Frika nga ‘bosnjizimi’ i Kosovës

10 Dhjetor 2013, 20:40Blog TEMA

Nga Agron Bajrami

 

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, i mbajtur më 1 dhjetor, në të cilin është votuar për kryetarët e 25 komunave, ka sjellë një kthesë shumë të madhe në skenën politike kosovare, meqë në shumicën e komunave pushtetin e morën kandidatët e opozitës.

Në këtë “tërmet politik” vullneti i qytetarëve i ka sjellë disfatë të madhe partisë së kryeministrit Hashim Thaçi, PDK-së, si dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga ish- komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj. Partia e Thaçit ka humbur pushtetin në tri prej shtatë qendrave rajonale (Mitrovicën e Jugut, Gjilanin dhe Ferizajn), ndërsa AAK-ja e Haradinajt në dy (Pejë dhe Gjakovë). Nga qendrat më të mëdha urbane, Thaçi ka arritur të ruajë pushtetin vetëm në Prizren, derisa partia e Haradinajt ka mbetur në pushtet vetëm në tri komuna më të vogla.

Por, befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve nuk ishin këto disfata të partive dhe liderëve të mëdhenj, por fitorja të cilën në Prishtinë e shënoi kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti.

Ai të dielën e mposhti kryetarin e deritanishëm të Komunës, Isa Mustafa, dhe Lidhjen e tij Demokratike të Kosovës, e cila në Prishtinë është në pushtet prej vitit 2000.

LDK-ja, kryetar i së cilës është Mustafa, ndërkohë ka shënuar fitore të mëdha në qytetet dhe komunat e tjera të Kosovës, por disfata në Prishtinë i ka dhënë goditje të rëndë kësaj partie, e cila është e dyta për nga madhësia në Kosovë.

Me këtë lëvizja “Vetëvendosje”, e cila në komunat e tjera të Kosovës ka kaluar shumë më dobët se që ishin pritjet, do ta ketë rastin e parë që të qeverisë në Kosovë, gjë që, për shumëkë, është prova e vërtetë për këtë parti, e cila deri tani është dalluar me retorikën nacionale, populizmin dhe kundërshtimin e procesit të dialogut me Serbinë, me çka ishte partia e vetme e madhe e shqiptarëve të Kosovës që drejtpërdrejt kundërshtonte vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare.

 

Ndryshimet në Prishtinë sjellin shpresë

Një pozicionim të tillë të “Vetëvendosjes” partitë e tjera e kanë shfrytëzuar si dëshmi se ardhja në pushtet e këtij subjekti, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, do të shtynte Kosovën në izolim dhe radikalizim, duke përmendur se fakti më i dukshëm është që Kurti dhe partia e tij janë në “listën e zezë” të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Me këtë fitorja e Ahmetit në Prishtinë në shikim të parë duket edhe më shtanguese. Vëzhguesit e jashtëm tashmë po shtrojnë pyetjen nëse kemi të bëjmë me radikalizim të shumicës në Kosovë dhe nëse ky është hapi i parë drejt ngritjes së sërishme të tensioneve.

Por, këndvështrimet e tilla nuk e marrin parasysh anën tjetër të medaljes së rezultateve në Prishtinë, e cila tregon se kandidati Ahmeti, që njëherësh është edhe nënkryetar i “Vetëvendosjes”, ka fituar gati dyfishin e votave të partisë. Në votimin për Kuvendin Komunal të Prishtinës “Vetëvendosja” ka fituar vetëm 10 nga 51 këshilltarët, derisa LDK-ja mori 18.

Faktori tjetër që duhet të merret parasysh është se profili i fituesit Ahmeti dallon shumë, është më properëndimorë, sesa percepcioni i etabluar për “Vetëvendosjen”. Shpend Ahmeti në të kaluarën është dalluar si ekonomist i mirë, i shkolluar, mes tjerash, edhe në Harvard, derisa aktivizimin politik e ka nisur në shoqërinë civile, dhe më pas ka udhëhequr me partinë qytetare FER, e cila në zgjedhjet e kaluara kombëtare nuk arriti të fitojë ulëse në Parlament, andaj edhe iu bashkua lëvizjes “Vetëvendosje”.

Përveç kësaj, Ahmeti gjatë dy muajve të fushatës për zgjedhje ka folur për planet konkrete për rimëkëmbjen sociale, ekonomike, shoqërore e kulturore të qytetit dhe të Komunës së Prishtinës, gjë që ka pasur jehonë të madhe te qytetarët që tashmë janë të lodhur e të pakënaqur nga sundimi shumëvjeçar i LDK-së. Më shumë sesa qëllimet kombëtare dhe politikat e mëdha, qytetarët e Prishtinës prej kandidatëve kanë kërkuar përgjigje për më shumë se 6.000 ndërtesa të ndërtuara ilegalisht, nivelin e padurueshëm të ndotjes, problemet sociale e ekonomike, si dhe për shërbimet shumë të këqija dhe jostabile publike – Prishtina vazhdimisht vuan nga mungesa e ujit, ndërsa pjesa e urbanizuar e Komunës ka shumë problem me infrastrukturën rrugore dhe kanalizimin.

Vlen të përmendet se vullneti i qytetarëve ka qenë i ngjashëm në tërë Kosovën, që është arsyeja kryesore për disfatat e rënda të atyre që ishin në pushtet në shumicën e komunave. Kjo njëkohësisht vërteton edhe se kosovarët kanë nisur t’i ndëshkojnë politikanët për qeverisje të dobët, andaj kjo, bashkë me aktin se zgjedhjet kanë kaluar pa incidente dhe parregullsi të theksuara, në një farë mënyre është tregues se këto zgjedhje mbase janë edhe fillimi i vërtetë i demokracisë në Kosovë prej shpalljes së pavarësisë.

Shpend Ahmeti në katër vitet e ardhshme do të udhëheqë me Prishtinën, ndërsa fitorja e tij, në fakt, mund të ketë nisur një proces ndryshimesh edhe brenda vetë lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila duhet të përballet me faktin se të vetmen fitore konkrete e kanë arritur falë profilit më të moderuar të kandidatit dhe programit të tij konkret për përmirësimin e jetesës, dhe jo nëpërmjet politikave radikale.

 

Srpska, si Srpska

Pamja paszgjedhore duket shumë më e zymtë në ato pjesë të Kosovës ku jeton shumica e serbëve, posaçërisht në veri të vendit, kur zgjedhjet është dashur të iniciojnë një proces të integrimit, të paraparë me Marrëveshjen e Brukselit mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.

Në komunat me popullatë shumicë serbe fitues është Iniciativa Qytetare Serbe, e cila në fakt është një listë e hartuar nga Beogradi zyrtar, dhe kandidatët e së cilës në shumicën e rasteve janë njerëz që deri më tani kanë punuar për pushtetin paralel serb në Kosovë.

Përveç në Shtëprcë, “Srpska” ka fituar vendin e kryetarit në të gjitha komunat e tjera me popullatë shumicë serbe, dhe vet do ta udhëheqë Bashkësinë e Komunave Serbe, që do të mund të themelohet, duke u bazuar në marrëveshjen Thaçi-Daçiq. Njeriu i parë i “Srpskas” është, pa dyshim, Kërstimir Pantiqi, i zgjedhur për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore, dhe i cili deri para pak kohe ishte një prej aktivistëve më të mëdhenj të opsionit radikal serb në veri të Kosovës, që kundërshtonte dialogun e çfarëdo integrimi të serbëve në sistemin kosovar.

Ndërkohë, Pantiqi tashmë është lansuar si përfaqësues kryesor i Qeverisë aktuale të Serbisë në mesin e serbëve në Kosovë, dhe duket se ai do të jetë edhe udhëheqës i Bashkësisë së Komunave Serbe.

Qysh në deklaratat e para të tij, sikur edhe në deklarimet nga Beogradi zyrtar, paralajmërohet se serbët në veri, por edhe në mjediset e tjera nëpër Kosovë, nuk do ta dëgjojnë Prishtinën, derisa Republika Srpska tashmë po përmendet si model sipas të cilit do të duhet të ndërtohet Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë.

Paralajmërimet e tilla në qarqet diplomatike shpejt janë shpallur si të rrezikshme, andaj edhe këto ditë mund të dëgjohen edhe vërejtjet publike se Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mos lejojë shndërrimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në diçka ngjashëm me Republika Srpskan në Bosnjë-Hercegovinë.

Rreziku se krijimi i një lloj entiteti politik për serbët e Kosovës shpie drejt në të ashtuquajturin “bosnjizim” të Kosovës është i pranishëm që prej fillimit të negociatave në Bruksel, por deri më tash diplomatët perëndimorë zyrtarisht e kanë mohuar çfarëdo mundësie që diçka e tillë të ndodhë.

Por tani, kur serbët në veri kanë fituar përfaqësuesit legjitimë, prej të cilëve shumica deri dje janë konsideruar ilegalë, dhe janë identifikuar si pjesë të strukturave që vendosnin barrikada, digjnin kalimet kufitare, sulmonin policët dhe ushtarët ndërkombëtarë dhe bllokonin lëvizjen e lirë mes veriut dhe jugut – tani paralajmërimet për shndërrimin e mundshëm të veriut të Kosovës në diçka ngjashëm me Republika Srpskan, befasisht nisin të vijnë nga po ata që deri dje flisnin se diçka e tillë nuk do të ndodhë!

Andaj, kur është fjala për veriun, vendi druan nga komplikimet, tensionet dhe konfrontimet e mundshme edhe më të mëdha, në kohën kur zgjedhjet kanë vërtetuar marrëveshjen me të cilën Prishtina dhe Beogradi, me pajtimin e heshtur por edhe me bekimin e Brukselit, kanë legjitimuar ndarjen etnike. Njëjtë sikur në Bosnjë. Në Evropën e shekullit të 21-të.

(Ky vështrim i kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në portalin për Ballkan të rrjetit të njohur televiziv, Al Jazeera.)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje