Mbi 156 mijë pasaporta me problem, afat 5 vjeçar. Tahiri: Fund kaosit të mjeteve lundruese në bregdet (VIDEO)

14 Prill 2014, 15:11Politika TEMA

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri prezanton para Komisionit parlamentar të Ligjeve dy projektligje që kanë të bëjnë me një shtyrje afati për një numër pasaportash që janë në afatet e skadimit, si edhe nismën për kontrollin e mjeteve detare.

Përmes projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.8668, datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar””, synohet zgjatja për një periudhë një vjeçare të afatit ligjor të vlefshmërisë së të gjitha pasaportave biometrike të lëshuara për shtetasit deri në moshën 16 vjeç në kohën e aplikimit.

“Ligji ka të bëjë me ndreqjen e afatit për një numër të konsiderueshëm pasaportash, kryesisht të lëshuar për fëmijët e sapolindur të cilët në kohën kur janë pajisur me pasaportë , janë pajisur me një dokument që nga pikëpamja formale e ligjit, kanë pasur një afat të parregullt, për të mos thënë afat të paligjshëm. Me të marrë detyrën, konstatuam që gjatë kohës prill 2009-korrik 2010, janë prodhuar 156 231 pasaporta. Afati i vlefshmërisë së tyre është lëshuar në mënyrë të pasaktë. Në zbatim të ligjit, fëmijët deri në 16 vjeç , duhet të pajiseshin me pasaporta, afati i të cilave duhet të ishte 5 vjet”, tha Tahiri.

Ndërsa, projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8663, datë 18.09.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT””, është një propozim i Ministrisë së Punëve të Brendshme për të rregulluar një situatë kaotizimi, por jo vetëm, në më të shumtën edhe paligjshmërie lidhur me lëvizjen e mjeteve lundruese të këtyre përmasave në det, dhe jo vetëm në det, por edhe në ujërat e brendshme të territorit. Tahiri deklaroi se moratoriumi i mjeteve lundruese nuk është rinovuar më nga qeveria. Në këto kushte, tha ministri i Brendshëm, është menduar që mënyra më e mirë për të disiplinuar lundrimin në det, veçanërisht për qëllime turistike, sportive etj, por edhe disiplinimi dhe sanksionimi i keqpërdorimit të detit, janë qëllime kryesore për t’u adresuar përmes këtij projektligji.

“Ne ndajmë bindjen që ky është një projektligj, i cili kërkon një reformë tërësore në të gjitha dispozitat e veta, por për shkak se sezoni turistik është afër, për shkak se është e detyrueshme të marrim masa për të siguruar jetën e pushuesve, për të siguruar cilësinë e përdorimit të detit dhe të plazheve, për të rregulluar përdorimin kaotik të ujërave dhe detit, veçanërisht gjatë sezonit turistik kur plazhi dhe deti përdoren masivisht dhe gjithashtu për të parandaluar dhe luftuar trafikun e çdo lloji, qoftë të njerëzve, qoftë të lëndëve narkotike nëpërmjet detit”, thaTahiri.

Deputeti i LSI-së .Spartak Braho shprehu mbështetjen për këtë nismë dhe kërkoi prej qeverisë që së shpejti të sjellë dhe një draft integral të ndryshimeve në këtë ligj. “Besoj se koha ka ardhur madje ka kaluar që ky ligj  të përballojë dhe të vishet me ndryshimet e propozuara. Për emergjencë ne mendojmë që ndryshimet të miratohen me idenë z.Ministër që së shpejti brenda një periudhe që ju do ta çmoni të domosdoshme, ligji duhet sjellë në mënyrë më të plotë dhe më integrale duke pasur parasysh dhe zhvillimet e reja në këtë lloj aktiviteti”, tha Braho.

Anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën  Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratuan dhe projektligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore”.  Synimi i projektligjit është përcaktimi i rregullave për llogaritjen e afateve dhe kamatave ligjore për pagesat e vonuara në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e subjekteve ekonomike kundrejt subjekteve te tjera ekonomike dhe autoriteteve shtetërore, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut të brendshëm, duke nxitur aftësinë konkurruese të sipërmarrjeve tregtare dhe, në veçanti, të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

3 komente në “Mbi 156 mijë pasaporta me problem, afat 5 vjeçar. Tahiri: Fund kaosit të mjeteve lundruese në bregdet (VIDEO)”

  1. lega says:

    156 mije ndertime te tjera pa leje.Pasaportat e Sallahut,qajne femijet ne kufi!!!!!???

  2. lani says:

    prape lek dhe rradha..ik o plhre se s’po vime fare..

  3. ermali says:

    As nuk na e ndjen fare per pashaporten shqiptare. Qekur moren ate kanadeze shpetuam ne te gjitha drejtimet. Pashaporta e kuqe shqiptare na ka ngelur thjesht si suvenir.Faleminderit o Zot i madh!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje