Atë që nuk po e bëjnë shumë serbë dhe klube të tyre, që garojnë paralelisht në Kosovë, tani po e bën Aleksandër Soshië.
Është vetëm 19 vjeç, por duket ta ketë kuptuar realitetin e Kosovës, ndaj ai është i gatshëm të aktivizohet në Superligën e Kosovës.
Shtetasi i Kosovës nga minoriteti serb prej disa ditësh po testohet nga Drita.
Madje, ai është në pritje të kontratës për t’u aktivizuar në Superligën e Kosovës, ndërsa thekson se merret veç me sport dhe se nuk i interesojnë çështjet politike.
Këto komente ai i bëri në një bisedë ekskluzive për “Zërin”, ndërsa babit të tij i erdhi mirë që një gazetë nga Prishtina shprehi interesim për ta intervistuar djalin e tij.
“Kam pasur oferta edhe nga disa skuadra në Serbi, por familjen e kam këtu, në Kosovë, dhe nuk desha të largohem. Vendosa që të paraqitem te Drita dhe ka disa ditë që jam duke u stërvitur aty”, deklaroi fillimisht për “Zërin”, Aleksandër Soshiç.
Ai e pranoi se në fillim kur iu bashkua Dritës nuk e kishte aq të lehtë, por tani ndihet mirë në kampin bardhekaltër. Madje, thotë se ka nisur të mësojë gjuhën shqipe.
“Të gjithë më kanë pritur mirë, edhe pse në fillim kisha telashe me gjuhën. Mirëpo, këtu ka disa futbollistë që e flasin gjuhën serbe, dhe tani edhe unë kam mësuar diçka nga gjuha shqipe dhe tani nuk kemi vështirësi. Ne luajmë futboll dhe gjuha e futbollit kuptohet lehtë”, theksoi ai.