“21 janari”/ Pas tre vitesh, hetimi vazhdon

19 Korrik 2014, 17:49Kronika TEMA

Tre vjet e gjysmë nga 21 janari 2011, ku mbeten të vrarë katër protestues të opozitës, prokuroria nuk i ka përfunduar ende hetimeve për të zbardhur ngjarjen.

Pa autor ka mbetur vrasja e protestuesit Aleks Nika, si dhe dhuna ndaj 116 protestuesve menjëherë pas protestës.

Me urdhër të kryeprokurorit Adriatuk Llalla, për këto dy episode të dosjes voluminoze, që prej 4 dhjetorit të vitit të kaluar kanë rinisur hetimet, për të cilat është ngritur një grup hetimor me 6 prokurorë.

Zbardhja e vrasjes së protestuesit Aleks Nika, sipas hetuesve është e vështirë të paktën me ekspertizë, pasi predha e gjetur në kokën e viktimës është e dëmtuar.

Zyrtarisht hetimet edhe sot vazhdojnë ende.

Aktualisht ka përfunduar gjykimi vetëm për vrasjen e 3 protestuesve me autorë ish- komandantin e gardës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo.

Hetimet për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit nisen menjëherë pas ngjarjes.

Në bulevardin përpara kryeministrise zbarkoi një grup i gjërë hetimor.

Ngjarja dukej e komplikuar.

Prokuroria firmosi 6 fletë- arreste për disa drejtues të gardës, si të dyshuar apo të implikuar për vrasjet e protestuesve. Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, kundërshtoi ndalimin e tyre, duke akuzuar hapur ish- Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ish-kryeprokuroren Ina Rama dhe ish-shefin e SHISH Bahri Shaqiri, si pjese e puçit të orkestruar nga lidershipi i opozitës në atë kohë, Edi Rama.

Pak ditë pas arrestimit, Gjykata e Apelit liroi në mars 2011 tre gardistë të arrestuar si të dyshuar për këto vrasje.

Në qeli mbeti vetëm gardisti Agim Llupo.

Paralelisht me prokurorinë, mazhoranca e djathtë në Kuvend ngriti nje komision hetimor, duke akuzuar për neglizhencë e papërgjegjshmëri disa institucione të pavarura, madje në deklarata për shtyp u artikuluan edhe termat si grusht shteti.  Pas këtyre akuzave, komisionit i përfundoi afati pa ndonjë rezultat.

Nga ana tjetër, prokuroria përparoi me hetimin, duke vënë në pranga ish- komandantin e gardës Ndrea Prendi, në janar 2012, si të dyshuar për vrasje.

Prova më e fortë ishte ekspertiza e FBI amerikane se plumbi që vrau Ziver Veizin kishte dalë nga pistoleta e Prendit.

Bashkë me të, shoferi u dyshua për fshehje provash, por u lirua nga akuzat në fazën e fundit të gjykimit.

Ndrea Prendi nuk u gjykua në arrest në qeli, por në arrest shtëpie me gjithë kërkesat e prokurorisë.

Pafajësi fitoi shpejt dhe ish- shefi i IT në kryeministri, Armando Kasaj, i akuzuar për fshirje të pamjeve nga kamerat, që fiksuan veprimet e gardës ditën e 21 janarit.

Hetimi për 3 deputetët e PS, Doshi, Balla dhe Bare, të akuzuar si organizatorë të protestës se dhunshme, u mbyll pas amnistisë për 100- vjetorin e pavarësisë.

Gjatë gjykimit, në qeli mbeti vetëm gardisti Llupo.

Pas 39 seancash gjyqësore, akuza kërkoi dënimin me 23 vite burg per Prendin dhe 25 për Llupon.

Avokatët mbrojtës këmbëngulën në pafajësinë e tyre.

Ky ishte dhe vendim që u dha nga gjykata: Pafajësi.

Ky vendim u pasua nga një valë reagimesh.

Opozita e majtë e kohës braktisi sallën e Kuvendit.

Ndërkohe reagoi edhe Avokati i Popullit dhe mediat ndërkombëtare, ndërsa më e ashpër ne deklaratën e saj ka qenë ambasada amerikane.

Prokuroria e apeloi sërish vendimin e pafajësisë për Llupon e Prendin.

Vendimi i dytë i Gjykatës së Apelit kishte zbutur akuzën në vrasje nga pakujdesia.

Me vendimin e ri, asnjë nga të pandehurit nuk u arrestua sërish por iu njoh si dënim koha e paraburgimit.

Sipas gjykatës, ish- kreu i gardës vrau nga pakujdesia protestuesin Faik Myrtaj, kurse ish- gardisti Llupo vrau nga pakujdesia protestuesin Ziver Veizi, ndërkohë në asnjë rresht të vendimit të shkurtuar nuk përmendej autori i vrasjes së protestuesit të tretë, Hekuran Deda apo të plagosjeve të ndodhura në 21 janar.

Që prej vitit të kaluar kjo çështje është në Gjykatën e Lartë ku jo vetëm nuk është shqyrtuar, por as relatori nuk është caktuar ende.

Në 20 janar të këtij viti, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla paralajmëroi arrestime të tjera për ngjarjen e 21 janarit.

3 komente në ““21 janari”/ Pas tre vitesh, hetimi vazhdon”

  1. tourkofagos says:

    pas 30vjetesh,vrasesit ne pencion……….popull zulu!

    1. Kodra e kuq says:

      per sa kohe te jene akoma gjyqtaret e sali berishes asnje here sdo kemi drejtesi.

  2. Sali QENI says:

    Ha! ha! ha! Kryministri nuk ka pranuar ekzekutimin e Urdherit te Prokurorise. Ha! ha! ha! Ku eshte e shkruajtur qe KM mund te nderhyje per anullimin e Urdherit te Prokurorise. Pse, tani, Prokuroria nuk arreston Ish-KM! Ka gjera te habitshme me shqiptaret,e pretendojne te hyjne edhe ne Europe?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje