Një Shqipëri, që jeton më mirë, ku dëshira për të lënë vendin nuk është zbehur, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë po përqendrohet në Durrës e Tiranë. Por dhe një Shqipëri që po plaket, me implikime të mëdha mbi kërkesën dhe ofertën e shërbimeve sipas moshave, si p.sh. arsimimi, shëndeti dhe komponentë të tjerë dhe sidomos në skemën e pensioneve, e cila edhe sot është e paqëndrueshme. Këto janë ndryshimet kryesore të vendit në dekadën e fundit…
….Së fundmi, INSTAT në bashkëpunim me ekspertët e Asistencës Teknike të BE‐së, ekspertët e Universitetit të Gjenevës dhe Neuchatel si dhe Institutin e Kërkimeve Urbane, për herë të parë në historinë e Censuseve në Shqipëri ka kryer vlerësimin e cilësisë së të dhënave si dhe vlerësimi i mbulimit të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Kjo paketë e plotë e 11 studimeve analitike, përbën një risi për Shqipërinë për nga metodat shkencore të përdorura në analizimin e të dhënave si dhe të teknologjisë së përpunimit dhe komunikimit të tyre. Ato shërbejnë për të kuptuar sesi ka ndryshuar gjendja e Shqipërisë nga pikëpamja demografike, gjeografike, ekonomike e shoqërore në harkun kohor 2001-2011.
Në një intervistë për Monitor, drejtori i INSTAT, z.Gjergj Filipi flet lidhur me risitë e Censusit dhe analizon disa nga gjetjet kryesore të tij.
Nga rezultatet e Censusit, papunësia doli 29.3%, në raport me rreth 16% që ishte deklaruar nga INSTAT. Ku qëndron ndryshimi dhe cilat do të përdoren si të dhëna zyrtare?
Ka disa faktorë të mundshëm që mund të shpjegojnë ndryshimin mes shkallës së papunësisë matur bazuar në të dhënat e Censusit 2011 dhe shkallës së papunësisë, sipas të dhënave të anketës së forcave të punës.
Së pari, ndryshimet mes tyre janë të lidhura kryesisht me periudhën e referencës, si dhe me kategoritë e përgjigjeve të pyetjeve që përmbajnë pyetësorët. Java e referencës në Censusin e popullsisë ishte një javë kalendarike fikse para datës së momentit të Censusit. Rrjedhimisht Censusi i vitit 2011 jep vetëm një foto të statusit të atëhershëm të aktivitetit ekonomik të individëve 15 vjeç e lart në atë javë reference fikse të specifikuar (24-30 shtator 2011). Ndërsa, anketa e forcave të punës siguron informacion për statusin aktual dhe atë të zakonshëm të aktivitetit ekonomik të individëve, dhe për më tepër, ajo ka një shpërndarje uniforme të javës së referencës, e cila ndryshon sipas datës së intervistës, pra është dinamike.
Së dyti, sa u përket pyetësorëve, në pyetësorin e Censusit të vitit 2011, kishte një numër të kufizuar pyetjesh për matjen e punësimit. Pyetësori i anketës së forcave të punës përmban 130 pyetje të cilat japin avantazhin për të bërë kontrolle të kryqëzuara.
Për më tepër, pyetja për punësimin në pyetësorin e Censusit të vitit 2011 ka katër kategori përgjigje, ndërsa pyetësori i anketës ka pesë. Si rrjedhojë, dy faktorë të tjerë që shpjegojnë këto diferenca janë: prodhimi për vetëkonsum në bujqësi dhe punësimi informal në sektorët e tjerë të ekonomisë.
Pra ajo çfarë ka dhënë ndikimin më të madh në shifrën e shkallës së papunësisë nuk është numri i të papunëve, por ndryshimi i madh në numrin e të punësuarve. Kjo sjell rritjen e shkallës së papunësisë pasi emëruesi (forca e punës) në formulën e llogaritjes së këtij treguesi ulet. Shifrat e ndryshme në punësimin gjithsej kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi shkallën e papunësisë. Për rrjedhojë, shkalla e papunësisë nga Censusi i popullsisë është konsiderueshëm më e lartë sesa shkalla e papunësisë nga anketa e forcave të punës.
Këto ndryshime ndërmjet treguesve të tregut të punës midis Censusit të popullsisë dhe rezultateve të anketës së forcave të punës janë tipike në shumë vende, dhe në disa prej tyre janë kryer analiza të veçanta për të kontrolluar shifrat dhe/ose për të shpjeguar diferencat. Për këto arsye, në vendet europiane, të dhënat e tregut të punës së përftuara nga censuset e popullsisë nuk përdoren si të dhëna zyrtare për shkallën e papunësisë apo të punësimit.
Sipas rezultateve të Censusit, “bazuar në projeksionet e popullsisë në vitin 2027, rritja natyrore mund të bëhet negative, pra numri i vdekjeve do të tejkalojë atë të lindjeve. Pas dhjetë vitesh, në 2024-n, sipas projeksioneve të popullsisë, prurjet e grupmoshës 15-19 vjeç në tregun e punës do të jenë më të vogla sesa daljet e grupmoshës 65-69 vjeç”. Çfarë implikimesh mund të ketë kjo në afatin e gjatë dhe çfarë masash rekomandoni që duhen marrë?
Këto janë disa prej gjetjeve kryesore të publikimit Projeksionet e Popullsisë 2011 – 2031, të cilat bazohen në hipotezat mbi komponentët kryesorë të popullsisë. Këto hipoteza u ndërtuan duke u bazuar fillimisht në një analizë të tendencave të popullsisë në të kaluarën, kombinuar me pritshmëritë rreth perspektivave të zhvillimit social-ekonomik të Shqipërisë.
Sipas skenarit të mesëm, pritet që pas vitit 2027, rritja natyrore e popullsisë do të bëhet negative, por sipas skenarit të rritjes së ulët të popullsisë, kjo mund të ndodhë më përpara, që prej vitit 2023, ndërkohë që sipas skenarit të rritjes së lartë të popullsisë ky fenomen mund të mos ndodhë gjatë gjithë periudhës së projeksioneve.
Sa i përket gjetjes së dytë, ajo vjen si rezultat i ndryshimeve në strukturën e popullsisë.
Një nga pasojat direkte e rënies së numrit të lindjeve është zvogëlimi i raportit të varësisë së të rinjve, i cili shpreh raportin e popullsisë nën 15 vjeç me popullsinë 15-65 vjeç. Nga ana tjetër, prurjet më të vogla në popullsinë e moshës 15-65 dhe daljet më të larta nga kjo grupmoshë pas vitit 2024, do të sjellin përshpejtim të rritjes së raportit të varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç). Si rrjedhim, në një të ardhme të afërt procesi i plakjes së popullsisë së Shqipërisë pritet të përshpejtohet.
Këto janë tendenca që kanë impakt shumë të lartë mbi kërkesën dhe ofertën e shërbimeve sipas moshave, si p.sh. arsimimi, shëndeti dhe komponentë të tjerë. Këto tendenca pritet të vazhdojnë, madje me ritme të përshpejtuara dhe duhet të merret në konsideratë balanca ndërmjet ofertës dhe kërkesës për shkolla, mësues, pensione, shtëpi për të moshuarit, institucione shëndetësore, personel mjekësor dhe shumë të tjera.
Cilat janë ndryshimet kryesore që ka gjetur Censusi në lidhje me standardet e jetesës së popullsisë në 10 vitet e fundit dhe çfarë ndryshimi ka midis dy censuseve në lidhje me treguesit kryesorë në këtë drejtim (makinat larëse, TV, makina, kondicioner, dekoder, panele diellore etj)?
Rezultatet e Censusit treguan se ndryshimet në standardin e jetesës së popullsisë në 10 vitet e fundit janë të mëdha dhe lidhen me furnizimin e përshtatshëm me ujë të rrjedhshëm dhe kanalizime.
Gjatë dekadës në fjalë, ka 40,7% më shumë banesa që kanë ujë të rrjedhshëm brenda banesës dhe 4 herë më pak banesa pa asnjë sistem të furnizimit me ujë.
Si rrjedhojë, më shumë se gjysma e banesave të banuara në Shqipëri kanë akses në të gjitha shërbimet: sistem furnizimi me ujë, tualet, banjë apo dush dhe vetëm 1,1% e banesave të banuara nuk kanë ndonjërin prej tyre.
Nga të dhënat e Censusit 2011, rezulton se ka 16,8% më shumë ndërtesa dhe 28,9% më shumë banesa sesa në vitin 2001. Gjithashtu, në vitin 2011, numri mesatar i banesave për ndërtesë është 1,7 kundrejt 1,5 që ishte në vitin 2001. Gjithashtu, nga të dhënat e Censusit 2011, rezulton se ka 4,3 herë më pak banesa pa asnjë lloj sistemi të furnizimit me ujë, ndërsa është rritur me 40,7% numri i banesave me furnizim me ujë brenda banesës. Familjet shqiptare kanë 2 herë më shumë makina larëse, 9,4 herë më shumë soba me mikrovalë, 8,5 herë më shumë kondicionerë, 14,2 herë më shumë kompjuterë dhe 3,1 herë më shumë makina sesa në matjen e Censusit të vitit 2001.
Një tjetër e dhënë interesante është se rezulton se vetëm 18,5% e familjeve shqiptare kanë dekoder, si dhe vetëm 2,7% e tyre kanë panel diellor dhe se vetëm 12,3% e familjeve shqiptare kanë shërbim interneti në banesë. Ndërkohë, rezulton se janë 86,8% e familjeve ku të paktën një anëtar zotëron telefon celular.
Lidhur me emigracionin e brendshëm dhe të jashtëm, cilat kanë qenë dukuritë kryesore në 10 vitet e fundit dhe cilat janë pritshmëritë në të ardhmen?
Gjatë dekadës 2001-2011, rreth 281.000 individë kanë ndryshuar qytetin/fshatin e vendbanimit të tyre të zakonshëm. Thuajse gjysma e këtyre emigrantëve të brendshëm janë vendosur në Qarkun e Tiranës. Si rezultat i këtyre lëvizjeve, rreth 13% e komuna/bashkive të vendit kanë humbur më shumë se gjysmën e popullsisë gjatë kësaj periudhe.
Tirana vazhdon të jetë qarku më i preferuar i migrantëve të brendshëm, ku lëvizjet drejt saj karakterizohen nga një devijim drejt komunave/bashkive pranë saj, duke qenë se destinacioni i dëshiruar është po aq i vështirë për të hyrë sa është edhe tërheqës.
Kryesisht lëvizjet e brendshme kanë karakter të drejtpërdrejtë, që do të thotë se migrantët e brendshëm tentojnë të ndryshojnë direkt qarkun e vendbanimit të zakonshëm sesa të kryejnë lëvizje të shumëfishta. Lëvizjet e brendshme në ndryshim nga lëvizjet jashtë vendit dominohen nga femrat.
Në të ardhmen, sipas Projeksioneve të Popullsisë 2011-2031, pritet që në shumicën e qarqeve, popullsia të zvogëlohet, përveç: Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Në këto qarqe, rritja e popullsisë pritet të nxitet nga migrimi i brendshëm neto pozitiv, si dhe nga emigrantët e kthyer në rastin e Vlorës. Nga ana tjetër, depopullimi më i lartë parashikohet për qarqet e Dibrës dhe Kukësit në Veri të vendit, si dhe për Qarkun e Gjirokastrës në Jug. Kjo rënie e popullsisë do të jetë rezultat direkt i balancës negative të migrimit të brendshëm.
Sa i përket migracionit ndërkombëtar, ai vazhdon të mbetet një forcë konstante në ndryshimin e popullsisë. Me anë të metodave indirekte, bazuar në të dhënat e Censusit, është mundësuar një vlerësim i numrit të emigrantëve shqiptarë gjatë periudhës 2001-2011, rreth 482.000 individë të larguar nga vendi, me një raport pothuajse të barabartë ndërmjet gjinive. Kjo balancë gjinore sugjeron se migrimi ndërkombëtar ka hyrë në një fazë të re, në të cilën migrimi për arsye familjare, ka fituar rëndësi pranë migrimit për arsye punësimi.
Projeksionet e Popullsisë për periudhën 2011-2031 parashikojnë një rritje të migracionit neto, megjithëse ai pritet të mbetet negativ gjatë gjithë periudhës.
Bazuar në të dhënat e Censusit 2011 dhe sipas përkufizimit statistikor europian, popullsia urbane e Shqipërisë është 58,2% ndërsa sipas përkufizimit ligjor shqiptar, me ndarjen e qytet/fshat, popullsia urbane rezulton të jetë 47,7%. A mund të na shpjegoni diferencën? Shqipëria duhet quajtur vend me popullsi më shumë rurale, apo urbane?
I pari është një klasifikim statistikor dhe i dyti administrativ.
Në Shqipëri, zonat urbane (qytetet), gjenden zakonisht në Bashki dhe zonat rurale (fshatrat) zakonisht në Komuna. Por, realiteti në terren është akoma më kompleks. Ne kemi 32 bashki ku kufijtë e tyre përputhen me ato të qytetit, 32 bashki ku brenda kufijve gjen edhe fshatra përveç qyteteve. Në 1 rast bashkia (Belsh) është e përbërë vetëm nga fshatra, pra e gjitha është zonë rurale. Si dhe 10 komuna, të cilat veç fshatrave, kanë në përbërje edhe qytete.
Për të bërë dallimin e popullsisë urbane dhe rurale sipas ndarjes qytet/fshat duhet që kufijtë e tyre të jenë të mirëpërcaktuar, gjë që në realitetin tonë, mungon. Ne kemi arritur në këtë rezultat jo për shkak të identifikimit të kufijve, por si rrjedhojë e vetëdeklarimit të individëve gjatë Censusit mbi vendbanimin e tyre.
Në këndvështrimin tonë, klasifikimi sipas përkufizimit statistikor europian ofron disa avantazhe.
Na ndihmon që të dhënat statistikore të bëhen të krahasueshme me vendet e tjera europiane.
Eliminon deformimet nga ndryshimi i madhësisë së sipërfaqes në rastin e klasifikimit të dendësisë së popullsisë në bazë të njësive vendore. Kjo sepse qelizat kanë të njëjtën madhësi.
Realisht, pavarësisht statusit administrativ, disa komuna klasifikohen si rurale, por që në të vërtetë, janë urbane. Nga ana tjetër, disa bashki klasifikohen si urbane, por në të vërtetë, janë rurale. Të gjithë jemi dëshmitarë që për shkak të lëvizjeve të brendshme të popullsisë, disa qytete (zona urbane) janë shpopulluar, kur disa fshatra, kryesisht në komuna rreth qyteteve kryesore, kanë tashmë një popullsi me karakteristika urbane.
Klasa politike shqiptare dhe planifikuesit urban duhet te alarmohen nga fakti se gjysma e popullsise shqiptare po perqendrohet ne nje rrip toke 30 kilometra. Ky eshte spontanitet me pasoja te renda ne cilesine e jeteses, zhvillimit te qendrueshem dhe me pasoja per sigurine kombetare dhe te ardhmen e tij.Eshte koha qe sherbimet duhet e vene tek qytetari, ne qendrat urbane dhe ne fshat me te thelle, dhe jo qytetari tek sherbimet e munguara.Planifikimi urban nuk ka asgje te perbashket me politikat shtrenguese te tipit te pasaportizimit te kohes komuniste, por edhe praktikat e stimulimit te zhvendosjes te 70-80 % te popullsise ne zona gjysem te urbanizuara eshte nje politike qe do te krijoje probleme sociale me te cilat zor se shoqeria dhe shteti shqiptar do te kene mundesi tu ofrojne zgjidhje afatgjata.
Komenti juaj nuk eshte aspak poltik. Eshte ekonomik dhe real. Kjo eshte gjuha e specialistit largpames.
eh,Edi çuni
po e çon
te dashurën tonë
Shqipëri
që ta marrë lumi
o Edi çuni Kristaqit!
Te drejte ke o lesh-terik,se e gjithe kjo katrahure urbane ndodhi keto 8 muaj qe po qeveris Edi.Kur do beheni njerez ju o shpellare.
O,leshterik! Vertet qenke me lesh ne tru,se car kuptimi kane ato fjale, vetem truri jot me leshterik mund ta deshifroj, o koqja i saliut.
Te kritikosh nje QELBESIRE nuk do te thote se do QELBESIREN tjeter!
Census leshi, që është “bërë”, nga zyrat, apo kafenetë ku rinin “të ngarkuarit”, sa për të marrë shpërblimin dhe plotësonin kuturu, ose “me njohje”, kartelat… P.sh. mua nuk më ka takuar njeri deri më sot, për “censusin” (jam kryefamiljar)…