Mattias Sammer paralajmëron Bayernin e Mynihut të bëjë kujdes dhe të mos e nënvlerësojë Kaiserslauternin në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë. Bavarezët dhe skuadra e kategorisë së dytë të Bundesligës do të përballen në Allianz Arena për një vend në finalen e madhe të Berlinit, ku kampionët e Gjermanisë do të kërkojnë mbrojtjen e titullit dhe nëse do t’ia dalin, kjo do të ishte hera e parë që prej 2005-ës dhe 2006-ës. Me Thiagon, Xherdan Shaqirin dhe Holger Badstuber që janë në pikëpyetje, drejtori sportiv i Bayernit u përpoq të karikojë skuadrën duke thënë se këtij takimi duhet t’i jepet rëndësia maksimale.
“Eshtë si një finale për ne. Djemtë e dinë shumë mirë se nuk duhet ta pësojmë si Leverkuseni që u eliminua pikërisht nga Kaiserslautern. I gjithë ekipi duhet të prodhojë një performancë më të mirë se në ndeshjen e fundit që kishim me Dortmundin”.
Për herë të parë që nga Nëntori i vitit 2011, bavarezët kanë humbur dy ndeshje radhazi në kampionat, pësuan fillimisht një disfatë shokuese ndaj Augsburgut e më pas u mundën edhe nga verdhezinjtë e Jurgen Klopp. Të njëjtin mesazh paralajmërues dha edhe shefi ekzekutiv i klubit. Ashtu si Sammer, Rummenigge nënvizoi se Kaiserslautern nuk duhet nënvlerësuar, pasi ka dhënë prova të qarta ndaj Leverkusenit për dëmet që mund të shkaktojë.