Cani prezanton Kodin e ri Doganor në Kuvend/Procedura më të thjeshta për bizneset

18 Qershor 2014, 12:17Ekonomia TEMA

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nis shqyrtimin e projektligjit për Kodin e ri Doganor. Projektligji u prezantua nga ministri i Financave Shkëlqim Cani.

“Kodi i ri Doganor është diskutuar me grupet e interesit”, tha Cani ndërsa shpjegoi se ai qartëson procedurat për biznesin dhe administratën doganore.

“Koncepti i ri i Kodit që përfshin OEA-të (operatorët ekonomikë të autorizuar) është një avantazh për biznesin”, theskoi ministri.

Sipas tij, me Kodin e ri Doganor hiqet komunikimi me letër mes bizneseve dhe doganave, pasi tashmë ky komunikim bëhet online. Në vijim Cani sqaroi se bizneset do të plotësojnë një deklaratë doganore më të thjeshtë.

“Janë forcuar edhe disa nene që kontrollojnë mashtrimin”, tha Cani.

Kodi i ri doganor sjell unifikim të rregullave dhe praktikave, kalimi i një mjedisi doganor elektronik, pa letër, aplikimi i procedurave të thjeshtuara dhe operatorët ekonomikë të autorizuar, saktësimin e dispozitave mbi kohën dhe vendin ku lind një borxh doganor, me qëllim që të evitohen vështirësitë dhe zgjidhja juridike, mundësimi i përdorimit të një garancie të vetme globale për disa regjime dhe mbulimin e disa transaksioneve me një garanci të vetme, garantimi i çlirimit të shpejtë të mallrave, kur operatori ekonomik jep paraprakisht informacionet e nevojshme për kryerjen e kontrollit dhe analizën e rriskut. Pas miratimit të Kodit të Ri Doganor do të vijojë puna për projektaktet nënligjore për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor, të cilat do të shfuqizojnë vendimin “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, përgatitja dhe miratimi i të cilave është në varësi edhe të miratimit të dispozitave zbatuese të rregullores së re, nr.952/2013 nga BE-ja.

Objektivi parësor i administratës doganore është që dispozitat lidhur me operatorët ekonomikë të Autorizuar dhe thjeshtimet doganore të hynë në fuqi dhe të bëhen të zbatueshme më 1 janar 2015. Për realizimin e këtij objektivi do të nevojitet edhe marrja e disa masave tekniko – administrative për aplikimin nga ana e teknologjisë së informacionit të dispozitave të Kodit Doganor.

Administrata doganore aktualisht operon përmes sistemit të automatizuar të përpunimit të të dhënave, Asycuda World, i cili përmirëson jo vetëm punën e administratës doganore shqiptare, por sjell gjithashtu edhe lehtësi të procedurave doganore dhe nxitje për biznesin e sektorin privat. Sistemi është në gjendje të bëjë përpunimin automatik të deklaratave doganore, duke filluar nga hedhja e të dhënave dhe regjistrimi drejtpërsëdrejti në sistem nga vetë deklaruesi, duke vazhduar më tej me analizën e riskut, llogaritjen dhe vlerësimin e detyrimeve e duke përfunduar me kontabilizimin dhe pagesën e të gjitha detyrimeve doganore.
Nga pikëpamja procedurale, Kodi i ri Doganor parashikon gjithashtu ndryshime për rregullat për magazinimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së magazinimit deri në 90 ditë dhe mundësinë për të lëvizur mallrat nën magazinimin e përkohshëm pa procedura tranziti.

Projektligji është përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në kuadër të “Projektit të binjakëzimit, IPA 2008”, projekt, i cili synonte përafrimin e legjislacionit tonë doganor me atë të BE-së. Kodi i ri Doganor është konsideruar si një instrument, i cili do të rrisë sigurinë për importuesit dhe eksportuesit shqiptarë, njëkohësisht nisjen e një epoke transformimi, duke patur një qasje të re me biznesin, të cilin e quajti një partner strategjik.

4 komente në “Cani prezanton Kodin e ri Doganor në Kuvend/Procedura më të thjeshta për bizneset”

  1. lorena says:

    Ju lumte, ky eshte shtete qe mendon per zhvillimin e metejshem te biznesit dhe ekonomise ene vend.

    1. klaus says:

      Proiritet i qeverise krijimi i faciliteteve per biznesin

      1. axl says:

        Ketij i thuhet shtet.

  2. anonim says:

    Personalisht,absolutisht nuk kam besim cfare thone qeveritaret tane…duhet te jesh i krahut te tyre politik apo i perfshire nen ombrellen e tyre tutoriale qe te gezosh ate qe te takon me ligjin e shkruar…Gjithcka behet per t’i hedhur hi syve evropes dhe e gjitha kjo,jo per vokacionin tone europian por per te perfituar dicka me teper nga europa dhe si rrjedhoje politikanet te vjedhin me teper…Sali Berisha sakatoi ekonomine ndaj dhe humbi,Edvin Rama premtoi perteritje dhe na genjeu…ku eshte ekonomia formale,ku jane referencat ne dogana,ku eshte korrupsioni,po kontrabanda..!!?? u Mbyt shqiperia,shkodra,tirana durresi me vaj ushqimor kontrabande nga mali i zi,tregtaret falimentuan,edi rama mbylli telefonin,Crown Agents po marrin pjesen e tyre pa punuar…ja,kjo eshte rilindja,kjo eshte shqiperia europiane z.Cani…Ju do te aprovoni ligjin e ri por e keni te perfitoni vete dhe beniaminet tuaj…ju jeni si te mepareshmit…asgje nuk ka ndryshuar dhe nuk mund te ndryshoje ne shqiperi….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje