Ekiper e Superiores, mes kaosit dhe paqartësive

22 Maj 2014, 15:51Sport TEMA

Me sezonin e përfunduar tashmë skuadrat shqiptare futen në vorbullën e kaosit të verës, pa një plan të menduar më parë, si për lëvizjet në merkato, por edhe për fillimin e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm. Me përjashtim të Skënderbeut, pjesa tjetër e skuadrave ka një të ardhme të paqartë ose gjysmë të programuar, raporton Sport News.

Kështu, Kukësi ka nën kontratë grupin e futbollistëve deri në përfundim të aventurës europiane, përgatitjet e të cilës do të nisin në një datë të pacaktuar. Nga burime brenda klubit mesohet që skuadra do të nisë fazën përgatitore në ditët e para të qershorit, por pa patur një datë të caktuar.

E njëjta situatë edhe me Laçin, skuadrën tjetër pjesëmarrëse në Europa League. Ndërkohë, Flamurtari ende po vazhdon festën e trofeut të fituar, Kupën e Shqipërisë, edhe pse për momentin po vendoset e ardhmja e klubit për mënyrën e administrimit. Sipas burimeve jo zyrtare, donatorët e ofruar kanë kërkuar të marrin në dorëzim klubin e futbollit, por edhe atë të basketbollit, duke nisur në letër dhe projektin për skuadrën e sezonit të ardhshëm.

Ende e paqartë është e ardhmja e Teutës, që duhet më së pari të vendosë për timonierin e ri dhe më pas konfigurimin e skuadrës, duke qënë se disa prej veteranëve mund të largohen.

Më e mirë duket situata tek Partizani, që së bashku me Apoloninë kanë vendosur piketat për sezonin e ardhshëm, duke pritur momentin për të përmirësuar më shumë ekipin që kanë në dispozicion. Të kuqtë janë ende pa trajner, por megjithatë administrata ka nisur punën me rinovimin e futbollistëve më të rëndësishëm të sezonit të kaluar.

Vijon kaotike situata tek dy prej klubeve më të vjetra në vend, Tirana dhe Vllaznia, pasi ende nuk dihet forma e menaxhimit të tyre në të ardhmen. Bizneset presin vendimet e këshilleve bashkiak të kryeqytetit dhe Shkodrës, ndërkohë që koha kalon dhe skuadrat rrezikojnë të përjetojnë të njëjtën situatë si ajo e vitit të kaluar. E paqartë mbetet edhe panorama e Elbasanit, që sezonin e ardhshëm do të gëzojë stadiumin më të mirë në vend.

1 komente në “Ekiper e Superiores, mes kaosit dhe paqartësive”

  1. fieraku4u says:

    PO CFARE THONI MO AMAN, PO KU KA FUTBOLL ME SHQIPERIA. DHE NE AFRIKE ESHTE ME I BUKUR FUTBOLLI SE NE SHQIPERI.

    LEKE MBASE NUK KA NE AFRIKE PER FUTBOLLIN, POR AMAN LOZIN ME ZEMER.

    KURSE FUTBOLLISTET DHE KLUBET SHQIPTARE JAN KTHYER NE MERCENAR DHE SHITJE NDESHJESH LART E POSHT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje