Hasi: I lumtur që nuk jam përballë zgjedhjes mes Shqipërisë dhe Kosovës

2 Maj 2014, 13:51Sport TEMA

Vendimi i FIFA-s për të lejuar Kosovën që të zhvillojë ndeshje miqësore ka vënë në një situatë të sikletshme shumë prej futbollistëve të kombëtares shqiptare që janë me origjinë nga Kosova.

Të gjithë tashmë janë duke menduar se si do të veprojnë kur Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota të FIFA-s.

Një prej lojtarëve të parë dhe më të rëndësishëm kosovarë që ka luajtur për Shqipërinë, Besnik Hasi, i cili tashmë është trajneri i Anderleht, shprehet i lumtur që nuk është përballë kësaj zgjedhje të vështirë.

“Jam shumë i lumtur që nuk kam nevojë të bëj zgjedhje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kur ndahemi në dy pjesë ndoshta nuk jemi aq të fortë. Është një vendim shumë i vështirë dhe unë shpresoj që çdokush të ketë mirëkuptimin për çdo vendim që do të marrin këta çuna sepse nuk është e lehtë”, shprehet Hasi.

Në vijim, Hasi shton se vendimi i marrë kohë më parë për të refuzuar stolin e Shqipërisë lidhej ngushtë me objektivat e tij për të ardhmen në stolin e skuadrës belge:

“Kam biseduar gjatë me presidentin Duka dhe ai ka qenë shumë korrekt me mua. Ndoshta ka qenë shumë herët që unë të bëhesha trajner i Shqipërisë. Ka qenë një vendim i vështirë, që e mora bashkë me presidentin e Anderleht. Unë shpresoj që rastin nuk e kam humbur përgjithmonë dhe dua që vendit tim t’i shërbej. Ndoshta do të vij edhe më i fortë”.

Në vijim të intervistës, Hasi zbulon emrin e një talenti shqiptar që stërvitet me skuadrën e Anderleht:

“Ka të rinj shqiptarë që luajnë me Anderleht. Është p.sh Andi Koshi që luan me U-13 dhe është një i ri shumë i talentuar. Ka katër vite këtu. Me siguri që një ditë do të luajë edhe me ekipin e parë të Anderleht”.

Sakaq, sipas Hasit, puna e bërë nga ana e trajnerit Xhani De Biazi në stolin e kombëtares shqiptare është kolosale:

“Kam respekt shumë të madh për De Biazin dhe është logjike që të vazhdojë kontrata e tij edhe për dy vite. Ka filluar eliminatoret shumë bukur, por në fund humbi disi vazhdimësinë . Ka krijuar një bazë të mirë për të ardhmen”.

Por si do t’i përgjigjej Hasi një telefonate të mundshme nga Federata e Futbollit të Kosovës në të ardhmen?

“Do të përgjigjem gjithmonë pozitivisht nëse Kosova më thërret, por ambicia ime është që të qëndroj sa më gjatë me Anderleht. Shpresoj që të në ardhmen do të krijojmë trajnerë të denjë për ta përfaqësuar vendin tonë”.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje