Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi dhe homologu i tij kosovar, Albert Bunjaku, një ditë pas takimit të tyre në një drekë pune, publikuan listat e përfaqësueseve respektive për miqësoret që do të zhvillohen në fund të majit dhe në fillim të qershorit.
Dhe, ajo që ra në sy në fakt ishte prania e Debatik Currit në të dyja listat. Mendimi i parë shkon për një përplasje mes dy trajnerëve, por në të vërtetë është një vendim i përbashkët i marrë në funksion të bashkëpunimit mes dy Federatave, ose më saktë konkretizimi me fakte i deklaratave të të dy trajnerëve pas takimit që zhvilluan mes tyre.
Debatik Curri është pjesë e Shqipërisë që nga viti 2006 dhe në 39 takime me bluzën kuqe ka shënuar një gol, atë në humbjen 2-1 me Holandën në eliminatoret e Euro 2008. Kontributi i tij në kombëtare është i padiskutueshëm, por në dy edicionet e fundit problemet me dëmtimet nuk e kanë lejuar të tregojë më të mirën e tij dhe për këtë arsye e ka humbur të paktën për momentin vendin në kombëtare.
Mirëpo De Biazi, duke iu referuar eksperiencës së tij, beson se ka ende për të dhënë për Shqipërinë, ndonëse i duhen minuta në këmbë për ta bindur italianin. 30-vjeçari duhet të japë prova pozitive në miqësoret e Kosovës me Turqinë dhe Senegalin, më 21 dhe 25 maj, për t’iu bashkuar më pas formacionit të De Biazit për përballjet me Rumaninë, Hungarinë dhe San Marinon, raporton Sport News.
Rasti i Currit është shembulli më i mirë se nëse ekziston vullneti, Shqipëria dhe Kosova, jo vetëm që nuk prishin punë, por mund të mbështeten tek njëra – tjetra në funksion të zhvillimit dhe objektivave të tyre. Për aq kohë sa Kosova nuk do të njihet nga institucionet europiane, ajo mund të shërbejë si fidanishte për kombëtaren kuqezi, që si objektiv parësor ka kualifikimin në Euro 2016, një arritje kjo që do të bënte të lumtur dhe krenarë të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
Kerkun nuk ka Problem vetem te shum komentues psikopata , kosova e shqiprija Jan dy shtete Shqiptare , ke e pengo kjo ?????????????????