Kreu i Gjykatës Kushtetuese: Prekja e Kushtetutës nuk është tabù

6 Qershor 2014, 19:59Politika TEMA

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, në një intervistë për Top Channel, thotë se për të luftuar korrupsionin duhet, së pari vullnet dhe bashkëveprim, por edhe përsosje të mekanizmave, që duhet ta kontrollojnë, kapin dhe ndëshkojnë këtë fenomen në gjyqësor.

“Korrupsioni është një fenomen shumë i dëmshëm për shoqërinë, në çdo shoqëri demokratike. Sa më i madh të jetë, aq më i dëmshëm është për qytetarët dhe ndikon në mosfunksionimin e shtetit dhe të institucioneve. Natyrisht që, Shqipëria i ka të gjithë mekanizmat e nevojshëm dhe të mundshëm për luftimin e korrupsionit, duke filluar që nga mekanizmat e vëzhgimit, përfshi atë publik, qoftë mekanizmat e kontrollit, qoftë dhe mekanizmat e hetimit, gjykimit, gjurmimit. Të gjitha këto janë mekanizma, që janë në dorë të institucioneve shtetërore për ta luftuar korrupsionin. Sigurisht që korrupsioni në institucionet e drejtësisë është shumë i dëmshëm, sepse vë në dyshim dhënien e drejtësisë dhe të drejtat e liritë e qytetarëve. Gjithashtu, vë në dyshim edhe funskionimin e shtetit. Por, shteti duhet të bëjë përpjekjet maksimale, që ky fenomen të jetë sa më i ulët dhe i pandjeshëm. Unë, natyrisht, nuk mund të flas se çfarë nuk shkon, por këto mekanizma duhet të jenë bashkëveprues dhe duhet të ketë vullnet për ta luftuar atë. Natyrisht që, mekanizmat nuk janë të përsosur dhe gjithmonë ka nevojë për ndryshime dhe përmirësime. Duhet që mekanizmat të përsosen dhe perceptimi për korrupsionin të bjerë, në mënyrë që edhe shteti i së drejtës të marrë vlerësimin që i takon”, tha Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Pak ditë pas hapjes së debatit dhe diskutimeve për rishikimin e Kushtetutës, zoti Dedja shprehet se nuk është tabù prekja e saj.

“E rëndësishme është që aty, ku do të ndërhyhet, të jetë shumë e studiuar, me qëllim që të mos ndërlikosh situatat, në vend që t’i rregullosh, dhe së dyti t’i shërbejë forcimit të shtetit të së drejtës. Pavarësisht se është ligji themeltar i shtetit, nuk është tabù, që të preket Kushtetuta, por prekja e saj duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme, shumë e studiuar dhe, sidomos, të përfshijë komunitetin e juristëve dhe të grupeve të interesit, specialistëve jashtë grupit të interesave, dhe t’i shërbejë një qëllimi madhor”, vijoi më tej zoti Dedja.

 

Në 20-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, ju keni konstatuar se politika, gjithmonë e më shumë, po e përdor Gjykatën Kushetuese, sa herë ajo ka konflikte mes kampeve. A vijon të ndodhë e njëjta gjë?

“Konfliktet politike shndërrohen në konflikte juridike, të cilat vijnë edhe zgjidhen pranë Gjykatës Kushtetuese. Nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese, që të kënaqë palët, por të bëjë drejtësi, pavarësisht se kush është pala, pavarësisht se kujt i bëhet qejfi dhe kujt i ngelet hatri. Gjykata Kushtetuese ka si mision të saj ruajtjen dhe mbajtjen e Kushtetutës, ndarjen dhe balancimin e pushteteve, forcimin e shtetit ligjor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Nuk lidhet me politikën, se kush është sot, apo kush do të vijë nesër. Nuk i shërben momentit, por perspektivës, sepse vendimet e saj, jo vetëm që japin një vlerësim të një rasti konkret, por vlerësojnë edhe impaktin që japin në shoqëri dhe në forcimin e ruajtjen e demokracisë. Njëkohësisht, prek edhe ato elementë, që kanë të bëjnë me politikën e shtetit. Për shembull, po them ‘Marrëveshja e Detit’, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, që kishte të bënte, në fund të fundit, me një çështje politike të shtetit tonë. Pra, është një shpjegim, studim e vendim kompleks, në vendimmarrjen e saj, që nuk ndikohet nga politika, pavarësisht pakënaqësive apo etiketimeve, që mund të bëhen në politikë nga palët. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe respekton vetëm aktet e detyrueshme për të”./TCH

6 komente në “Kreu i Gjykatës Kushtetuese: Prekja e Kushtetutës nuk është tabù”

  1. egla says:

    Ore kete te marrveshjes se detit a u mbyll?
    http://bit.ly/1io2fYb

    1. Sokrati says:

      Nuk mund te beje ndryshime ne KUSHTETUTE ajo force qe nga gjykata juaj i jane rrezuar shume vendime.

  2. Treviso says:

    Drejtesia shqiptare eshte me nje vit drite larg popullit. Jo vetem kaq,
    por interesi i drejtesise vazhdon te ruaj po ate distance me popullin. Se ku e gjejne kete force nuk don shum mend per ta kuptuar.

  3. xhema says:

    ore po ky sikur eshte emeruar nga hena haron qe eshte emeruar nga politika dhe me njehere u depolitizua dhe flet sikur as ka lindur ketu e shkolluar dhe punuar ne sherbim te politikes

  4. Bobe says:

    ca shikimi…

    ky do kete qene me patjeter ndonje kriminel ne kohen e diktatures komuniste

    sot e kemi mbi krye dhe ky do na beje reformen e drejtesise?

    keta lloj robsh, gjakpires te kombit duhen shfarosur… jo te flasin sorra si ky dhe Tak Braho per drejtesi…

    zorraxhinj!

    1. Martin says:

      E kam njohur shume kohe para.E kam njohur si njeri model dhe me vyrtyte.Nuk me besohet te kete ndryshuar Bashkim Dede.I uroj pune te mbare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje