshe është të të ndalë një femër e ndryshe një mashkull; ndryshe urdhëron një grua e ndryshe një burrë. “Na ndodh të marrim komplimente, na thonë “ju lumtë për këtë që bëni”, por edhe të na kërcënojnë me “ta tregoj unë ty, po nuk të hoqa nga puna””, vazhdon Erjona.

“Por sigurisht kjo nuk ndikon. Rëndësi ka që me qytetarin të tregosh mirësjellje e të mos jesh harbut. Pastaj kur e meritojnë, sigurisht që fjalën e ka ligji”.

Thënë ndryshe, gjoba. E për këtë tre policet e reja, duket se me të vërtetë nuk të falin. Kanë vetëm dy muaj, por asnjëra prej tyre nuk mundet t’i numërojë se sa të tilla kanë vënë deri tani. Meqë parkimi në dy radhë është në modë, zonat ku ato patrullojnë zakonisht janë Blloku (gjithmonë problematik), rruga “Myslim Shyri”, bulevardi e të tjera rrugë njësoj të rrahura, duket se justifikon edhe ndëshkimet e shumta.

“Por sigurisht që na ndodh edhe të mirëkuptojmë në disa raste. Nëse bëhet fjalë për një ndalesë shumë të shkurtër, kur shoferi na lutet për disa sekonda, sigurisht që nuk ndëshkojmë”, e zbut rrëfimin Radiela.

Sidoqoftë përshtypja e përgjithshme nuk duket të jetë e gabuar. Prania e kaq shumë vajzave të reja me uniformë i ka dhënë tjetër fytyrë policisë rrugore. Sido të jetë uniforma femërore ka më pak gjasa të provokojë debat. “Por nuk është se femrat me uniformë janë risi”, shton Radiola. “Ndoshta tani që patrullojmë në rrugë biem më shumë në sy ose ndodh sepse punojmë në zona të dukshme të Tiranës”.

Prandaj, megjithëse për kaq pak kohë, secila prej tyre është bërë e famshme në rrugën ku patrullon. Fjala vjen pothuaj kushdo që ka një makinë e di që te rruga e Elbasanit është “ajo policja bionde”, të Myslim Shyri “ajo vajza me flokët e gjata që i mbledh gjithmonë bisht”, te Blloku “ajo tjetra”. Në mungesë të emrave të përveçëm, prurjet e reja femërore të policisë rrugore identifikohen kështu. Mbase edhe sepse të paktën një herë, u është dashur të përballen me vajzat e reja me uniformë.

Të cilat megjithatë nuk janë aspak të reja si punonjëse të policisë shqiptare. Erjona, Anisa dhe Radiela kanë dalë nga Akademia e Rendit dhe si fillim e kanë nisur karrierën në komisariatet e Tiranës, respektivisht në komisariatin nr. 1, nr. 2 dhe në atë nr.4. Punë e një lloji tjetër dhe eksperienca krejt të ndryshme nga ato të rrugores. Sepse secila e ka pasur nga një përvojë me ndjekje (ndoshta jo si nëpër filmat aksion), arrestime për lëndë narkotike, patrullim ditë ose natë, sipas turnit. “Ndërsa tani, sipas procedurës, në raste të veçanta mund të kërkojmë ndërhyrjen e forcave të rendit”. Pra të ish- kolegëve.

“Por është një punë që më pëlqen dhe dua ta bëj”, thotë Erjona. Ajo është diplomuar për Psikologji dhe një vit pas të parit universitet ka punuar menaxhere.

“U regjistrova në konkursin e Akademisë së Rendit atë vit kur u pranuan 100 vajza dhe 100 djem”, thotë 27 vjeçarja. Madje kushti i pranimit të aq shumë vajzave – një politikë arsimore e atij viti për të vendosur barazi mes meshkujve dhe femrave – ishte një prej arsyeve që ia mbushi mendjen. Pastaj ishte edhe i fejuari, punonjës i Gardës së Republikës që i dha dorën e fundit bindjes për t’i hyrë një karriere me uniformë. “Tani jemi në hapat e parë të kësaj karriere me gradën nëninspektore dhe në fillimet tona”.

Vlen edhe për Radielën, 22 vjeçe, e cila pasi e provoi një herë fatin në një tjetër universitet, pasi punoi për disa vite shitëse, u regjistrua dhe fitoi në Akademinë e Rendit. “Vjehrri im ka qenë ushtarak dhe ai e njeh llojin e punës time. Më kupton dhe më përkrah”, thotë ajo. E thonë njëzëri edhe për të fejuarin, ose në rastin e Anisës, për të dashurin. Duket e pazakontë një bashkëshorte police, që gjatë tetë orëve në turn kontrollon nëpër rrugët e kryeqytetit, me kolegë burra, në një ambient, të paktën nga përshtypja e jashtme krejtësisht mashkullor. “Është një profesion si gjithë të tjerët”, e përmbyll Radiola. Por që me siguri në ambientin e policisë rrugore ka pasur një efekt krejtësisht të pazakontë. Vihet re që në oborrin e komisariatit të policisë rrugore, në periferinë e kryeqytetit, përballë ish-Kinostudios. Megjithëse kanë kaluar dy muaj nga transferimet e bujshme, ende prania e aq shumë vajzave me uniformë bashkë, bën të kthejnë kokën edhe vetë kolegët e tyre. Përshëndeten e shkëmbejnë batuta, e madje duket sikur kolegët burra janë të gatshëm për një dorë ndihmë, qoftë edhe për një intervistë si kjo. Ndodh të ndajnë, me të qeshura, edhe ndonjë ndodhi të ditëve të fundit në rrugë. Kaq pak javë kanë mjaftuar që skuadra të plotësohet e të funksionojë për bukuri.

Veçse nuk është e thënë që në përditshmërinë e tyre Erjona, Anisa apo Radiela të mos e kenë provuar shijen e fletushkës ngjyrë rozë me një shifër, nga ato që të merr mendjen, shkruar përsipër. Erjona mban rekordin mes të trejave, ka marrë aq shumë gjoba për parkim të gabuar sa tani nuk mundet t’i numërojë më sa bëjnë gjithsej.

Ndërsa Radiolës ia kanë marrë një herë makinën edhe me karroatrec, kështu që të dyja e dinë mirë se ç’do të thotë shkelje, parkim i gabuar e gjobë. Por siç thotë një fjalë, detyra mbi të gjitha dhe ndëshkimi i një femre me uniformë është nga ata që nuk mund të kundërshtohet lehtë. Të thuhet butë, me mirësjellje e shoferët e kryeqytetit këto dy muajt e fundit, janë menduar dy herë para se ngrenë zërin

12 komente në “Uniforma është femër”

  1. Qytetari says:

    Bravo dhe ju lumte,urime nga zemra per kete pune heroike vajza. Ishte nje ide gjeniale e Edi Rames perfshirja ne mase e femrave dhe aty ku mendohej se ishte eskluzivitet i meshkujve. Ne vendet Nordike femrat jane shume te aktivizuara ne keto profesione,dhe sinqerisht eshte kenaqesi kur komunikon me keto vajza.

    1. dibrani says:

      Ter diten i ke tu u jargavit me makinat e bukra turpppp

  2. dajt says:

    Bravo gocat, i kane dhene nje fytyre te re policise rrugore. Boll mo me barkderrat

  3. Treviso says:

    Tregon nje pemirsim ne policine rrugore. I uroj pune te mbare vajzave ne detyren e veshtire qe kan zgjedhur per te rregulluar qarkullimin e lire te makinave dhe per te evituar aksidentet e shumta qe po ndodhin anembane vendit. Duke kryer me ndere detyren e policise rrugohe evitohen dhe aksidentet. Nje gjobe e marre per shpejtesi te shpeton nga aksidenti.

  4. sif says:

    I thoni Didit te beje nje program stervitje. Asnjera nuk di te nderoje. Shihni me kujdes menyren mbajtejs nga ana e tyre te gishtit te madh te dores. Si duhet te jete ai ne raprt me gishtat e tjere: I hapur? Njgjitur me gishtat e tjere? Apo poshte pellembes. Po gishti tregues ku duhet te qendroje ne raport me kapelen, vetullen e djathte, apo ne raport me ndonje pike tjeter referimi?

    1. tema says:

      Verejtje me vend. Edhe rrypin nuk e kane te vendosur njelloj.
      Kane nevoje per instruktim dhe tranazh, perpara se te dalin ne sherbim.

  5. Logjika Jo Matematika says:

    nuk duhet qe , per hir te barazise gjinore , te rrisim amatorizmin ne radhet tona te policise…shikoni sa gjoba kane marre policet tona…

  6. Lulashpepaj says:

    Me vjen keq nese ndonje kafshe do i kete gerthitur nga prapa: o police t’hongsha p…n!

  7. Genci says:

    @ Llogjika jo matematike nuk ka ndonje dallim ne pune midis polices femra dhe meshkujve me perjashtim nese do zihet me grushta me Kriminelin sepse ska ndonje shkence vetem pune e ben ai qe nuk eshte i Korruptuar qof M ose F ndersa persa i perket asaj qe mund ti thote ndonje trap ashtu @ Leshtarako kjo eshte normale degjojme te gjithe keshtu llafesh bajate na jane berre sna bejne pershtypje

  8. Shqiperia e Re ................................................................................................... says:

    … Shqiperia tani me nje kryeminster i kulturuar modern i qytetruar,
    jo si Krimineli Shpellar s-Ali Bisha,
    qe nuk di as te ece,
    as te flase shqip,
    as te kendoje apo kerceje,
    nuk mer vesh nga muzika, sporti, arti etj.
    -Nje “INJORANT I KOMPLETUAR”.

  9. miri says:

    Duke u nisur nga diversitei e barazia gjinore,kjo eshte e pranueshme ,por nuk duhet abuzuar shume me kete duke e kaluar masen me numrin e femrave ne polici,kjo duke u nisur dhe nga vecurite qe ka vendi yne,me duket ose ndoshta gazetari i ka zgjellur por jane dhume te brishta per nje peshe te rende qe ato kane, i pame dhe para kryeministrise ne rastin e protestes qe beri pd,po te jete si ajo e 21janarit si do te qendrojne ato prandaj mos e ekzagjeroni shum me femra,se kerkun nuk ka as dhe ne europe vetem femra ne rruge,apo ne shqiptaret jemi mesuar qe femrat te bejne punet me te renda.

    1. Genci says:

      Ushtare Amerikanet Femra kane lutuar ne Irak

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje