Cani: Kemi shlyer 200 milionë dollarë borxhe ndaj biznesit. Veliaj. Të vendosur për sigurinë në punë

28 Prill 2014, 10:20Ekonomia TEMA

Ministri i Financave Shkëlqim Cani bëri të ditur shlyerjen e 200 milionë dollarë borxhe ndaj biznesit, nga 350 milionë  të planifikuara për të shlyer këtë vit, ndërsa në total janë për tu shlyer 720 milionë dollarë. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, ku fokusi ishte siguria në punë, ministri Cani vlerësoi se shlyerja e borxheve ndaj biznesit pritet të sjellë efekte pozitive në ekonomi.

“Rritja e besimit të biznesit lidhet detyrimisht me punësimin dhe kjo ishte arsyeja pse ne ishim të vendosur për të shlyer borxhet ndaj bizesit si hap të parë, në mënyrë që ai të na përgjigjet me më sumë volum pune, me më shumë investime dhe doemos me ritjen e numrit të punësuarve”, theksoi ministri Cani.

Ai informoi se janë një sërë p/ligjesh dhe kodesh për ti hedhur në paketën ligjore që nisin nga zbatimi kryesisht në janar të 2015-ës që synojnë përmirësimin e marrëdhënies administratë-biznes.

“Kur këto marrëdhënie janë të mira biznesit natyrisht i shtohet dëshira për investim duke sjellë rritje të punësimit si dhe të të ardhurave në buxhet”, tha Cani.

Duke folur për rëndësinë e sigurisë në punë, ministri Cani u ndal te minatorët e Bulqizës, ku si deputet i zonës theksoi se mbetet problem çëshja e kostos së zbatimit të masës së sigurisë në punë.

“Mesa duket mbetet problem kostoja e zbatimit të masave të sigurisë për biznesin por edhe për buxhetin”, tha ai.

Sipas tij. mbi bazën e kostos por edhe jashtë saj është vendosmëria për të zbatuar në praktikë këto masa.

Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj vuri në dukje se promovimi i sigurisë dhe shëndetit në punë, për kushte më të mira dhe mbrojtjen e punësuarve, luan një rol jetik në rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit në ndërmarrje dhe kontribuon në sistemet e mbrojtjes sociale, sepse rezulton në reduktim kostosh për aksidentet, incidentet dhe sëmundjet në punë, por njëkohësisht rrit motivimin e mirëqenien e punonjësve.

“Për ne punësimi është i rëndësishëm, megjithatë nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Por, edhe pse kushtet e punës në Shqipëri kanë pasur një përmirësim të ndjeshëm, ne nuk mund të jemi të kënaqur me nivelin e arritur”, nënvizoi  Veliaj.

Sipas tij, ende nuk ka një angazhim si duhet për zbatueshmërinë e dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë, jo vetëm nga punëdhënësit, por edhe punëmarrësit. Ai tha se në kuadër të strategjisë së Punësimit dhe Aftësive 2014-2020, në bashkëpunim me Projektin IPA ILO – BE-së, po hartohet Dokumenti i Politikave Strategjike Kombëtare për Sigurinë dhe Shëndetin 2014-2020 dhe Plani i Veprimit. Qëllimet kryesore të strategjisë janë: Forcimi i kulturës së sigurisë dhe shëndetit në punë; përmirësimi i kushteve të punës dhe ulja e numrit dhe shkallës të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale.

“Siguria parandaluese dhe kultura shëndetësore nuk është e lehtë të arrihet menjëherë në të gjithë sektorët e punësimit në rang kombëtar, ndaj duhet të fokusohemi në realizimin e programeve specifike të sigurisë dhe shëndetit apo fushatave ndërgjegjësuese”, u shpreh ministri Veliaj.

Ndërkohë, Drejtor i Inspektoriatit Shtetërorë të Punësimit Dritan Ylli, tha se “përfaqësuesit e sipërmarrjes private janë partnerë shumë të rëndësishëm në arritjet e objektivave tona”. Sipas tij, ndryshimet e bëra kanë për qëllim “shkurtimin e proçedurave burokratike, shkurtimin e kohës, zhvillimin e dialogut social , ndërmjetësimin e konflikteve të punës në nivel qëndror rajonal dhe deri në nivel ndërrmarrjeje”. Ylli u shpreh se “aktualisht funksionon një grup pune i ngritur pranë Drejtorisë Qëndrore, për trajtimin me seriozitet të çdo ankese që vjen nga punëmarrësit dhe nga punëdhënësit.

Në takim ishin të pranishëm, Erion Veliaj- Ministri i Mireqenies Sociale dhe Rinise- Erion Veliaj, Shkëlqim Cani , Ministër i Financave, Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, Lindita Nikolla, Ministër i Arsimit dhe Sportit, Nasip Naço, Ministër i Drejtësisë, Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Eglantina Gjermeni, Ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje