Kunati teston partinë me kopertinën e RD

26 Qershor 2014, 20:54Antena TEMA

Kunati po pinte kafen e mëngjesit kur i sollën gazetat. Edhe pse ai s’para e lexon RD, sekretarja i vuri RD-në sipër gjithë gazetave.

-Do ketë ndonjë gjë me rëndësi, mendoi Kunati dhe e mori ta shfletonte. Çfarë të shikonte. Gjithë kopertina ishte Doktori në këmbë duke ecur, duke parë në horizont, ku dukej se projektohej vizioni i PD. Vetëm Doktori. Në cep të gazetës, lart në një kuadrat të vogël, ishte një foto e vogël si foto pasaporte dhe një titull që Luli kishte mbledhur aktivin e një dege.

U mërzit shumë. Si mund t’ia bënin këta të RD kryetarit të tyre këtë gjë?

Thirri përsëri sekretaren.

-Sa abonime RD vijnë në SHQUP, i tha.

-Nuk e di t’i numëroj, i tha ajo.

-Mirë, mblidhi pak të gjitha dhe m’i sill mua këtu, tha Kunati.

Pas pak sekretarja erdhi me dhjetë copë RD. Kunati i palosi dhe i futi në sirtare tek zyra e tij.

U kujtua që e njëjta gjë duhet të bëhej dhe në Bashki. Mori “Tezen” dhe i tha të mblidhte gjithë gazetat RD të ditës që kishin ardhur në Bashki dhe t’i linte tek sirtari i tij.

-E kam kollaj, i tha tezja se këtu janë tek zyra ime, nuk i lexon njeri.

-Të paktën nuk do ta shikojë Luli, tha. Se ai mërzitet shumë.

Pas kësaj, Kunati u qetësua. Tani duhet të verifikoj se kush e kërkon RD për ta lexuar, tha me vete.

Kush kërkon të lexojë RD, është kundër Lulit.

Kështu shkoi tek zyra e tij dhe porositi sekretaren t’i raportonte nëse ndonjë nga abonentët do kërkonte RD.

Pas 5 minutash, sekretarja bëri telefon.

-Shef, është Flamuri, thotë më mungon RD tek gazetat.

-Thuaj që s’ka ardhë sot se është shitur shumë, i tha Kunati.

-I thashë, tha sekretarja, po ky më thotë shko ma gje, blije po deshe.

-I thuaj nuk lëviz dot nga puna dhe mos ia zgjat, i tha Kunati nervoz.

Shënoi në bllok emrin e Flamurit.

-Këtë e dija që nuk e donte Lulin, por qenka i vendosur, tha. Do ta shikoj doemos të poshtëruar. Të presim kush do vijë tjetër…

Pa Ristanin që kaloi para zyrës së tij dhe mori gazetat. Priti telefon nga sekretarja, por nuk bëri.

-Ky qenka me Lulin, tha. Kishte shumë kuriozitet për të dhe donte ta dinte me kë ishte vërtet. Nga kurioziteti i telefonoi vetë sekretares.

-I mori Ristani gazetat, e pyeti.

-I mori, tha sekretarja.

-Tha gjë për RD?

-Jo ndonjë gjë të veçantë tha Sekretarja. Tha vetëm që RD ka lezet se ka vetëm një foto, kurse këto kanë shumë shkrime, të lodhin.

-Po nuk e kërkoi me ngulm, tha Kunati.

-Jo, jo, ai me ngulm kërkon vetëm Bluetooth-in dhe këto suplementet rozë, i tha sekretarja.

-Djalë i mirë, mendoi me vete Kunati.

Pastaj kaloi Aldo. Mori gazetat pa bërë zë dhe shkoi në zyrë. Kunati priste reagim, por nuk pati.

-E dija që është me Lulin, tha Kunati me veten. Ja, e tregoi veten.

Fiks kur po mendonte këtë, Aldo pyet sekretaren.

-U gëzova shumë sot se ishte shitë RD që në mëngjes, më tha Flamuri, ngaqë kishte në foto kopertinë kryetarin.

-S’e kam parë, tha sekretarja e zënë ngushtë.

Ndërkohë vjen Ed Halimi dhe e dëgjon dialogun e Aldos.

-Ça ka bë vaki, është shitë RD, tha.

-Po, i tha Aldo.

-Hajt ishalla bëjnë noj lek ata çunat, tha dhe iku.

-Desha vetëm të korrigjoj, i tha sekretarja Aldos. Nuk ka pasë në kopertinë foton e kryetarit, po të Doktorit gjithë faqen.

-Po pra, tha Aldo, atë thashë dhe unë.

-Po se kryetar është Luli me sa di unë, tha sekretarja.

-Aha, po, po, tha Aldo, e di. Po ja, na është bërë zakon.

2 komente në “Kunati teston partinë me kopertinën e RD”

  1. Eri says:

    E forte, sidomos me Ristanin.

  2. Davidi says:

    Jo Ed Halimi por Ed Ha Lim, ministri kinez i doktorit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje