Kunati i Lulit nuk e priti mirë faktin që zoti Moore, përveç Lulit, duhet të takonte patjetër dhe Doktorin. Kishte disa ditë që e kishte mësuar agjendën dhe nuk ishte i sigurt si kishte ndodhur.
Disa njerëz në PD, nga grupi i Lulit, e pyesnin si pa të keq: “Po Doktorin do ta takojë ai amerikani?” dhe Kunati nuk dinte si t’u përgjigjej. I binte shkurt: “pyesni Doktorin”.
I bezdisur nga kjo klimë, ku çdo gjë Lulit ia ndanin gjysmë me Doktorin, përfshi dhe një vizitë formale, iu fut thellë punës ta merrte vesh kush e kishte rregulluar ta takonte dhe Doktorin.
Kështu vendosi që argumentin më të fortë që kishte, të mbetej Podesta.
I pari që e pyeti pa të keq, ishte Glori.
-A do vish dhe ti në takimin që do ketë ky amerikani me Doktorin?
-Jo, i tha Kunati, se kam ca punë.
-Po ç’ne tek Doktori ky, di gjë ti, e pyeti Glori, i cili tani është shef kabineti i Kunatit.
-Ka detyrime, tha Kunati. Podesta e ka marrë rrogën paradhënie deri në fund të vitit dhe ky duhet t’ua bëjë nderin.
-Ah, po, e kuptova, tha Glori. E mbaj mend kur erdhi atëherë para zgjedhjeve, e donte shumë Doktorin.
-Po normal, i tha Kunati. I respektojnë njerëzit tanë, nuk janë si ne.
-Po çfarë do t’i thotë, ke dëgjuar gjë, i tha Glori.
-Besoj do t’i thotë ta ndihmojë më shumë Lulin në punën që bën, tha Kunati.
-Eh pra, tha Glori, se çfarë s’po dëgjojmë sikur do t’i thotë ke bërë gabim që ike. Më parë ishin 15 ministra dhe ne vinim në një zyrë, tani ka vetëm një PD dhe duhet me ardhë në dy zyra.
-Muhabete rrugësh, tha Kunati. Ai ishte shumë i dashur me Lulin. E pyeti për pallatin në Vlorë, për Belle Air-in, për tokën e xhamisë, për të gjitha dhe Luli i shpjegoi se këto janë gjeste të një pushteti revanshist.
-Me siguri ashtu do t’i thotë dhe Doktori, tha Glori. Po pse nuk i tha dhe për këtë drejtoreshën e Arsimit se është socialiste, i tha Glori.
-Po ça t’i thoshte, tha Kunati. Ajo që kanë heqë ishte gruaja e dajës e Jamarbërit, kjo të paktën vetëm socialiste, nuk është krushkë e kryeministrit. Janë ca gjëra që nuk krahasohen.
-Ke të drejtë, tha Glori i tërhequr. Harrova fare kush ka qenë.
Pasi mbaroi bisedën me Glorin, Kunati ishte përsëri në siklet se pse ky amerikani duhet të shkonte dhe tek Doktori.
-Mos e ka futur ky Ed Rama, tha me vete, për t’u dukur tolerant me Berishën, do t’i ketë thënë është mirë t’i takosh të dy… Ndoshta, tha me vete.
Ndërkohë që po vriste mendjen pse kish ndodhur e gjithë kjo, hyri në zyrë Luli.
-Çfarë ke që je i menduar, i tha.
-Po mendoj pse ka shkuar të takojë dhe Doktorin ky amerikani, tha Kunati.
-Ah, s’ka problem. Ashtu është një punë, i tha Luli. Donin të verifikonin nëse mua më kishte kërcënuar Doktori që ua ktheva llafin për armët kimike apo jo. Dhe më pyeti dhe mua, dhe Doktorin.
-Po ti çfarë i the, pyeti Kunati.
-I thashë nuk është e vërtetë që më ka kërcënuar Doktori që thashë Jo. E bëra vetë me ndërgjegje sapo e kuptova që Doktori nuk donte.
-Po ai çfarë të tha, pyeti Kunati gjithë kuriozitet.
-Më besoi plotësisht, tha Luli.
I madh Mero! I bie pragut ketu, qe te degjoje dera matane oqeanit…
Dera matane oqeanit nje vesh e ka tek nafta kurse tjetrin tek mero