Përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar po ndiqen me vëmendje nga diplomatët e vendeve perëndimore në Tiranë.
Për këtë çështje, i pyetur nga Top Channel lidhur me stadin e qëndrimit të ambasadës së SHBA mbi nismat e fundit anti-korrupsion të qeverisë, një zëdhënës i ambasadës u përgjigj:
“Ne kemi diskutime në vazhdim me qeverinë shqiptare dhe partnerët mbi përqasjen më të mirë për të çuar përpara axhendën e reformave aq shumë të nevojshme të Shqipërisë. Ndërkohë që e kuptojmë urgjencën e kryerjes së këtyre reformave, mendojmë se procesi duhet të jetë i tërësishëm dhe temë diskutimesh, duke pasur parasysh implikimet e gjera që kanë për legjislacionin shqiptar dhe institucionet e zbatimit të ligjit”.
Në vijim të përgjigjes, ambasada amerikane thekson rëndësinë që kanë njësitë e përbashkëta të hetimit, njohur ndryshe si task- forcat kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.
“Vlerësojmë që qeveria shqiptare është e hapur dhe e gatshme për të diskutuar opsione të ndryshme. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka investuar drejtpërdrejt burime të mëdha për të ndihmuar krijimin e kapaciteteve, si për shembull njësitë e përbashkëta të hetimit për të vënë në shënjestër dhe ndjekur penalisht korrupsionin”.
“Do ta nxisnim qeverinë e re t’i shfrytëzojë në mënyrë të efektshme njësitë e përbashkëta të hetimit si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme për t’u marrë me korrupsionin,” thuhet në fund të përgjigjes.
Formula ka filluar te zberthehet me ndihmen e partnereve. Mendoj se perfundimi munde te dali ne fund te vitit dhe ti dhurohet Bashkimit Europian.