Gjobat ndaj bizneseve, Qeveria fal 500 milionë lekë. Bode e konsideron demagogji. Braçe kërkon transparencë

14 Prill 2014, 15:34Ekonomia TEMA

Komisioni i Ekonomisë miraton p/ligjin e paraqitur nga Qeveria për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të kryera për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013”. Drafti i miratuar në Qeveri është paraqitur në Komision nga zv. ministrja e e Zhvillimit Ekonomik Brunilda Paskali dhe zv.ministri i Financave Ervin Mete. Ky i fundit bëri të ditur se në total gjatë kësaj periudhe janë vendosur 4069 gjoba, që kapin shifrën e 3,3 miliardë dollarëve, ndërsa gjobat e paguara, por që do të rimbursohen në total arrijnë në 500 milionë.

“Kjo nismë është në frymën e rivendosjes së partneritetit me biznesin, vlera e gjobave që do të rimbursohen është bazuar në vendimet e dhëna nga gjykatat e apelit”, sqaroi Mete.

Zv.ministrja Paskali në cilësinë e përfaqësueses së Ministrisë që ka marrë këtë nismë, theksoi se ky projektligj paraqitet në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe përmirësimit të shërbimeve që u ofrohen sipërmarrjeve. Sipas Paskali nisma për këtë projektligj ka ardhur si rezultat i shqetësimeve që biznesi në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur lidhur me vendosjen e gjobave abuzive dhe në bazë selektive.

“Bazuar në filozofinë e qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend jo vetëm propozohet anulimi i gjobave të vendosura për periudhën 1 mars-31 gusht 2013, por njëkohësisht do të rimbursohen bizenset që i kanë paguar këto gjoba”, sqaroi ajo deputetët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, zv. ministri i Financave sqaroi se nuk është bërë një ndarje mes gjobave të vendosura, pasi në këtë mënyrë nuk do të mund të garantohej barazia.

“Logjika e ligjit na detyron të mos e bëjmë këtë ndarje, pasi nuk do të garantonte barazi për të gjithë. Në këtë mënyrë vendosëm që për atë periudhë të nxehtë të fushatës, kur kemi marrë ankesa pafund për instrumentalizim të organeve tatimore, të falim të gjitha gjobat. Së dyti, amnistia ka limitet e veta kohore. Ne kemi menduar të falim gjobat e kësaj periudhe, nisur edhe nga indiciet që kemi marrë, si dhe bazuar në faktin që risku i vendosjes së gjobave abuzive është më i lartë në periudhat zgjedhore,” tha Mete.

Në përgjigje të pyetjes mbi mënyrën si është proceduar ndaj zyrtarëve abuzues të organeve tatimore, Mete sqaroi se përmirësimi i kapaciteteve të administratës tatimore është një proces në vazhdim. Në këtë kuadër, ai sqaroi se 94 raste janë çuar në prokurori, ku krahas vendosjes se gjobave abuzive, përfshihen edhe raste shkeljesh më të rënda.

Anëtari i komisionit, deputeti socialist Pjerin Ndreu propozoi që në projektligj të parashikohet edhe falja e gjobave të vendosura nga autoritetet tatimore lokale, propozim që u miratua dhe që u reflektua gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit.

Nga ana tjetër, anëtari i Komisionit, deputeti demokrat Ridvan Bode e konsideroi projektligjin demagogji të qeverisë, pasi falen gjobat, por jo detyrimi tatimor apo kamatëvonesat. “Mendoj se nuk ka asnjë lloj justifikimi për të mbështetur këtë demagogji. Përkundrazi, biznesi zhytet thellë e më thellë, sepse nëse pranohet falja e gjobës, pranohet edhe detyrimi tatimor. Për të lehtësuar qytetarët dhe biznesin duhet zgjeruar fokusi i veprimit të projektligjit. Nëse doni të bëni një ligj për të çliruar ngërçin, zgjeroni fokusin, ndryshe mbetet demagogji,” tha Bode.

Por komentet e ish-ministrit të Financave u kundërshtuan nga anëtarët socialist të komisionit, të cilët theksuan se projektligji nuk është demagogji, por është një përgjigje ndaj një realiteti të konstatuar gjatë fushatës zgjedhore. Deputeti Ervin Koçi vuri në dukje se gjatë 6 muajve të fundit të qeverisjes numri i gjobave të vendosura nga autoritetet tatimore është 3,5 herë më i vogël, ndërsa të ardhurat janë rritur nëpërmjet mbledhjes së taksave.

“Është e vërtetë që ka pasur një angazhim të Partisë Socialiste gjatë fushatës për të falur gjobat e vendosura në mënyrë abuzive, por nuk do të falim asnjë detyrim tatimor, sepse nuk jemi angazhuar për këtë. Detyrimi tatimor është detyrim ligjor që duhet ta paguajë dikush. Gjoba e vendosur për arsye banale është e padrejtë dhe padyshim ne i qëndrojmë angazhimit tonë për t’i falur,” tha kryetari i Komisionit Erjon Braçe, ndërsa theksoi se shqetësimi për gjobat abuzive është ngritur nga të gjitha shoqatat e bizneseve dhe dhomat e tregtisë në takimet dhe forumet e organizuara me qeverinë.

Më tej, Braçe tha se grupet e interesit e mbështesin këtë projektligj, kështu që mbetet e paqartë çfarë interesash mbron opozita. Sipas kreut të komisionit për Ekonominë dhe Financat në 6 muajt e fundit janë arkëtuar 17,2 miliardë lekë, ose 170 milionë dollarë më shumë të ardhura nga organet tatimore. “Arkëtime në bazë të ligjit dhe jo nëpërmjet sistemit të gjobëvenies,” tha Braçe.

Gjatë shqyrtimit nen për nen, Braçe  kërkoi që në kuadër të transparencës, të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Financave lista e plotë e të gjithë subjekteve që përfitojnë nga kjo amnisti.

Por, zv. ministri Mete tha se kjo nuk ishte e mundur, pasi bëhej fjalë për të dhëna personale të cilat nuk mund të bëheshin publike. Përballë këmbënguljes së kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Mete tha se do të shqyrtohej kjo mundësi nga Ministria e Financave dhe organet tatimore.

7 komente në “Gjobat ndaj bizneseve, Qeveria fal 500 milionë lekë. Bode e konsideron demagogji. Braçe kërkon transparencë”

  1. velo says:

    Qeveria Rama mban premtimet.

    1. Elsa says:

      Flet bode qe kishte 720 milion dollare te padeklaruar ne borxh,…

      TURP

      1. Rustemi says:

        Keta qe e cuan vendin ne pikiate dalin e flasin ketyu coc na thone.

        me vjen mire qe mbahet kz premtim i mbajtur

        1. Urani says:

          Hallall ju qofte qe keni mbajt premtimet. le te behet me e mira sepse vota eshte dhene per kete gje

          1. LINI says:

            Ju pergezoj qe po punoni sic keni premtuar

  2. Zambi says:

    Pa dyshim qe gjobat qe vendosen ne periudha zgjedhore kane doza te medha abuzimi por dhe falja ne kete menyre ka gjithashtu doza abuzimi.
    Keshtu i bie qe instutucionet shteterore jane te paafta te bejne nje vleresim te tyre rast pas rasti dhe i bien shkurt bejne nje aministi. Gjithashtu me kete rast futen ne liste dhe njerez te cilet kane abuzuar por jane miq te pushtetite te ri.

    Mendoj qe ne kemi nje nevoje te madhe t’i themi ndal abuzimit ne cdo fushe dhe dhenien e mesazhit te vazhdimesise te shtetit. Nqs vazhdohet me aministi pafund (sic eshte bere gjithe keto vite) njerezit do vazhdojne abuzimin duke ecur me mendimin se “do kete aministi sa te vijne ata te tjeret..” dhe abuzimi nuk do marre fund asnjehere.

  3. Arjana says:

    Kjo eshte hipokrizi e gjalle nga Partia Socialiste.Po falen gjobat e bizneseve te vena nga Tatimet gjate fushates elektorale te PD si denim. Mirepo,me gjithe premtimet elektorale,Partia Socialiste nuk rimerr ne pune tatimoret qe u larguan nga puna gjate fushates elektorale ne mars 2013.Ne vend te tyre jane marre e po merren ne pune vetem familjaret e deputeteve te PS.tatimoreve qe jane ne pune po u behet presion i madh per largim nga puna,qe ka nxitur servilizmin ndaj deputeteve te PS dhe LSI qe kane hapur ne çdo rreth zyra punsim i si ne kohen e monizmit.Turp i madh per PS.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje