Etrit Berisha, vlerësime pozitive nga mediat pas ndeshjes me Interin

7 Janar 2014, 14:43Sport TEMA

Etrit Berisha e ka nisur në mënyrën më të mirë vitin 2014. Ka debutuar në kampionat me Lacion dhe në ndeshjen e tij të parë në Serinë A ka mundur Interin. “Ishte një debutim mbresëlënës. Më mirë se kaq nuk e kisha imagjinuar debutimin tim”, – ka thënë Berisha për “Panorama Sport”. Ai ka rrëfyer se do të donte të kishte Canën në krah, por kapiteni i Shqipërisë ka pasur probleme në kavilje, ndaj edhe nuk ka luajtur. Berisha u vlerësua lart nga mediat italiane pas ndeshjes, pavarësisht se nuk pati shumë punë. Ai ka marrë notën 6.5, duke u shpallur si lojtari i dytë më i mirë i ndeshjes, pas autorit të golit të fitores, Miroslav Klose.
Etrit, si është të mundësh Interin në “Olimpiko”?
Në fillim kisha pak emocione, sepse po përballeshim me një ekip të madh në rrethana jo të mira. E kam fjalën që vinim nga një periudhë e vështirë dhe nuk ishte e lehtë. Me kalimin e minutave situata u përmirësua dhe menjëherë e kuptova se ishte thjesht një ndeshje e zakonshme kampionati ku nuk duhej të mbingarkohesha më kot me emocione.
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga kjo ndeshje?
Atmosfera në tërësi para dhe pas ndeshjes, si dhe momenti i golit të Klozes. Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme.
Cana është mërzitur që nuk luajti?
Cana ka probleme me kaviljen, ndaj nuk luajti. Mendoj se nga java e ardhshme do të rikthehet titullar. Gjithsesi, mos më pyesni mua për formacionin, sepse nuk jam unë trajneri.
Çfarë ndodhi pas ndeshjes?
Festuam pak në tunel, sepse ishte një fitore e madhe. Mora shumë komplimente, por mbi të gjitha u ndjeva mirë kur Igli Tare erdhi më përgëzoi.
Si ju duk Interi?
T’ju them të drejtën, në nivel ekipor, Interi ishte skuadra më e madhe me të cilën jam ndeshur në karrierën time, por nuk m’u duk ndonjë ekip i jashtëzakonshëm. Ishte fare normal. Ndoshta skuadra më e rrezikshme me të cilën jam përballur ka qenë Norvegjia…
Kur do ta shohim Berishën të luajë si titullar?
E rëndësishme është që po eci mirë dhe gradualisht po fitoj besimin e ambientit dhe të trajnerit. Të tjerat duhet t’i marr me ngadalë.
Keni ndonjë dedikim pas kësaj mbrëmjeje?
Një falënderim të madh për familjen time. Jam këtu prej tyre dhe ua dedikoj atyre gjithçka kam arritur.

 

 

4 komente në “Etrit Berisha, vlerësime pozitive nga mediat pas ndeshjes me Interin”

  1. Shqiptar says:

    Te mundesh Interin ne Olimpiko jo Lacion…gazetar me panine me qofte

  2. Pyka says:

    Etrit Berisha eshte jo vetem nje djale i mire, por edhe nje portier me perspektive boterore.

  3. demokrat says:

    Para 9 muajsh kam shkuar se pas Bufonit, Berisha do te jete protieri me i mire i Italise, jo vetem nuk jam zhgenjyer por i lumtur edhe per djaloshin, edhe per Taren qe fitoi nje lojtar dhe nje shqiptar vitrine per te gjithe te tjeret.Suksese.

  4. bledi says:

    Portier 1-sh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje