Beshiktash, një milion euro për Valdet Ramën

7 Prill 2014, 13:42Sport TEMA

Sirena turke për Valdet Ramën. Është pikërisht një nga tre gjigandët e Superligës turke, Beshiktashi, ai që ka shprehur haptazi interes për mesfushorin me tipare sulmuese të Valadolidit. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja “GazeteFutbol.de”, sipas së cilës menaxheri turk Mustafa Karan ka nisur tashmë bisedimet me të dyja klubet për të gjetur së pari një akord për vlerën e kartonit të lojtarit të Kombëtares shqiptare. Më pas, nëse do arrihet akordi, ky i fundit do të ulet me Valdet Ramën për të vendosur edhe detajet financiare dhe jo vetëm të kontratës së re të futbollistit kuqezi, raporton Panorama Sport. “Valdet Rama konsiderohet si një nga kandidatët më të pëlqyer të drejtuesve të Beshiktashit për sezonin e ardhshëm. Me afrimin e tij kërkohet më tepër siguri dhe impuls nga krahët e mesfushës, duke qenë se Rama luan si në të majtë ashtu edhe në të djathtë”, shkruan ndër të tjera gazeta.

Rama rinovoi kontratën e tij me Valadolidin në verën e 2013-ës. 25-vjeçari shkoi në Spanjë në janar të vitit të shkuar nga Orebro e Suedisë, por vetëm në formë huazimi, me të drejtë të blerjes së kartonit. Në fund të sezonit, menaxheri i tij u fut në tratativa me klubin dhe nga Rama firmosi për deri në fund të sezonit 2014-2015. Debutimi i tij në Spanjë u shënua në muajin mars 2013, në një ndeshje kundër Malagas si zëvendësues. Por menjëherë më pas ai luajti si titullar te Valadolidi. Megjithatë, dëmtimet e lehta por të vazhdueshme e kanë kushtëzuar disi lojën e tij edhe gjatë këtij edicioni te Valadolidi, skuadër me të cilën ka mundur të shënojë vetëm një gol spektakolar “alla Mesi”, në derbin me Atletiko Bilbaon. Pikërisht kjo ecuri pozitive bëri që lojtari të bëhej shumë shpejt edhe pjesë integrale dhe gati e pazëvendësueshme e skuadrës kombëtare që drejton aktuali Xhani de Biazi.

Nisur pikërisht nga të gjitha këto cilësi, në klub besojnë se Valdet Rama është lojtari i duhur për të përforcuar mesfushën. Për momentin, vlera e tij në merkato nuk shkon më shumë se 1 milion euro, shifër kjo krejt e përballueshme nga një klub si Beshiktashi, president i të cilit është Fikret Ormani, inxhinier në profesion dhe një nga njerëzit më të pasur në Turqi. Trajner i skuadrës është ish-tekniku i Kombëtares së Kroacisë, Slaven Biliç, ndërkohë që yjet e skuadrës janë: portugezët Manuel Fernandes dhe Hugo Almeida, çeku Tomas Sivok, austriaku Veli Kavlak, francezi Zhulien Eskude, si dhe turqit Ibrahim Toroman, Serdar Kurtulush dhe Tolga Zengin, të cilët luajnë edhe për kombëtaren e këtij vendi, të drejtuar nga Fatih Terim. Aktualisht, skuadra renditet në vend të 2-të me 53 pikë, shtatë më pak sesa Fenerbahçe dhe dy më shumë sesa Galatasarai. Nisur nga renditja aktuale, me shumë gjasa Beshiktashi do mund të luajë minimalisht në Champions League, një dritare kjo tejet prestigjioze për një lojtar si Valdet Rama, gjithnjë nëse kjo tratativë do të mund të realizohet.

1 komente në “Beshiktash, një milion euro për Valdet Ramën”

  1. Babuc says:

    Mos shko ne turqi , bej dhe pak durim dhe besom qe talenti yt do biej ne sy te dikujt qe ofron interesa me te mira …..
    Po ti vesh reh te gjith talentat Shqiptare kane genjyer veten dhe kane humbur shancet per me mire duke vajtur neper ekipe turke e greke , duke lidhur kontrata 5 e 7 vjecare duke menduar se kishin rene rehat !!
    Mos u genje me ate nje miljonshin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje