A mund të ketë bazë terrorizmi urban tek ne?!

5 Gusht 2014, 18:59Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Vitet 70′ dhe ’80, koha kur një komunitet i rrezikshëm terrorist bënte historinë e vet në Itali dhe Gjermani, Shqipëria i jetonte nën një sistem ekonomiko-shoqëror, ku shoqëria ishte e kornizuar nën ligje gati ushtarake. Reagimi publik ndaj autoriteteve ishte i pandjeshëm ndërsa pak kundërshtitë individuale nuk e shqetësonin aspak shtetin monist. Disa të tjerë, që sot fryhen si desidencë, më shumë vinin si formë hakmarrjeje ndaj fatit sesa ishin të menduara si reagime vullnetplotë. Gjithsesi, historia e socializmit përfshin edhe disa kundërshti. Në fillim më të ashpra në veri të vendit; më vonë disa ‘grupe’, të cilësuar nga regjimi si armiqësore, që bënin sabotime; trakte kundër regjimit; dhe disa aksione sporadike, që asnjëherë nuk u ngritën në nivelin e terrorit urban. Dhe, s’kish si të ndodhte ndryshe. Regjimi e mbante vendin nën një kontroll gati pol-potian. Paradoksalisht, Shqipëria e kish një rol të vetin në botën e luftës terroriste. Në këto vite, kanë dalë evidenca të ndihmës së pakursyer dhënë grupeve marksiste-leniniste, që historia i lidh edhe me mbështetjen ideologjike të veprimeve radikale kudo nëpër Evropë. Ndërkohë, që një grup palestinezësh, protagonistë direkt të veprimeve subversive, dihet mirë se janë stërvitur në Shqipëri. Disa prej marksistëve, hynin ilegalisht në Shqipëri, kamufluar nën vizita të ndryshme turistike.

Atëbotë, nëse do t’i thoshe dikujt se do të vinte koha që edhe Shqipëria ta pësonte prej këtyre lëvizjeve, do të qeshte me të madhe. Madje, ky argument mund të ngjallë një reagim të tillë edhe sot! Paçka se vite më parë, emri i “Hakmarrjes për Drejtësi” u lakua shumë prej zyrtarëve shqiptarë, si një i tillë. Por a ka shtrat krijimi i një lëvizjeje radikale urbane në Shqipëri? Sociologët tanë nuk na ndijnë dot, pasi në përpjekje ‘të kapin’ vitet e ikura nën socializëm, vazhdojnë me artikuj kilometrikë e me referenca të gjata nga autorë të huaj ku ndihet mungesa e hulumtimeve direkte në parametrat e vërteta të shoqërisë shqiptare. Kjo e fundit, tashmë, po përjeton mbylljen e periudhës së një tranzicioni të gjatë, pas pranimit si kandidate për të hapur bisedimet e anëtarësimit në BE. Mes shumë detyrave, nga njëra anë, këtej e tutje, ka të ngjarë të shfaqen dhe fenomene të pamenduara më parë. Njëri syresh mund të jetë edhe terrori urban. Në global, shqiptarët jo vetëm e njohin por edhe tashmë po përballen me sfidat globale të luftës ndaj terrorit. Vite më parë në Shqipëri u arrestuan disa persona që pak ditë më vonë do të vareshin publikisht në Egjipt; të tjerë të lidhur me Al-Kaedan janë shpallur nongrata; por më e frikshmja prej të gjithave sot është ISIS, ku lajmet e vazhdueshme numërojnë edhe shqiptarë në të. Ironikisht, lajmi i neglizhuar prej autoriteteve të Sigurisë Kombëtare u bë i njohur dhe alarmant, derisa lindi edhe një ligj, kur filluan të shfaqeshin njoftimet e para të vrasjes së shqiptarëve, gjeografia e trevave të të cilëve është e gjerë. Shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë janë në ISIS, e nuk është habi që edhe të Shqipërisë të jenë atje. Kjo përbën, mbase, një pjesëz underground-i që ka kohë që i shpëton virtualitetit të funksionimit së shtetit shqiptar.

E themi virtualitet, pasi përballë realiteteve të mirëpara, strukturat e shtetit të cilat këtë e kanë edhe si detyrë primare, kanë qenë nga të fundit që e kanë konstatuar dhe reaguar. Rasti më i freskët është Lazarati dhe pelegrinazhi që bënte e gjithë Shqipëria prej vitesh, për të gjetur mundësi që të punonte atje, në tokën e ëndrrave, ku shteti nuk reagonte. Mobilizimi i djemve në xhamitë e vendit ishte një tjetër. Vrasjet e sofistikuara që numërojnë ekzekutime të një gjykatësi dhe të disa biznesmenëve, në mes të publikut, kulmojnë. Pasuar nga ngjarja e fundit me vjedhjen masive të parave të Thesarit. Nëse do të vazhdonim me shembuj do të ishin të shumtë, por ajo që e bën më shqetësuese gjendjen, është fakti se një realitet i tillë mundet që shumë shpejt mund të na fusë edhe në qerthuj të tjerë. Më e frikshmja është krijimi i organizatave terroriste urbane, që nën hirin e dogmave të ndryshme si mburojë, me motive kinse drejtësie, të kërkojnë t’i zgjidhë “ndryshe” punët në Shqipëri. Për këtë të fundit, indikacionet e drejtpërdrejta mungojnë, por hamendësitë nuk janë të pakta. Është një kontigjent i madh të rinjsh të shkolluar, që lidhen mesveti falë rrjeteve sociale dhe që mund të manipulohen lehtë prej idealeve të tyre. Protestat kundër armëve kimike e vërtetuan këtë falë shpejtësisë së informimit dhe lehtësisë së manipulimit. Kur brenda është edhe shpirti i subversives dhe aventura, atëherë është e lehtë të kesh rekrutë. Të rinj të sapodiplomuar, të fashinuar pas bukurisë së botës sot ka pa fund, që nuk e shikojnë dot realitetin përballë vetëm duke mbijetuar.

Ndërkohë që killerat shqiptarë duhet të përbëjnë një koloni të tërë, që mund të të heqë qafe për asgjë. Ndaj, në kushtet që vendi ka një rënie të dukshme të vlerave dhe moralit, është e lehtë që të depërtojnë ide për veprime radikale dhe fasha shoqërore të tilla të bashkohen. Sindikatat, ku mund të kanalizohej revolta, mungojnë ose janë të politizuara. Biznesi ka kohë që ndjehet i pasigurtë dhe mund t’i ndihë këtij fenomeni, ashtu si një fashë e politikës që ndjehet e papërfaqësuar. Baza ideologjike për grupe të tilla terrori krijohet kur ka nevojë për reagime radikale dhe publiku tashmë i zhgënjyer totalisht prej politikës mund të shërbejë edhe si katalizator. Për analogji do t’i ktheheshim rastit gjerman. Grupi terrorist Baader-Meinhof mendonte se regjimi i pasluftës nuk kish ndonjë ndryshim të madh me atë të paraluftës, që e shkatërroi Gjermaninë. Reagimi i tyre ishte i ashpër. Në rastin italian, me “Brigada Rosa” që u frymëzua prej të majtës, ende nuk mund të gjesh lidhje direkte, por fakti se organizata kërkonte vlera që po veniteshin në Itali, mund të thuash se përbën një indikacion. Për fat, e majta ekstreme në Shqipëri është ende qesharake në atë që përfaqëson dhe njerëzit janë të tromaksur me mënyrat sesi artikulojnë liderët e saj. Por, po t’i bësh bashkë të gjithë të pakënaqurit, krijohet një grup i madh shoqëror veç të rinjve, që po vuajnë prej një sistemi që i lë të papunë dhe rregullat e lojës vendosen vetëm nga një taraf i ngushtë që ka lidhje me të dy krahët e politikës. Një shembull ose një xixë janë hacker-at me kushtet idealiste dhe radikale mbi organizmat shtetërorë, por me kalimin e kohës mund të shfaqen shumë e shumë forma të tjera, për të cilat organet e Sigurisë Kombëtare duhet të jenë shumë të vëmendshme. Grafitet dhe shenjat e tjera të rezistencës mund të jenë indikacione serioze për të hulumtuar për një frymë të tillë. Sa i përket bazës që mund ta mbajë këtë lëvizje deri tani hipotetike, është struktura e saj, më së shumti të papunët e shkolluar dhe të zhgënjyerit. Në kohën tonë, terrorizmi nuk përbëhet më vetëm nga të varfrit dhe të pashkolluarit. Në një studim që bënte një anëtar i Foreign Policy Research Institute dilte se 3/4 e terroristëve në Lindje i përkisnin klasave të larta dhe të mesme. Kjo e bën më të vështirë luftën sot dhe frikën ndaj organizimeve të tilla pasi edhe mënyra e kamuflimit është më e sofistikuar.

Dhe kur vrasje të tëra të bujshme të mbetura pa autorë, vjedhje masive dhe përvetësime të pashoqe dhe me gjak të ftohtë, por më shumë se kaq, ekzistenca e një dore të keqe që ndihet në vend të bën të mendosh se mund të dalin grupime të tilla që të përgjigjen në mënyrë radikale. Duke shpresuar që kjo të mos ndodhë, ka ardhur koha ku autoritetet të vendit të mendojnë më shumë për reagime. Mbi të gjitha, për zbatimin e drejtë të politikave sociale. Nuk është kurrë vonë, në këtë vonesë tonën.

 

 

7 komente në “A mund të ketë bazë terrorizmi urban tek ne?!”

  1. AC/DC says:

    Ne te ashtequajtura ‘troje shqiptare'(Shqiperi, Kosove, Maqedoni) mund te kete baze cdo gje e keqe si terrorizmi, hajdutlliku, maskaralliku, mosmirnjhoja, injoraca edhe shume te tjera.E keqa eshte si ne shtepine e vet.

  2. BASHA DHE BERISHA LARGOHU, KURSE SHQIPTARET DUHET TE PROTESTOJNE DERIN NE PERJASHTIMIN E BERISHES NGA PARLAMENTI. says:

    Edhe mund te kete sepse shqiptaret blihen me pak lek, shqiptaret jane cheap on market ne boten e terroristeve. Shqiptaret kane treguar me prostitucion, me hajdutizem, me tashme terrorizem.

    1. Kosovar says:

      Basha dhe berisha dhe Ac/Dc……..Eje pse ore ju dyjat nuk po komentoni fare te temat qe kan te bejn me Fullanin dhe hajnit e tija dhe te birit A!!!!! Vetem pse eshte Orthodoks Fullani nuk po komentoni.

  3. grikizgej says:

    Nuk besoj se do te ngrihet ndonje pjeze e shoqerise ne nivelin e grupit terrorist.
    Mendoj se duhet nje dogme apo doktrine qofte dhe e gabuar per te frymezuar aktivitete te tilla.Italia dhe gjermania jane vende filozofesh dhe mendimtaresh dhe shtrat pjellor per njerez qe te kuptojne dhe perqafojne ide(qofte dhe te gabuara)ne emer te nje kauze.
    Shqiperia nuk ka pasur ndonjehere.
    Te perdnjekurit dhe te burgosurit politike kishin te gjithe te drejten e zotit qe te kanalizonin mllefin e vuajtjeve te tyre ne veprimtari te dhunshme.Do ishte mire po ta benin se do ta zgjonin popullin nga gjumi.
    Nuk e bene!As kane per ta bere.U katandisen te kerkojne ca leke nderkohe q
    T

  4. grikizgej says:

    Nuk besoj se do te ngrihet ndonje pjese e shoqerise ne nivelin e grupimit terrorist.
    Mendoj se duhet nje dogme apo doktrine qofte dhe e gabuar per te frymezuar aktivitete te tilla.
    Italia dhe gjermania jane vende filozofesh dhe mendimtaresh dhe shtrat pjellor per njerez qe te kuptojne dhe perqafojne ide(qofte dhe te gabuara)ne emer te nje kauze.
    Shqiperia nuk ka pasur ndonjehere.
    Te perdnjekurit dhe te burgosurit politike kishin te gjithe te drejten e zotit qe te kanalizonin mllefin e vuajtjeve te tyre ne veprimtari te dhunshme.Do ishte mire po ta benin se do ta zgjonin popullin nga gjumi.
    Nuk e bene!As kane per ta bere.U katandisen te kerkojne ca leke nderkohe qe kishin te gjithe te drejten e nje revolucioni per te xnjerre parra drejtesise kasapet qe terorizuan vendin per 50 vjet.
    Tjeter grupim i motivuar dhe njekohesisht humbesit me te medhenj te ketij tranzicioni jane ish pronaret e medhenj.
    Edhe veprimtariua e ketyre mbeti e copezuar ne kuadrin e ecejakeve neper gjykata.
    Edhe keta kishin te drejte qe ta shprehnin pakenaqesine e tyre ne forma te llojit qe mund ti quani terroriste por qe ne te vertete jane cliruese.
    Ka nje pakenaqesi te pergjithshme dhe padrejtesi te madhe qe manifestohet me rritje kriminaliteti por qe nuk do marre kurre forme qe te cilesohet terror urban sepse ne shqiptaret jemi shume frikaacake dhe sillemi si dele anarkike pa coban.

  5. Dispanceria says:

    Grikizgej! ka shume te drejte, koment perfekt.

  6. Ladi says:

    Beni Andonaqi pse nuk na fole pakes per 17 Nentorin more rrufjan….Te dhemb pakez , mbaje se e meriton, hale….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje