“Aksesi në drejtësi është një faktor kyç për të siguruar mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, deklaroi ministri i Drejtësisë Nasip Naço gjatë konferencës me temë “Aksesi në Drejtësi: Një fokus i ri për nenet 12 dhe 13 të Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”.
Naço theksoi se garantimi i aksesit në drejtësi, ndikon drejtpërdrejtë në rritjen dhe forcimin e transparencës, përgjegjshmërisë, paanësisë dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë, në mbështetje të rolit deçiziv të qytetarëve dhe të të gjithë aktorëve të tjerë të interesuar, me fokus të veçantë aksesin e personave me aftësi të kufizuar.
“Në kuadrin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, pra aksesi në gjykatë, konsiderohet si një e drejtë thelbësorë që duhet t’i sigurohet çdo individi pa asnjë lloj dallimi, e në veçanti atyre që janë me aftësi të kufizuar. Nëse nuk garantohet e drejta për t’iu drejtuar gjykatës atëherë cenohet dhe e drejta për të ngritur pretendime civile, apo për të kundërshtuar akuzën para një gjykate, apo edhe për të ekzekutuar vendimet gjyqësore”, u shpreh Naço.
Në vijim ai bëri me dije se përpjekjet e deritanishme kanë synuar adresimin e gjetjeve të Raport Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2013 dhe se një ndër problematikat shqetësuese dhe të vazhdueshme ndër vite, ka qenë pikërisht pengimi i aksesit në drejtësi për shkak të tarifave të larta në gjyqësor.
“Ne bëmë të mundur që në muajin nëntor 2013, të ndryshonte udhëzuesi për përcaktimin e tarifave të të gjitha shërbimeve të administratës gjyqësore, duke i reduktuar tarifat në masën 37 %- 50 %. Këto ndryshime bënë të mundur që më së fundi të rrëzohet një prej barrierave më të rënda të aksesit të qytetarëve në drejtësi. Gjithashtu përpara disa muajve kemi lancuar Portalin Online “Stop Korrupsionit në Drejtësi”, i cili bëri të mundur krijimin e një mënyre të re komunikimi të shqetësimeve dhe halleve të qytetarëve të shkaktuara nga veprimet e papërgjegjshme të zyrtarëve të shtetit. Ndërkohë është prezantuar në rrjetet sociale edhe faqja zyrtare e Ministrit të Drejtësisë, dhe konstatohet se kjo dritare e re ka shërbyer për përcjelljen e komenteve dhe sugjerimeve nga shumë qytetarë, të cilët ndër të tjera kanë përcjellë edhe shqetësime konkrete që lidhen me shkeljen e të drejtave të tyre. Të gjitha këto shqetësime janë bërë objekt i punës verifikuese nga strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë me qëllim zgjidhjen e tyre”, tha Naço.
Ai u ndal edhe në masat e marra në drejtim të dixhitalizimit të plotë të sistemit gjyqësor duke theksuar se pas shtrirjes me sukses në gjykata, të projektit audio, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me partnerët e huaj është duke hartuar projektin e radhës së dixhitalizimit që lidhet me shtrirjen e sistemit video nëpër gjykata. Naço vlerësoi se këto projekte do të kenë impakt pozitiv të padiskutuar në drejtim të rritjes së aksesit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
Shiko se mos gabimisht rrezon ndonje barriere qe pengon drejtesine per te vajtur tek Meta.
po ti i ke mbush me skrapallinj gjithe zyrat more plehre
Mjere EDI me ke ka bere marreveshje