Lazarati si projekt pilot

8 Prill 2014, 20:42Blog TEMA

Nga Alqi Koçiko*

 

Nuk besoj se ka mbetur njeri pa i bërë përshtypje kronika e TCH për Lazaratin këtë javë. Në kushte të tjera, mund të thuhej se “policia më në fund hyn në Lazarat”, dhe jo cilido polic, por vetë drejtori i qarkut. Por në fakt, hyrja e uniformës së rëndësishme kishte ndodhur me konsensus, sepse ai dhe kryetari i komunës do të kryenin një bashkëbisedim me nxënësit e fshatit të madh, për të bindur prindërit që këta të fundit të mos merreshin më me kultivimin e hashashit. Me fjalë të tjera, duket se shteti ka vendosur që “principata” e Lazaratit të bindet të heqë dorë nga kultivimi dhe shitja e një substance të paligjshme e të hyjë në rrugë të Perëndisë me dialog, seminare dhe work shop-e. Gati-gati më ngjau me një konferencë për dhunën kundër gruas, apo për të këqijat e duhanit ose për promovimin e ecjes me biçikletë. Thuajuni prindërve të mos hanë fast food-e se kanë kolesterol. Zaten, kjo rrugë ishte paralajmëruar me disa deklarata të mëhershme të ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që këtu e pak muaj më parë shkaktuan jo pak reagime. Kujt ndjek mediat dhe rrjetet sociale, i kujtohet se shumëkush mbeti i habitur me këtë “trajtim preferencial” ndaj fshatit rebel. Por pati dhe asi komentuesish që e mbështetën këtë këndvështrim të qeverisë, duke thënë se Lazaratit që është bërë si delja e zezë për shkak të kombinimit hashash plus votë për PD-në, po i bihet ca si shumë në qafë, sepse zona të tjera “bëjnë namin” me hashash ndërkohë që vëmendja është drejtuar nga ky fshat.

Përtej pafuqisë dhe qëndrimit si mbi gjemba e plot siklet të kryepolicit të qarkut, epiqendra e takimit në fjalë me gjimnazistët lazaratas ishte kryetari jetëgjatë i komunës, Dashamir Aliko. Thënë shkurt, thirrja e Alikos ishte kjo: Thuajuni prindërve e vëllezërve, që të heqin dorë nga hashashi dhe paratë që kanë fituar tërë këto vite, t’i investojnë në biznese të ndershme dhe produktive; boll i lanë nëpër kazino dhe makina të shtrenjta! Duhet thënë se ky qëndrim publik është origjinal vetëm si artikulim zyrtar i një pushtetari lokal. Sepse në të vërtetë, investimi i parave të drogës e trafiqeve në biznese të tjera është ajo që po ndodh në realitet prej 20 vitesh në Shqipëri, me dijeninë dhe para syve të të gjithëve. Pak a shumë, Aliko propozoi atë që dëshironte dhe nuk arriti dot të bënte Majkëll Korleone në serinë e tretë të sagës së “Kumbarit”.

Kapitull më vete meriton pastaj, reagimi i një gjimnazisteje ndaj kësaj thirrjeje të kryekomunarit. “Gjejuni punë prindërve tanë”, tha pak a shumë vajza syshqiponjë, “po deshët që ta lënë hashashin”, duke korrur duatrokitjet e bashkëmoshatareve. Nga intonacioni dhe mimika triumfatore, kam përshtypjen se vajza në fjalë nuk e kishte fjalën për një punë dosido; por për një angazhim të ngjashëm me përfitimet që sjell bima narkotike. Përndryshe ç’punë do ishte ajo? Pra, përveç legalizimit ose në daçi, miratimit nga “ALUIZNI i narkotikëve” i parave dhe aseteve të deritanishme të hashashit, duhet që shteti të marrë masa për mundësitë e punësimit të fshatit të madh. Arsyetimi kundërpërgjigjës i Alikos se “edhe fshatra e zona të tjera vuajnë për punë dhe kanë varfëri, por s’mbjellin hashash”, nuk piu ujë.

Pas këtij evenimenti, duhet ngritur pyetja: Kjo është vërtet strategjia që shteti shqiptar ka për Lazaratin? Punë bindëse, përditë dhe me durim, që edhe ky fshat të hyjë në kooperativë? Fletëpalosje dhe postera për të këqijat e narkotikëve? Apo mos është një taktikë specifike, që parashikon luftë pa kompromis për kapjen e sasive të trafikuara duke ua asfiksuar biznesin kultivuesve, derisa këta të binden se kështu nuk ka leverdi? Fakti është që vetëm pak kilometra më në jug, në Shëndelli të Sarandës, një i dyshuar për trafik narkotikësh, shtiu mbi shefin e antitrafikut teksa ndiqej nga uniformat blu; ndërsa në zona e rajone të tjera, kudo ku pikasen parcela okulte apo njerëz të përfshirë në këtë trafik, shteti vepron me forcën e ligjit. Dhe ministri i Brendshëm nuk ka sqaruar përse pikërisht në Lazarat “çështja është delikate dhe me sfond jo thjesht policor, por edhe social”, por nuk është e tillë në fshatrat e Vlorës, Fierit, Sarandës, Malësisë së Madhe etj. Përse kryetarët e komunave të Krujës a Librazhdit, i janë dorëzuar gjyqit për moskallëzim të kultivuesve të hashashit, në vend që të organizonin simpoziume bashkë me policinë, për të bindur “kundravajtësit” që paratë e trafikut t’i legalizojnë në biznese të hajrit që paguajnë taksa? Nëse në fund të fundit, ky është qëllimi final dhe kjo e Lazaratit është një projekt pilot, atëherë aferim. Këtë bimë le ta legalizojmë dhe të lidhim kontrata me Holandën.

*Revista KLAN

7 komente në “Lazarati si projekt pilot”

  1. meri says:

    hahaha.investimi i parave te pista quhet pastrim parash, qe perben veper penale te parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Pra lazaratasit qe do investonin para qe s do mund tu justifikonin burimin, do kryenin vepren penale te pastrimit te parave. Kurse kryetari i komunes dhe aradha e zyrtareve te shtetit kane bere thirrje pikerisht qe lazaratasit te pastrojne parate e pista, qe gjithashtu s denohet pak. E bukur zgjidhje!

    1. ali says:

      gjeja me e mire eshte investimi i ketyre parave, askush nuk perfiton gje ne se i fut ne burg, apsolutisht jo, me e mira edhe si shoqeri ne teresi eshte qe keto para te investohen, te vihen ne qarkullim’

  2. Kico says:

    Zot i madh cfare majmunash jemi ne shqiptaret!!!!!! Nje legalizim behet ne bote per hashashin dhe bam! kopeja e idjoteve nga mbrapa qe kerkon legalizim si ne bote!!!!!! A thua se te gjitha problemet si dhuna ndaj grave, gjakmarrja, papunesia, rritja e analfabetizmit nuk ekzistonin prej kohesh ne Shqiperi! O gomere po shqiptarit i merr koka ere pa drogera pale si behemi ne te droguar! Po kur na u bene edhe idjotet me ekonomik te tipit; liberalizojeni hashashin, lidhuni me Holanden dhe pritni leket te vijne! Hahahaha o majmune po si thoni ju sdo vriten shqiptaret kush ben me shume e merr me shume??? Prandaj boll na cate trapin dhe futeni mire tek ajo kafka e trashe qe Hollanda i ka punet vije ne krahasim me ne o torollake dhe behuni realiste; legalizimi i hashashit ne Shqiperi ka me shume te keqija se te mira!!!!!

  3. qifqia says:

    Para 7 a 8 vjeteve nje pushtetar i vjeter i Qarkut ne Gjirokaster qe ka qene sekretar a krietar i kthimit te pronave, ka bere ne ikje e siper kur qarkun e fitoi Saliu: Droga duhet te lejohet ne Lazarat se ata jane pa pune . Droga kishte filluar , vazhdoi dhe po vazhdon ne normalitet. Ai pushtetari qe ka qene dhe udheheqes i Partise se Punes u kthie prap ne Qark, erdhi ne pushtet. Te jete tek thenia e ketij gjithe sekreti i mbjelljes se [email protected] Qe kjo mbeshtetet nga te gjitha pushtetet ato vendore dhe qendrore ?

  4. Ergjeria says:

    Problemi i Lazaratit duhet pare edhe pak me gjere se sa shikohet pergjithesisht.
    Ne te gjithe e dime se Lazarati mbjell Kanabis. Por nuk duhet nxituar me rruget qe duhet te ndjeke qeveria per zgjidhjen e ketij problemi ne qofte se ka problem as duhet te ndersehet qeveria kunder nje fshati shqiptar.
    Une ketu du te theksoj tre ceshtje lidhur me Lazaratin
    Se pari, mbjellja e bimeve per prodhimin e droges nuk eshte me nje tabu jo vetem ne Shqiperi por as ne bote. Ne Shtetet e Bashkuara disa shtete dhe shtete te zhvilluara si Kolorado e kane legalizuar dhe stimuluar rritjen e kanabis marihuanes etj. Amerikanet kane stimuluar mbjelljen e hashashit ne hapesirat e pafund te Afganistanit.
    Se dyti, nuk mund te behet fajtor Lazarati pse shume vende te zhvilluara te Europes e kane legalizuar perdorimin e droges. Une do te isha i pari qe do kerkoja te perdorej forca kunder banoreve te ketij fshati ne qofte se keta shperndanin ne ato vende dicka qe bie ne kundershtim me ligjet e vendeve te tjera. Le ta zeme per nje moment se policia e ndaloi Lazarati te mbjelle kanabis. C’te mire do te kishte kjo? Asnje te mire. Hollandezet do te perdornin si edhe me pare kanabis por jo nga ajo e Lazaratit por nga ajo e Bullgarise, por i hiqej nje e ardhur Lazaratit (edhe Shqiperise ku investohen te ardhurat qe ata kane nga kultivimi i saj).
    Se treti sot Gjykata Kushtetuese Italiane ka hedhur poshte si antikushtetues ndalimin e Kanabisit dhe ne Itali priten te lirohen nga burgu mijera te denuar per perdorimin e saj.
    Keshtu, mua me duket se qeveria ka bere mire qe nuk eshte nxituar me perdorimin e forces ne Lazarat por eshte treguar mjaft pridente.

  5. lili says:

    Amsterdam ka coffee shop,ku tymosin kete gare,edhe nga ky turizmi i gjithe rinise evropeane,me hostel e art, pra filloni me pa tourisme,edhe legalizoni mbjelljen per ‘vêti’..Te gjithe do kemi fitim pa vra koket me policet qe Kane pune tjetra…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje