Vlerësime dhe sugjerime për raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2013

26 Prill 2014, 11:51Ekonomia TEMA

Nga Prof. Dr. Anastas Angjeli

Duke shprehur nje opinion mbi politikën monetare, të ndjekur gjatë vitit të mëparshëm nga Banka e Shqipërisë, për arritjen e objektivit të saj kryesor, politikat për ruajtjen e stabilitetit te cmimeve dhe inflacionit,stabilitetit financiar dhe forcimin e mbikëqyrjes bankare, si dhe reformimin e mbikëqyrjen e sistemit të pagesave.,do te shpreh dhe disa konsiderata dhe sygjerime per punen ne kete sektor. Ne raportin e veprimtarise se Bankes se Shqiperise per vitin 2013,vec sa me siper,një vend të rëndësishëm zë edhe analiza e instrumenteve të politikës monetare dhe e administrimit të rezervës valutore. Gjithashtu,në përfundim, raporti paraqet objektivat strategjike të këtij institucioni për periudhën afatmesme. Raporti shoqërohet edhe me pasqyrat financiare, si dhe vlerësimin përkatës të strukturave audituese.

Analiza e politikës monetare mbështetet në zhvillimet e ekonomisë së vendit tonë gjatë vitit të mëparshëm dhe ndikimin përkatës të zhvillimeve ekonomike botërore e cila gjatë vitit 2013 ekonomia e vendit vijoi rënien e ritmeve të zhvillimit. Rritja reale e PBB-së, nga 3.1 për qind në vitin 2011 dhe 1.3 për qind në vitin 2012, zbriti në 0.7 për qind në vitin 2013. Kjo rënie erdhi si rezultat i një kompleksi faktorësh të brendshëm e të jashtëm, si vijimi i ndikimit të krizës ekonomike botërore, zgjedhjet e përgjithshme në vendin tonë, politikat dhe administrimi fiskal etj. 
Ngadalësimi i zhvillimit ekonomik ishte pasojë e rënies së kërkesës agregate në të dy komponentët e saj: konsumit dhe investimeve private, ndërkohë që kërkesa e huaj pati rritje. Ndikim në rënien e kërkesës patën rënia e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, si dhe kushtet e shtrënguara të financimit nga sistemi bankar. Këto sollën mosshfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe rënie të investimeve të biznesit, rritje të ngadaltë të punësimit dhe të pagave dhe si rrjedhojë, prirje të ulëta inflacioniste.

Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit arritën nivelin 24 për qind të PBB-së, nga 24.9 për qind të PBB-së që ishin vitin e mëparshëm, duke u reduktuar me 4.5 miliardë lekë. Për të zbutur ndikimin e kësaj rënieje në të ardhurat dhe për t’i dhënë stimul ekonomisë, u ndoq një politikë fiskale ekspansioniste, e cila u pasqyrua në:

– rritjen e shpenzimeve nga 28.4 për qind e PBB-së, në 30.1 për qind të PBB-së, e barazvlefshme me 33.2 miliardë lekë;
– rritjen e deficitit buxhetor nga 3.5 për qind e PBB-së, në 6.1 për qind të PBB-së;
– rritjen e borxhit publik nga 62.5 për qind e PBB-së, në 70.5 për qind të PBB-së.

I.PERCJELLJA E POLITIKES MONETARE NE TREGJET FINANCIARE DHE EKONOMINE REALE.

Politika ekspansioniste monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një efekt gjallërues në tregjet financiare dhe është shoqëruar me rënie të primeve të rrezikut. Të dy këta faktorë kanë ndihmuar në përcjelljen e politikës lehtësuese monetare tek normat e interesit, të aplikuara nga agjentët financiarë.
Rënia e kërkesës agregate dhe rënia e inflacionit të importuar sollën tendencën e rënies së inflacionit. Niveli i inflacionit ishte i ulët, 1.9 për qind, në kufirin e poshtëm objektiv të politikës monetare.

Banka e Shqipërisë,gjate vitit 2013, ka ndjekur një politikë monetare,pergjithesisht lehtësuese,(ndryshe nga vitet e periudhes ku kriza u shfaq forte,periudhe gjate se ciles fleksibiliteti dhe reagimi ne kohe qe i munguar) duke reduktuar 4 herë normën bazë të interesit, deri në nivelin 3 për qind (kjo u harmonizua edhe me uljet e normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane). Megjithatë, kjo normë mbetet përsëri e lartë dhe vështirëson kreditimin e sektorit privat, duke frenuar rritjen ekonomike.

Ky stimul i politikës monetare lehtësuese nuk është përcjellë sa dhe sic duhet në ekonomi. Ky efekt duket qartë edhe nga tkurrja e aktivitetit ekonomik.

Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2013, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 0.4 në krahasim me normat 1.3% dhe 2.8% të regjistruara përkatësisht gjatë viteve 2012 dhe 2011. Ngadalësia e zhvillimit ekonomik u shkaktua, kryesisht, nga ecuria e dobët e investimeve dhe e konsumit privat, të cilat ishin rrjedhojë e besimit të ulët të agjentëve ekonomikë dhe kushteve të shtrënguara të financimit. Siç shihet nga kjo analizë, ngërçi i kreditimit ka lidhje me uljen e kërkesës për kredi, si pasojë e një ambienti makroekonomik të përkeqësuar dhe gjithashtu me shtrëngimin e financimeve nga ana e bankave, ndikuar nga rritja e NPL-ve (non performing loans) të cilat gjatë 8-vjeçarit të fundit janë rritur deri në 25% të kredive.
Kjo gjendje ngërçi ekonomik reflekton problemet strukturore, me të cilat përballet vendi dhe nevojen e ndryshimit te modelit tone ekonomik. Këto probleme kanë të bëjnë me nevojën për gjenerimin e burimeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike, me forcimin e masave për thellimin e reformes rregullatore per përmirësimin e klimës së biznesit,nje programi nxites per investimet e huaja, me ndërmarrjen e reformave të gjithanshme për rritjen e produktivitetit,sidomos ne sektorin bujqesor dhe te agrobisnesit me zgjerimin e tregjeve dhe me zhvillimin e sektorëve, të cilët mund të jenë konkurrencialë,eksportues në tregjet botërore. Nga ana tjetër kjo gjendje ka lidhje edhe me aktivitetin e plogësht rregullues të Bankës së Shqipërisë, e cila është treguar joefektive në rekomandimet për aplikimin e politikave të kujdesshme për vlerësimin e riskut nga ana e bankave dytësore, përpara se niveli i NPL-ve të mbërrinte në 25%, ndërsa sot nuk po tregohet efektive në gjetjen e shtysave për rritje të kreditimit.

II.ECURIA E SISTEMIT BANKAR.

Megjithë ritmet jo të larta të zhvillimit të ekonomisë së vendit dhe problematikat në sistemin financiar, treguesit kryesorë të sektorit bankar u përmirësuan gjatë vitit 2013?!. Rezultati financiar pozitiv u rrit dhe treguesit e kapitalizmit e të likuiditetit të veprimtarisë ishin në nivele pozitive. Në fund të vitit 2013, aktivet e sektorit bankar ndaj PBB-së arritën nivelin 90.5 për qind, duke u rritur me 0.9 pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm. Sektori bankar përbëhet nga 5 banka të mëdha, që kanë 67 për qind të portofolit të kredisë së sistemit dhe 73 për qind të depozitave. Rezultati financiar neto i sektorit bankar në fund të vitit ishte pozitiv, me një vlerë prej rreth 6.6 miliardë lekë dhe me një përmirësim në masën 74 për qind, krahasuar me fitimin e vitit 2012.

III. 11 VLERESIME DHE 11 SYGJERIME PER BANKEN E SHQIPERISE.

III.a. DISA VLERESIME PER PUNEN E BANKES SE SHQIPERISE.

1-Banka e Shqiperise ka realizuar objektivin e saj kryesor, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Inflacioni është mbajtur brenda objektivit të përcaktuar si rrjedhojë e politikës së kujdesshme dhe të arsyeshme monetare që ajo ka ndjekur.

2- Vlerësojmë përpjekjet që ka bërë Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe makroekonomik si dhe masat për nxitjen e kredisë(pamvaresisht pamjaftueshmerise se saj) me synim përmirësimin e ambientit ekonomik dhe frenimin e renies se rritjes ekonomike.

3-Është përmbushur objektivi ligjor i Bankës së Shqipërisë në fushën e sistemeve të pagesave, duke kontribuar kështu në mbështetjen e implementimit me efikasitet të politikës monetare, ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe të besueshmërisë së publikut në monedhën kombëtare.
5-Politika monetare është përcjellë pozitivisht në tregjet financiare, por jo sa dhe si duhet në ekonominë reale.
Megjithë politikat stimuluese, ekonomike e financiare, kërkesa agregate dhe rritja ekonomike

mbetën të dobëta. Nga njëra anë, ky rezultat ilustron sjelljen konservatore të agjentëve ekonomikë e financiarë, si dhe gatishmërinë e ulët të tyre për të marrë përsipër rrezik. Perceptimi për një rrezik të lartë për të ardhmen frenon ndërmjetësimin financiar dhe ndikon në stepjen e sektorit privat.
6-Banka e Shqipërisë ka rishikuar një sërë rregulloresh mbikëqyrëse të sistemit bankar, duke synuar stimulimin e kreditimit në ekonomi. Por përcjellja e stimulit monetar në ekonomi është shfaqur e kufizuar, si pasojë e pasigurive të larta dhe besimit të ulët konsumator, fenomen ky që po e përjetojnë shumë vende në ekonominë botërore.

7-Rritja e kreditimit nga sektori bankar u ngadalësua ndjeshëm dhe u shoqërua me rënie të cilësisë së kredisë ndersa kredite me probleme jane rritur(ato zene rreth 25 %).
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, në muajin mars, Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshime në kuadrin rregullativ që synojnë të përmirësojnë ofertën e kreditimit nga sektori bankar dhe të mbështesin procesin e ristrukturimit të kredisë. Gjithashtu, në bashkëpunim me industrinë bankare dhe me institucione të tjera, Kuvendi miratoi disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin Civil, të cilat lehtësojnë procedurën e kryerjes së ankandit të kolateralit të kredisë dhe përmirësojnë garancitë ligjore që shoqërojnë atë,si dhe nje ligj per mundesine e “pastrimit nga bilancet e bankave te kredive pa shprese”..

8-Banka e Shqipërisë është angazhuar per vendosjen e një platforme për automatizimin e raportimit dhe përpunimit për nevoja të prodhimit statistikor(duke u perafruar me standardet e Bashkimit Evropian) dhe rritjen e transparences,publikimit dhe informimit te publikut me to.
9-Banka e Shqiperise ,gjate vitit 2013,si nje aktor kryesor se bashku me Qeverine,ka luajtur rol te rendesishem ne arritjen e marreveshjes trevjecare me FMN.
10-Banka e Shqipërisë ka qenë një aktor serioz dhe i rëndësishëm në projektin e integrimit të vendit, nëpërmjet plotësimit dhe përditësimit të të gjithë detyrave të saj ligjore dhe angazhimeve institucionale. Shqipëria ka bërë progres në drejtim të përafrimit të legjislacionit të saj me kërkesat e BE-së në drejtim të përmbushjes së kriterit ligjor për anëtarësim.
11-Banka e Shqipërisë synon të mbështesë procesin vendimmarrës të saj në themele të forta dijesh dhe njohurish të testuara mbi ekonominë shqiptarë. Investimi në krijimin e kapaciteteve të shëndosha kërkimore ndihmon në rritjen cilësore të punës, të reputacionit dhe të besueshmërisë së Bankës së Shqipërisë.
III.b. DISA SYGJERIME PER PUNEN E BANKES SE SHQIPERISE NE TE ARDHMEN.

Banka e Shqipërisë duhet te të fokusoje me shume punën në disa drejtime si:

1-Ndjekjen e një politike monetare lehtësuese e stimuluese,me fleksible për zhvillimin e ekonomisë sonë dhe për vazhdimin e ruajtjes se stabilitetit makroekonomik e financiar të vendit,brenda normave dhe akteve ligjotre dhe rregullatore te saj.Banka duhet te kete nje rol me aktoiv dhe te jete nje sinjalizatore e vazhdueshme dhe ne kohen e duhur per zhvillimet dhe ndryshimet e pritshme ekonomike dhe te tregjeve financiare duke rekomanduar masa preventivuese per te zbutur sado pak efektet ,kur ato jane negative.

2-Ruajtjen e nivelit te borxhit publik,per aq sa i takon, në kufij të përballueshme dhe të padëmshme për ekonominë e vendit, duke marrë masa në drejtim të persosjes se programimit dhe parashikueshmërisë fiskale të cilat mbeten shqetësuese, sidomos mbas shfuqizimit ligjor të kufirit të borxhit.

3-Forcimin e metejshem te rolit mbikëqyrës e rregullator ndaj sistemit financiar- bankar..

4-Mbështetjen e kreditimit të ekonomisë dhe permiresimin e situates se kredive me problenme. Ky kreditim nuk ka qenë në nivelin e kërkuar nga ekonomia jonë(gjate vitit 2013 ka shenuar renie) dhe duhet stimuluar në të ardhmen.Kjo permes kijimit te stimujve për të përmirësuar klimën e kredidhënies në vend. Zbutjen e politikave konservatore të bankave në kreditim që shfaqen jo vetëm nëpërmjet çmimit të kredisë,(sot ,ne treg,dy mallrat me te shtrenjta jane :paraja dhe karburantet) por edhe nëpërmjet kushteve të tjera të zbatuara nga bankat në aktivitetin kreditues. Niveli i kredive të këqija vazhdon te mbetet i lartë,shqetesues dhe duhet të thellohet me tej marrja e masa rregullatore për reduktimin e tij.
5-Përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredive mbetet,gjithashtu detyrë e rëndësishme.

6-Trajtimin e kujdeshem dhe efektiv te Rezerves Valutore te detyrueshme te saj dhe investimin efikas te likujditeteve te sistemit bankar shqiptar brenda vendit ne dobi te stabilitetit financiar te vendit dhe zhvillimit ekonomik.

7-Nxitjen e metejshme te procesit të përfshirjes së subjekteve financiare jo-bankare në skemën e ASD në funksion të mirëfunksionimit dhe rritjes së performancës.

8-Përmirësimin e prodhimit dhe shërbimin statistikor duke investuar në pavarësi profesionale, burime njerëzore dhe infrastrukturë teknologjike.
9-Krijimin e premisave për rritjen e numrit të përdoruesve të parasë elektronike në Shqipëri, të përdoruesve të shërbimit e-banking dhe shtimin e operatorëve të skemës kombëtare të pagesave me kartë, si faktorë që ndikojnë ne uljen e informalitetit në ekonomi.
10-Krijimin e stimujve në mënyrë që bankat të jenë të interesuara të investojnë më shumë te kreditimi i ekonomisë reale sesa investimi në letra me vlerë të qeverisë në kushtet e një situate të kënaqshme të likuiditetit.
11-Nxitjen dhe mbeshtetjen e risive të paraqitura në kuadër të zgjerimit të gamës së produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara nga gjithë sistemi financiar.(shtimi i produkteve te reja bankare).

3 komente në “Vlerësime dhe sugjerime për raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2013”

  1. xhonson says:

    Vleresim i sakte dhe detyra konkrete nxitese per BANKEN E SHQIPERISE nga nje qeveri e pergjegjeshme!!!

  2. Sali QENI says:

    Vallahi jene knaqe krejt me kete analize te thelle! O Tasi! O Figure!Kaq analize e thelle sa duhet te perkthehet per Z. Dragi. Po si O Tasi “Te nxise investimet; sate ke te mundesi” “Te nxise kredine; sa te kete mundesi”. Ha! ha! ha!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje