Le Monde për rastin Hollande: Jeta private- jeta publike dhe ne, kryeredaktorët!

13 Janar 2014, 21:10Politika TEMA

Nga François Dufour*

Ka disa ditë që Franca është tronditur nga lajmi për jetën private të presidentit francez. Revista Closer ka botuar një reportazh të zgjeruar, shoqëruar edhe me foto ku presidenti i Francës, F. Hollande vjen me një motor dhe hyn në shtëpinë e së dashurës së tij, aktores Julie Gayet. Publikimi i një lajmi të tillë ka shtruar edhe njëherë para profesionistëve të medias problemin e raportit të asaj që është private me atë që është publike në jetën e personazheve politike. Artikulli që po ju paraqitim më poshtë është një nga editorialet e gazetës Le Monde, shkruar nga një kryeredaktor i njohur në Francë. Natyrisht, ky është vetëm një pikëvështrim, por meqenëse është realizuar nga një gazetar francez, pra nga vendi ku ka ndodhur ngjarja, m’u duk me interes ta përkthej për lexuesit e shumtë të Temës. – ILIR YZEIRI

 

Liria e shprehjes është një e drejtë. Por gazetarët kanë dhe detyrime. Detyrimi i parë: të bëjnë gazetari. Detyra e dytë: të respektojnë ligjin e shkruar dhe etikën.

Detyra e parë: të bëjnë gazetari. Gazetari ka për mision që të tregojë faktet dhe t’i verifikojë ato: ai heton. Duke pritur ai nuk përdor kushtoren zhgënjyese (“Elizeja do të dëshironte që ta sqaronte situatën personale të presidentit”, dëgjuam dhe lexuam të enjten). Vini re! Një gazetar mund të fshihet pas një tjetri: “reporteri” (raportues i fakteve) ose editorialist (jep opinione). Por edhe editorialisti duhet t’ mbështesë opinionet e tij mbi fakte, ndryshe ç’vlerë do të kishin? Shkurt, liria e shprehjes nuk është liri për të shkruar çfarëdolloj gjëje.

Detyra e dytë: të respektojë ligjin, të shkruarin dhe etikën. Mes këtyre ligjeve, detyrimin për të respektuar jetën private (të presidentit të Republikës, tuajën dhe timen). Gazetari duhet të respektojë Kodin Civil Francez (neni 9: “Secili gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta e tij private) dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (neni 12: “Askush nuk duhet të përzihet në jetën private të tjetrit”). Deklarata e të Drejtave dhe Detyrave të Gazetarit (neni 5): “Është i detyruar të respektojë jetën private të qytetarëve”.

Si t’i pajtojmë këto detyrime ligjore me lirinë e shtypit? Atëherë le ta kërkojmë përgjigjen në kodin etik të gazetarëve amerikanë:

“Only an overriding public need can justify intrusion into anyone’s privacy” (“Vetëm një nevojë publike mbizotëruese mund të justifikojë një ndërhyrje në jetën private të cilitdo”). Cilido, madje edhe presidenti i Republikës. Nevojë publike zotëruese…

Kishte një nevojë publike zotëruese që Closer nxori këtë informacion tepër privat? Jo, asnjë. Scoop-i i Closer-it është një kuriozitet i dëshmuar keq. Nuk kishte ndonjë hetim mbi rrezikun e sigurisë së presidentit, nuk kishte ndonjë hetim që provonte shpërdorim të fondeve publike, nuk kishte ndonjë hetim që provonte dezertimin e Zonjës së Parë nga “puna” e saj. Shkurt, asnjë hetim.

Kështu, çfarë do të duhej të kishim vendosur ne të enjten në mëngjes?

-Të mos ta kishim publikuar informacionin e Closer-it, megjithëse, po, ishte një informacion, por i rendit privat.

-Ta kishim denoncuar veprimin e kryredaktores së Closer-it. Le të kthehemi në kodin etik të gazetarëve amerikanë (të cilin të gjitha mediat amerikane nuk e respektojnë):

“Journalists should expose unethical practices of journalists and the news media” (“Gazetarët duhet të denoncojnë publikisht praktikat e gazetarëve dhe të mediave jo deontologjike”).

Në qoftë se ne, kryeredaktorët, nuk vendosim një kufi mes jetës publike dhe asaj private ku mund të zhvendoset ai kufi? Herën tjetër, në qoftë se një paparac merr një teleobjektiv të fuqishëm dhe bën një foto të presidentit në pozicione seksuale  interesante apo me një prostitutë, një media do t’i botojë ato? Halte. Pa kufij, transparenca totale bëhet total…itare. Rendi moral. Gazetari kurioz pa kufi është më i rrezikshëm se kamerat e sigurisë që ruajnë të dhënat private në internet, denoncuar prej shumë njerëzve në emër të lirisë.

Nuk ka ndjesë për ne kryeredaktorët të llojit “politikanët e ekspozojnë jetën e tyre private kur u vjen për mbarë” ose “puna jonë është që të themi gjithë të vërtetën” ose “vetë presidenti kishte thënë që ai do të kishte një sjellje shembullore” apo “mikrokzmosi parizian e dinte”. I vetmi justifikim i mundshëm që mund të përshkojë kufirin publik-privat është paligjshmëria, në qoftë se ajo provohet (agresioni seksual i Dominik Stros Kan, fshehja fiskale e Kahuzac, abuzimet e fondeve publike nga Miteran). Këtu gjendet një detyrë e gazetarëve: të paraqesin paligjshmëritë ditën për diell përkatësisht të atyre me pushtet si Nikson fjala vjen. Me kusht që të respektohet pafajësia deri në një vendim gjyqësor (tjetër detyrë e gazetarëve).

Kujdes! Pa kufij të qartë të lirisë, vetë shtypi rrezikohet. Ashtu si në Britaninë e madhe ku një Dokument Mbretëror u hartua dhe u firmos më 30 tetor me qëllim që të evitohen rrjedhjet e ngjarjeve nga jeta private, sidomos pas skandaleve të përgjimit, domethënë bisedat private të gazetës “News of the world”.

Kujdes! Pa kufijtë e ngritur prej nesh, kryeredaktorëve, kufiri është në qiell, siç thonë anglezët. Sepse, në internet, gjithkush ka mundësi të shkruajë çfarëdo (shpifje, gënjeshtra…) për cilindo. Me celularin e tij, gjithkush ka mundësi të dërgojë foto ose video të marra kudo (vende publike ose private). Rroftë liria e shprehjes, rroftë teknologjia! Por gazetaria është tjetër gjë.

(Kryeredaktor dhe bashkëthemelues i Play Bac Presse)

8 komente në “Le Monde për rastin Hollande: Jeta private- jeta publike dhe ne, kryeredaktorët!”

  1. Darsiani says:

    Dihet qe jeta private nuk duhet ngaterruar me jeten publike…por kjo nuk e justifikon gabimin e Hollande, dhe kjo gje nuk e nxjerr ate nga telashet.http://darsiani.jimdo.com/the-promotion-of-the-albanian-diaspora/

    1. Ai Burri says:

      Darso, se jo si ai dedektivi me ate librin e vet, qe ne cdo artikull te cante t…

  2. lavdosh says:

    Me gjithe respektin qe kam per ju dhe Temen po ju them dicka.
    Jam ne Paris keto dite dhe ketu asnjeri nuk shqetesohet per kete
    Dje kryetari i partise opozitare UMP, Cope, leshoi ca deklarata per kete teme dhe te gjithe ju vune kunder.
    Gazetat kane shkruar ne faqet e dyta e treta, debatet ne TV jane pa energji dhe Francezet as nuk e cajne koken per keto historira.
    Eshte ne themel qe Republikes se 5te Francese dhe privacia respektohet ketu.
    Sa per ironi popullariteti i Holland eshte rritur me 2-3 pike keto ditet e fundit
    Media mos ja fusni kot duke bere vetem perkthime (shyqyr Zotit qe keni Google)

  3. Pine& Tasho Jevgu says:

    Zoti Yzeiri ! kjo loje e turpeshme e Lobit dhe CRIF behet per te sfumuar debati per anullimin e çfaqeve teatrale ne te gjithe Francen te humoristit pro palestinez e anti-sionist Diodone , ne qe jetojme ketu nuk kemi problem shqetesues dashnoret e radhes se presidenteve perserites te radhes se dashnoreve , perveç De Golit te gjithe te tjeret ndjekin traditen ruajale qe ju kini mesuar nga historia , jam ne nje mendje me Lavdoshin .

  4. qytetari says:

    Francezeve nuk u ben fare pershtypje kjo gje ,ata jane mesuar me te tilla gjera :Mitterrand gjate kohes qe ish president kish lidhje jashtemartesore biles edhe nje vajze jashte martese,po ashtu edhe Chirac,per Sarkozy besoj se kujtoheni te gjithe per historine me Carla Bruni.

  5. Geologu says:

    Merre me mend cdo behej sikur “doctor rrumpallen” ton ta procedonin te gjithe ata, te cilet ka ofendur per jeten private.

  6. REA says:

    turp per nje president qe nuk di te vendosi mardhenie besimi dhe respekti me konkubinen e vet 3W me te cilen vetem bashkejeton dhe ns’ka femije.!
    Po le te ishin ndare me Nataline dhe jeta te vazhdonte me aktorucen Julie!
    Kujt po i plaste.
    Populli francez paguan taksat per sigurine e tij , ai i hip motorrit pa me te voglin shqetesim.
    Ku eshte pergjegjesia e tij?

  7. Koz Dynjaja says:

    – Po qe se desheroni te justifikoni ndonje ne shqiperi eshte tjeter pune ,por mos harroni qe kemi lexuar qe te dashurat e njerezve me pushtet kane arritur te vendosin per fatin e shume personave,,pataj cfare eshte ky qendrim jo po jeta private ?Nuk ka jete private qe anon nga shkelja e moralit se ketu eshte gjith konflikti. Sa here qe shkelet morali ka dale pergjigja e jetes private……….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje