Dilema e madhe e Kombëtares shqiptare sot është sulmi. Shumë lojtarë në këtë repart, por asnjë nuk jep siguri se mund ta marrë Shqipërinë mbi supe në eliminatoret e Euro 2016, ku kuqezinjtë kanë si objektiv zyrtar kualifikimin. Dyshja titullare e edicionit të kaluar, Salihi dhe Çani, të dy së bashku kanë shënuar vetëm 1 gol deri tani. Sadiku është në fillimet e tij te Zyrihu, ndërsa Mehmeti dhe Llullaku u shfaqën dhe u zhdukën si meteorë në radhët e përfaqësueses.
E megjithatë, ka një sulmues që ka realizuar deri tani 8 gola në Bundesligën 2, ka 29 ndeshje me fanellën kuqezi, por ka luajtur vetëm 56 minuta në epokën “De Biazi”. Bëhet fjalë për Edmond Kapllanin, durrsakun që është shndërruar në liderin e FSV Frankfurtit dhe që e lë gjithnjë një derë të hapur për përfaqësuesen.
“Më parë duhet të flas me De Biazin dhe të kuptoj nëse më ka në plane apo jo. Për Kombëtaren sakrifikoj shumë, por nuk mund të thirrem vetëm në miqësore…”, – thotë 31- vjeçari për “Panorama Sport”.