Martino drejt largimit, Barça pëlqen Klopin e Lëvin

14 Prill 2014, 18:25Sport TEMA

Edhe një triumf i mundshëm të mërkurën në finalen e Kupës së Mbretit përballë Realit të Madridit do të ishte i pamjaftueshëm për të ndryshuar të ardhmen e marrëdhënies mes Gerardo Martinos dhe Barcelonës, e cila do të ndërpritet në fund të sezonit, edhe pse teknikut argjentinas i mbetet edhe një vit tjetër në kontratën e nënshkruar verën e kaluar me katalanasit. Nisur nga situata aktuale, Martino duket se nuk dëshiron të qëndrojë më, pasi ka edhe një ofertë nga kombëtarja e Argjentinës, por as drejtuesit e Barçës duket se nuk kanë ndërmend ta mbajnë, kështu që klauzola me penalitetet për prishje të njëanshme të kontratës mund të zgjidhet me mirëkuptimin e të dyja palëve pa patur asnjë kosto financiare për palët. Me mundësinë e largimit të Tatës në fund të sezonit, zinxhiri i emrave për ta zëvendësuar ka nisur të ndërtohet.

KLOP & LËV – Emri i parë që del në skenë është ai i Jyrgen Klopit, trajnerit aktual të Borusias së Dortmundit, për të cilin dyert e largimit nga verdhezinjtë jantë hapura, edhe pse një vit më parë (pas finales së Championsit) e rinovoi kontratën me klubin nga “Signal Iduna Park”. Edhe alternativa e dytë vjen nga Gjermania dhe bëhet fjalë për trajnerin e kombëtares, Joakim Lëvin, i cili gjithashtu është ndër më të pëlqyerit e drejtuesve katalanas, por nisja e bisedimeve me të do të nisë nëse dështojnë bisedimet me Klopin. Mediat gjermane bëjnë të ditur se pikërisht Lëv është edhe emri më i përfolur për të zëvendësuar Jyrgen Klopin në Dortmund pas Botërorit të Brazilit, teksa për teknikun e Borusias interesohen prej kohësh PSG-ja, Mançester Junajtidi, Monako e Mançester Siti.

ROJS – Jyrgen Klop nuk është emri i vetëm që Barcelona kërkon t’i shkëpusë Borusias së Dortmundit. Sipas gazetës spanjolle “Sport”, drejtori sportiv i katalanasve, Andoni Zubizarreta, do të jetë i pranishëm sot në Dortmund për gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë që verdhezinjtë luajnë me Volfsburgun. Ai do të takojë drejtorin e gjermanëve, Mikael Zorc, të cilit do t’i shprehë zyrtarisht interesimin për yllin Marko Rojs. Barça pritet të ofrojë fillimisht 35 milionë euro, me kusht që lojtari të qendrojë në Dortmund edhe për një sezon (nëse nuk hiqet embargo e merkatos që FIFA i ka vendosur blaugranave).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje