Incidentet e sotme te Kunatit në seli me Doktorin

25 Qershor 2014, 20:55Antena TEMA

Kunatit i ndodhi prapë gjëma sot. Fare papritur e njoftuan se Doktori po vjen tek selia e PD dhe ai ishte në zyrë. Doli tek korridori i madh dhe pa nga dritaret se po hynte. Do ishte e tmerrshme t’i shfaqej para me aq shumë fjalë sa ishin hapur. I ra shkurt dhe hyri tek tualeti në krah të zyrës që shpresonte se do hynte Doktori.

Siguroi derën fort që mos hynte njeri dhe priti sa u vendos qetësia.

Pas dhjetë minutash, gjithçka ra në qetësi. Gazetaret e vogla kishin zënë vendet, ndërsa Doktori filloi të fliste. Kunati hapi derën dhe në majë të gishtave u nis drejt zyrës së tij.

Por befas e ndaloi roja.

-Nuk lejohet të kalojë njeri këtej, i tha.

-E di, i tha Kunati, po sa të marr një gjë në zyrë.

-Të lutem, i tha roja, kemi urdhër. Na tha ai burri, nuk dua njeri në gjithë katin.

Kështu që Kunati u detyrua të rrijë të dëgjojë konferencën pas derës së Doktorit.

Luli po i kërkonte me mesazhe t’ia dërgonte sms online ato që thoshte Doktori.

Kunati u përqendrua dhe po përpiqej të kuptonte.

 

“Ishin vetëm për vetëm me Merkelin. Merkeli u ul në karrige, kurse ky nuk ulej se ishte i gjatë. I ra me shkelm karriges Merkelit dhe i tha ‘ç’i keni këto dreq karrige, sikur i keni bërë tek Misto Mame’. ‘Na fal,’ i tha Merkeli, ‘ja do vijë një tjetër’. Nejse, ia solli karrigen dhe filluan bisedën. Miqtë e mi, ishin vetëm për vetëm dhe a e dini çfarë u tha? Ua them unë çfarë u tha, se ishin vetëm për vetëm. Ky i tha, kam problem me atë Sali Berishën, nuk di si t’ia bëj atij. Po a e dini çfarë i tha Merkel? Mos guxo ta prekësh. Është një udhëheqës që ka pasë sytë gjithë Evropa tek ai, tek djali i tij, tek vajza e tij, tek gruaja e tij, janë një familje, e cila ka pasë gjithë vëmendjen tonë. Nuk ke çfarë i bën. A e dini ç’bëri ky? Ua them unë ç’bëri ky. Ky i tha ‘ti halla Merkel paske pjerdhur’ dhe u çua. Merkeli në fakt i qëndroi. I tha ‘ulu ta bisedojmë shtruar’. ‘Shiko,’ i tha, ‘statusin do ta japim se kemi folë me Doktorin, por pas kësaj duhet t’i hapësh rrugë kthimit të tij në pushtet. Ndryshe ua anulojmë prapë’. Ky u nxi në fytyrë, doli jashtë dhe tha: ‘Merkeli më tha hiq Gjin Gjonin’. E kaloi nga unë, tek Gjin Gjoni. I tillë është ai. Me të meta psiqike…”

 

Këto ia përcolli Kunati Lulit me sms.

Luli, i shqetësuar, i kthen përgjigje.

-Mos më shkruaj fjali të tilla në fund të tekstit se përgjohen. Ke shkruar që ai është me të meta psiqike. E dijmë, po mos e shkruaj.

-Jo, e ka thënë Doktori për Ramën, tha Kunati.

-Aha, thashë se kishe dhënë mendimin tënd, tha Luli. Po tjetër çfarë tha?

-Foli për takimin e Ramës me Fylen. Dhe ky vetëm për vetëm. Ishin ata të dy. I kishte thënë Fylja, ulu dhe më thuaj çfarë do nga unë. Ky shkruante sms, nuk i fliste. Ore do flasësh ti zotëri, i tha Fylja, se për çfarë ke ardhur këtu.

-Po ik o ç’punë kam me ty unë, i tha Rama. Unë kam folë me hallë Merkelin.

-Po mirë, më jep ca pika që duhen marrë si angazhime, i tha Fylja. Ia dha ky. I lexoi Fylja, çfarë të lexonte. Çfarë kishte shkruar do thoni ju? Ua them ç’kishte shkruar. I kishte kërkuar si pikë të parë, të mos preken baronët e drogës. Kishte vënë në kllapa emrin e Fatmir Xhafës.

-Se ku e kam dëgjuar këtë emër, i tha Fylja. Natyrisht e kishte dëgjuar se është baroni më i madh i drogës në Evropë.

-Keni qenë sekretarë rinie të dy, i tha Rama, me siguri njiheni që atëhere.

Po Fylja nuk e hëngri.

-Jo, prit këtu, i tha. Ku e kam dëgjuar këtë emër.

-A ç’më çan trapin, i tha ky dhe u çua. Atëherë Fylja, se tani o zotëri Fylja është njeri serioz, i tha, mirë, dakord, mos ma thuaj ku e njoh, por pse do t’i mbrosh baronët e drogës.

-Na duhet patjetër, i tha. Tani që iku Lazarati, na duhen baronët se ndryshe do ngelemi pa bukë.

-A, po të jetë kështu, i tha Fylja, do flasim.

Ja zotëri, këto gjëra bëri në Bruksel dhe në Evropë ky njeri që na nxiu faqen. Çfarë t’u them unë më ju.

-Doktor, kam një pyetje, tha një gazetare e re. Ju thatë që ishin vetëm për vetëm, si e morët vesh?

-Ahahahaha, nuk e di ti. Ta them unë ty. I përsërit me vete këto në zyrë, unë i kam vënë atje përgjuesa dhe i dëgjoj çdo natë. Kënaqem me këto gjëra. Gjithë natën kënaqem duke dëgjuar çfarë thotë ai. Dëgjomni mue.

4 komente në “Incidentet e sotme te Kunatit në seli me Doktorin”

  1. Elvana says:

    O sa kam qeesh o Mero,je*****.je i papare

  2. Korabi says:

    Ai njeri eshte rende, i duhet bere nje dhome te psikiatriku i elbasanit.

  3. Amin says:

    O Mero o katil, e bere debil ate rezil

    1. Arturi says:

      … ose…
      E bere rezil, ate debil ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje