Leksione kosovare

18 Qershor 2014, 21:13Blog TEMA

Nga Skender Minxhozi

 

Që në Kosovë mbahen zgjedhje më të mira se në Shqipëri, kjo dihej prej kohësh. Kjo, duke rënë dakort qysh në krye të herës, që procesi i votimit të merret i ndarë nga takticizmi i aleancave që pasoi. Megjithë deformimet që pësuan disa prej proceseve elektorale të viteve të fundit (si pasojë direkte e influencës së kësaj ane të kufirit), asnjëherë kosovarët nuk mbajnë mend, në jetën e shkurtër të shtetit të tyre, që të kenë pasur, për shembull, votime si ato të 1996-ës në Shqipëri. Ose që të kenë dëshmuar, siç kemi bërë ne në mjaft raste, se i zgjasin me vite sherret për votat. Zgjedhjet e 8 qershorit në Kosovë, ku një traktor që shëtiste rrugëve të Prishtinë ishte ikona paqësore e asaj që po ndodhte ditën e votimit, qenë një tjetër shuplakë indirekte për politikanët kokoroçë të Tiranës. Të nesërmen e votimeve u shpallën rezultate deri edhe me presje dhjetore, partitë e mëdha festuan, të voglat rrudhën buzët, por vetëm kaq.

Ky është leksioni i parë kosovar. Por ka edhe leksione të tjera që zgjedhjet e Kosovës na dhanë, e nuk janë të gjitha po aq pozitive sa i pari. Nëse votat u hodhën dhe u numëruan në një mënyrë thuajse të pakontestueshme, s’mund të thuhet e njëjta gjë për lojën politike që po ndërtohet këto ditë mbi shifrat e 8 qershorit. Është thënë me të drejtë këto orë, se i vetmi motiv që arriti të motivojë një aleancë “gjithëpërfshirëse”, nuk qe dialogu problematik me Serbinë, gjendja ekonomike, integrimi, korrupsioni apo pakicat, por…Hashim Thaçi. Marrëveshja e nënshkruar nga Haradinaj, Mustafa, Kurti e Limaj, shënon një akt të pastër hakmarrjeje ndaj një lideri politik që shihet gjerësisht si i konsumuar dhe me tendenca arrogance ndaj miqve e kundërshtarëve. Është e paqartë sesi do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen e afërt, për shkak të një konflikti që tashmë po zhvillohet duke mbajtur në dorë nenet e kushtetutës. E sigurt është ndërkaq, se koalicioni i ri i formësuar rreth dëshirës për të hequr qafe kryeministri në detyrë, nuk është program qeverisjeje. Sidomos kur shihet sesa të distancuar janë aleatët e rinj mes tyre, për çeshtje të tilla delikate si dialogu me serbët dhe privatizimet.

Mësimi i tretë kosovar për zgjedhjet, duket se është ai i një niveli tjetër në përdorimin e gjuhës politike dhe përgjithësisht në kodin e komunikimit që përdor klasa politike kosovare. Megjithëse ndodheshin në një fushatë elektorale të ndezur dhe që prodhoi fragmentarizim të spektrit politik, partitë kosovare nuk i “afrohen” gjuhës banale e vulgare që prodhon çdo të enjte politika e Tiranës, në tempullin e saj më të lartë, Kuvendin e Shqipërisë. Ky komponent i jetës politike, duket esencial në marrëdhëniet mes palëve, pasi rrezaton më pas në të gjithë klimën që gjenerohet në jetën institucionale e sociale të vendit.

Së fundi, por jo më i parëndësishmi, është mësimi që na vjen nga thyerja përfundimtare e bipolarizmit politik në jetën politike të Kosovës. Përveç PDK e LDK, në skenë janë afishuar parti dhe lëvizje të reja, të cilat, përtej fragmentarizimit dhe kaosit aktual, kanë sjellë në jetën politike ide, fytyra dhe vizione të reja. E kjo s’mund të jetë veçse pozitive, në fund të rrugës. Mjafton të shohësh se ç’ka prodhuar bipolarizmi njëzet-vjeçar shqiptar, me përplasje e tensione të skajshme dhe figura politike që “nuk zbresin nga kali” për së gjalli, për të kuptuar se ajo që ndodh tani në Kosovë, është gjithsesi më pozitive sesa ajo që (nuk) ndodh në Tiranë. Edhe këtu ndoshta kemi diçka për të mësuar nga shqiptarët matanë kufirit shtetëror.

*Revista JAVA

6 komente në “Leksione kosovare”

  1. drutani says:

    Kjo eshte turp, si mundet dikush te krahasoj elektoratin dhe politikanet e Shqiperise me ata te Kosoves, Mendoj se politikanet dhe elektorati i Shqiperise jan me vite drite large nga ata Kosovare ose nuk ben te krahasohen.

    1. Teli says:

      Drutani. Kosova eshte model i civilizimit qytetrimit dhe emancipimit per ju te sapo dalurit nga koperativat

  2. MERITONI says:

    DRUTANI

    oj pele,dile pake edhe kshyre pake nga kosova,krejte po harron se ne kemi jetu ne nje perandori,ku emancipimi kulturor e ka pase kulmin.

    ti nuk mundesh me besu,se ne kosove ne vijat per kembesor, kembesori eshte mbret,te gjitha autot ndalen ne vende!
    ti nuk ke shanse me ndegju burit e automobilave,sikur te ju,ku si te qmendun nuk ndalen ter diten.

    paramendo ne vitin 2013,vetem 39 vrasje jan kon,te ju keto vrasje ndodhin per nji muaj!!

  3. kushtrimi says:

    mire e ka minxhozi por prape jemi vite larg demokracise ne europe.
    kur shikoj kreret e partive ne kosove nuk shpresoj shume ne ndryshime.
    thaci,mustafa e haradinaj duhet te ikin e leshojn rruge per kokat e reja. sa per shqiperi problemi eashte vetem tek sali Berisha.
    cdo gje rregullohet pasi te ike ai perfundimisht.

  4. Taulanti/Tirane says:

    Meriton,
    mbase e kam gabim por Drutani thoteqe Kosova eshte perara ne keto gjera.Megjithese nuk kuptohet qarte se thote”vite drite larg” qe mund te interpretohet ne te dy menyrat.

    C’a rendesie ka fundja?
    Ajo qe mua nuk me pelqen ne kete shkrim ,eshte titulli dhe perseritja e tij:”Leksione Kosovare”.
    Duhet “Leksione nge Kosova”
    Politikishte Kosova eshte goxha perpara(shembull me I thjeshte eshte gjuha ne parlament)

  5. meritoni says:

    taulanti

    jo more une shume mire e kam kuptu,ky po thot vite drite large,nuk po thot,vite drite mbrapa.

    tek e fundit nuk ka rendesi qka thot ky,por,me pengon menyra se si mundohen me i nenqmu kosovaret.
    kurre ne jeten e tyne sjane kon ne kosove,dhe menjehere japin konkluza bindse,pa kurrfare baze reale.

    une jame i vetedishem,se disa perparsi te kosovarve nuk jane merit e jona,por,dor kane edhe nderkombetaret,te cilet per 15 vite ne kosove kane jetu mbi 500 mije nderkombetare,normale ne menyre rotative.

    pastaj,kemi jetu se bashku me kroate,slloven,serbe,nga te cilet ne menyre te pa vetdishme kemi marre shume,por,disa mundohen ta mohojne,por,realiteti eshte ndryshe!!

    ne prishtin ne pallatin ku kame jetu une,kan qene 15 familje serbe,5 kroate,2 malazeze.
    ne femija vone e kemi marre vesh realitetin,te gjithe se bashku kemi lujte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje