Partia Demokratike i është drejtuar Avokatit të Popullit lidhur me shqetësimin e saj për vendimin e qeverisë për regjistrimin e numrave IMEI të telefonave celularë. Deputetët demokratë Arben Ristani dhe Kastriot Islami kërkuan që Institucionet e pavarura të funksionojnë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e individit.
“Ky vendim qeverie, është një vendim që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, vjen në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me praktikën më të mirë ndërkombëtare.Ju tashmë e dini dhe jeni njohur me një vendim të Gjykatës së Luksemburgut kundër një direktive të ngjashme të Komisionit Euriopian. Në këto kushte, ne mendojmë se çështja duhet zgjidhur, sigurisht që kemi edhe rrugë të tjera. Partia Demokratike ka drejtuar një kërkese edhe pranë Gjykatës Kushtetuese, por shpresojmë akoma që institucionet e pavarura të këtij vendi të kryejnë detyrën e tyre për mbrojtjen e lirive themelore të njeriut”, tha sot Ristani.
Duket se për Avokatin e Popullit, kjo çështje nuk është në kompetencat e tij pasi në njoftimin për mediat thuhet se “Avokati i Popullit dëgjoi shqetësimin e shprehur nga deputetët dhe do shqyrtojë nëse kjo është brenda fushës së kompetencave të Insititucionit.
“Avokati i popullit kishte të njëjtin shqetësim, por mendonte që çështja është me e fokusuar tek Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, domethënë paraprakisht ata kishin një mendim që ndoshta kjo është jashtë kompetencës së Avokatit të Popullit, por gjithsesi ne mendojmë se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut. Ne do të marrim edhe takime të tjera, edhe me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale por e rëndësishme është që institucionet e pavarura të këtij vendi të funksionojnë sepse të gjitha shenjat janë që oligarkia mafioze, banditeske po konsolidohet ditë pas dite dhe kjo që po ndodh është përsëri një element, një tregues shumë i qartë i kësaj që po ndodh”, u shpreh Ristani.