Portugalia mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, sikundër të dyja vendet duhet të shtojnë bashkëpunimin jo vetëm në nivel parlamentar, por edhe në kuadër të platformave rajonale. Kështu u shpreh Presidentja e Asamblesë së Republikës së Portugalisë Maria da Assunção Esteves gjatë takimit të zhvilluar në Lisbonë me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.
Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dypalëshe, mbështetjen reciproke në nivel ndërkombëtar si dhe mirëkuptimin dhe miqësinë tradicionale që ekziston mes dy vendeve dhe dy popujve. Esteves u shpreh se Portugalia dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë më ngushtë në funksion të forcimit të vlerave humane dhe demokratike evropiane, duke theksuar se vizita e Meta në Lisbonë është një shtysë për intensifikimin konkret të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Pasi shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë, në drejtim të anëtarësimit në NATO, liberalizimit të regjimit të vizave të hapësirës Schengen për qytetarët shqiptarë dhe së fundmi për miratimin e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, Meta vuri në dukje se dy parlamentet kanë një peshë të veçantë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në këtë kuadër ai nënvizoi se rritja e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve i shërben jo vetëm stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit, por edhe progresit social dhe ekonomik të pellgut mesdhetar. Meta vlerësoi gjithashtu edhe mbështetjen që Portugalia i jep Kosovës, duke theksuar se ky është një kontribut i vyer për paqen dhe progresin e rajonit të Ballkanit. Dy homologët diskutuan më tej mbi zhvillimet e fundit në Bashkimin Evropian dhe në rajonet fqinje të Unionit, duke vënë në dukje se përhapja dhe konsolidimi i vlerave humane e demokratike evropiane, i shërbejnë rritjes së sigurisë dhe stabilitetit të të gjithë kontinentit.
Krylopa po i kalon mire pushimet verore.