Legalizimet/ Ndërtuesit kërkojnë hipotekimin e 300 pallateve. Ndryshimet e plota ligjore

23 Prill 2014, 16:39Ekonomia TEMA

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese ka vijuar diskutimin me grupet e interest në lidhje me ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar””. Të pranishëm në seancën dëgjimore ishin përfaqësues të përfaqësues të pushtetit lokal dhe të shoqatës së ndërtuesve. Kryetari i Komisionit Eduard Shalsi tha se janë parashikuar të zhvillohen një sërë dëgjesash gjatë ditëve në vijim. Sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit është parashikuar që projektligji në fjalë të kalojë në seancë plenare javën e ardhshme, prandaj Shalsi ftoi kolegët që të paraqesin me shkrim amendamente.

“Do mundohemi që ligjin ta çojmë në seancë javën që vjen, por nëse do të kemi sugjerime dhe ndryshime të tjera mund ta shtyjmë edhe me një javë,” tha Shalsi.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Velipojës, Pashk Ujka, pasi u shpreh në mbështetje të ndryshimeve të propozuara në projektligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, kërkoi mospërjashtimin nga procesi i legalizimeve për ata që kanë ndërtuar në këtë zonë turistike duke respektuar masterplanin e vitit 2003, por që ende nuk janë legalizuar.

Nga ana tyre, përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve, duke folur përpara komisionit kërkuan që ligji i ri të legalizimeve të adresojë edhe problemin e hipotekimit të 300 pallateve në mbarë vendin. Ata propozuan përcaktimin në ligj të detyrimit të njësive të pushtetit vendor për të përcjellë dosjet e aplikimeve drejt Agjencisë së Legalizimeve dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Ndryshimet në ligj

Ndryshimet në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”,të propozuara nga Qeveria synojnë t’i japin një zgjidhje të plotë çështjes së legalizimit dhe urbanizimit të zonave informale. Amendimi i ligjit aktual të legalizimeve, i miratuar në prill 2006, parashikon ndër të tjera ndryshimin e skemës së operimit, me qëllim që të çohet shërbimi te qytetari; ndryshimin e skemës së vlerësimit të trojeve, me qëllim që toka të mos ketë të njëjtin çmim si në Tiranë dhe në Kukës apo Gjirokastër e Korçë, etj.
Ndryshimet në ligj, të përmbledhura në një draft me 25 nene, synojnë zgjerimin e fushës së zbatimit, duke e bërë të zbatueshëm për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15 janar 2009, pavarësisht nëse ato kanë funksion banimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore. Këtu përfshihen dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Fusha e zbatimit të këtij ligji do të shtrihet edhe për ndërtimet pa leje të ngritura pas datës 15 janar 2009, me kusht që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin.
Projektligji i paraqitur për miratim në Kuvend parashikon që fusha e zbatimit të tij të mos shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private të të tretëve, kur planet e përgjithshme vendore, parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero. Në rast se ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk iu përgjigjen kushteve të mësipërme, do të prishen në mbëshetje të ligjit “Për inspektimin e ndërtimit.”
Neni 2 i projektligjit përcakton si “ndërtim pa leje” objektin për të cilin është përfunduar karabinaja, i destinuar për banim, veprimtari ekonomike ose funksione të tjera, për të cilin nuk janë respektuar procedurat e përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi, për planifikimin e territorit.
Ligji aktual i legalizimeve pëson ndryshim dhe në mënyrën e kompensimit të pronarëve mbi sipërfaqet takuese pronë private, që preken nga ndërtimet pa leje. Kështu në nenin 4, drafti i qeverisë përcakton që kur parcela ndërtimore e objektit pa leje, është e regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në emër të subjekteve pronarë joposedues të ndërtimit, Këshilli i Ministrave miraton me vendim kompensimin mbi sipërfaqet takuese, pronë private, që preken nga objekti. Ndërsa në rastet kur parcela ndërtimore objekt kompensimi rezulton në pronësi të njësive vendore, ALUIZNI, para se të kryejë procedurat e kalimit të pronësisë dhe kompensimit, duhet të marrë miratimin e tyre.
Ndryshime pëson dhe neni 17 i ligjit aktual që lidhet me kalimin e së drejtës së pronësisë dhe mënyrën e pagesës së parcelës ndërtimore. “Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, si rregull, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit pa leje”, thuhet në draft.
Pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.
Në ligjin e ri ndryshon dhe neni që flet për taksat e ndikimit në infrastrukturë, e përllogaritur nga njësitë vendore, në përputhje me ligjin në fuqi.
Një shtesë e parashikuar në ligj lidhet me shtesat e realizuara në ndërtime para vitit 1993, vërtetimin ose çertifikatën e pronësisë për ndërtimin kryesor, apartamenti njësia e shërbimit; përcaktimet e këtij neni zbatohen edhe në rastin kur subjekti apo njëri prej subjekteve që disponojnë ndërtimin me funksion banimi nuk shlyejnë detyrimet financiare të parashikuara në ligj për vlerën e parcelës ndërtimore.
Ndryshim pëson dhe neni që flet për mënyrën e ndarjes së të ardhurave të arkëtuara nga legalizimi i ndërtimeve pa leje. Kështu, 70 për qind e këtyre të ardhurave do t’i kalojnë fondit të kompensimit të pronave dhe 30 për qind do shkojnë në buxhetin e shtetit, për përballimin e shpenzimeve të tarifës së shërbimit, për evidentimin në terren dhe përgatitjen e dokumentacionit për legalizimin e ndërtimeve pa leje me funksion banimi.
Një dispozitë detyruese në projektligj lidhet dhe me penalitetet ndaj subjekteve në rastet e mosrespektimit të dokumentacionit respektiv, duke i çuar deri në përjashtimin nga procesi i legalizimit.

6 komente në “Legalizimet/ Ndërtuesit kërkojnë hipotekimin e 300 pallateve. Ndryshimet e plota ligjore”

  1. Mondi says:

    Bravo, keta njerez kane nevoje per keto legalizime!

  2. tourkofagos says:

    ABSURDE,ne asnje vend te botes demokratike nuk legalizohen ndertimet pa leje,madje ndertuesit ndiqen penalisht,duke paguar edhe cmimin[faturen] e seances gjyqsore………….

    1. klodi says:

      me ate tenden ti mire e thua se ke pasur ose ke ndonje strrehe per te futur koken,e nuk e vret mendjen per te tjeret,shiko nje here se nuk jetohet pa shtepi e me pas fol,,, qeveria e kishte falin se i la njerezit te ndertojne shtepi pa leje gjithe keto vite,dhe ajo duhet qe keta njerez ti pajise me dokumentat qe duhet ti kishte detyruar njerezit perpara se te fillonin ndertimin,

  3. gerta says:

    Cudi shqiptare ,Neni 4 kur parcela ku eshte kryer ndertimi eshte ne emer te dikujt tjeter Keshilli i Ministrave miraton kompensimin per pronen private te prekur nga objekti.Pra nqs je i forte zer token e tjetrit bej nje pallat pa leje shiti apartamentet se token e kompenson Keshilli i Ministrave

    1. tourkofagos says:

      nje burdhelo e vertete,”ligjerim”me vulen e shtetit gjithe grabitesave te pronave te te tjereve…………!!!
      ndoshta edhe kjo fushate e ka nje domethenie qe,ne votimet e ardhme mendohu mire se:
      -une ju ligjerova ndertimin e paligjshem,prandaj me voto……………!

  4. klodi says:

    legalizimet jane nje nga kushtet ne si qytetare te shqiperise duhet ta kishim perfunduar me vite,por kur ti paguan para me thase dhe nuk te nxjerrin dokumentat qe ti duhet te parresh,kjo nuk do te thote gje per kete qeveri tani,se qeveria e kaluar e la plage kete institucion (aluiznin),,,kane vuajtuj njerezit me vite me rradhe duke kerkuar here pas here para nga jerezit vetem sa per te hapur dokumentat e tyre,mos kujtoni se njerzit nuk kane paguar,ne te gjitha rasten kane paguar dhe do te paguajne per perfitimin e pronesise se tyre qe kane me shume se 20 vjet kane shtepite e tyre qe jetonje,,,,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje