Shpëtim Duro është trajneri i ri i Partizanit

24 Maj 2014, 16:00Sport TEMA

Shpëtim Duro është emëruar zyrtarisht trajner i Partizanit. 55-vjeçari ka lënë drejtimin e Shkëndijës së Tetovës, me të cilën arriti të kualifikohet në Ligën e Europës, dhe është rikthyer në shtëpi, në familjen e kuqe, së cilës i përket si futbollist dhe teknik. Presidenti Gaz Demi dhe Duro kanë arritur të shtunën marrëveshjen përkatëse, e cila e zyrtarizon trajnerin e njohur shqiptar në drejtimin e skuadrës së “demave të kuq” për 3 vitet e ardhshme, duke konfirmuar bisedimet e nisura prej disa ditësh, raporton Panorama Sport. Kësisoji, Shpëtim Duro merr përsipër drejtimin e 15 herë kampionëve të vendit dhe 15 herë fituesve të Kupës së Shqipërisë për herë të katërt me objektiva madhorë përpara, që kanë të bëjnë me fitimin e trofeve. Zyra e shtypit e Partizanit ka njoftuar se prezantimi i Shpëtim Duros në postin e trainerit do të bëhet ditën e hënë, në orën 11:00, në ambjentet e klubit.

Ikën nga Shkëndija

Shpëtim Duro ka preferuar ngjyrat e skuadrës së zemrës, duke mos e vijuar eksperiencën e tij të parë jashtë kufijve shtetërorë, në Maqedoni, në krye të një skuadre shqiptare, sikurse është Shkëndija e Tetovës. Prej datës 25 nëntor 2013, ai e drejtoi këtë skuadër në mënyrë të suksesshme, duke e nxjerrë nga fundi i renditjes dhe mbyllur kampionatin në vendin e katërt, si pjesëmarrës në Ligën e Europës. Falë mbështetjes financiare të presidentit Lazim Destani, ai gjeti një mjedis profesional pune, cka i dha mundësinë të tregonte vlerat edhe në kampionatin maqedonas. Krerët e klubit nga Tetova dëshironin ta mbanin trajnerin nga kryeqyteti i Shqipërisë, për ta vijuar punën edhe në përfaqësimin europian, por Duro u tundua nga oferta e Partizanit dhe vendosi të ishte më pranë familjes, sërish pjesë e futbollit shqiptar.
Shpëtim Duro ka qenë futbollist i Partizanit. Në rolin e trajnerit ka provuar të drejtojë disa skuadra, duke fituar edhe trofe. Veç Partizanit, Duro ka bërë edhe trajnerin e Besës, Skënderbeut, Vllaznisë dhe Shkëndijës së Tetovës. Ai ka qenë për njëfarë kohe edhe trajner i kombëtares U-17 të Shqipërisë, por edhe ndihmës i kroatit Oto Baric, gjatë periudhës që “Oto Maximale” drejtoi kuqezinjtë.

Shkarkimi nga Partizani

Duro bën rikthimin e radhës te të kuqtë. Ai u shkarkua nga posti i trajnerit të Partizanit më 3 mars të vitit të shkuar, pas humbjes minimale në Pukë, me Tërbunin, kur luanin në Kategorinë e Parë. Asokohe, president ishte Lulzim Sallaku. Ai vendosi ta largojë Duron dhe në vend të tij të afrojë Hasan Likën, i cili e vijoi detyrën deri në derbin e humbur me Tiranën, kur u detyrua “ta hapte krahun” për portugezin Marcio Sampaio. Në fakt, herën e fundit si trajner i të kuqve, aventura e Duros kishte zgjatur vetëm katër javë. Tekniku, i cili ishte rikthyer me shumë bujë në radhët e të kuqve, u shkarkua shpejt nga ish-presidenti Lulëzim Sallaku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje