S(H)ahiti, letër Ed Ha Limit

11 Gusht 2014, 20:00Antena TEMA

Një letër të gjatë i ka shkruar S(H)ahiti dje Ed Ha Limit. Pasi e dëgjoi në konferencën për shtyp, ku shprehu shqetësimin se marrëveshja për CEZ amniston dhe punonjësit e CEZ, që kanë përfituar miliona apo kanë bërë shkelje, S(H)ahiti nuk duroi dot më, por u ul dhe i shkroi një letër.

Zoti Ed Ha Lim.
E dëgjova me vëmendje deklaratën tuaj për CEZ, meqë kam qenë drejtor i CEZ para privatizimit dhe pas rrëmbimit nga ana jonë.

Ju, mes të tjerash, thoni që marrëveshja e qeverisë për ta rimarrë CEZ me marrëveshje, mes të tjerash amniston dhe punonjësit dhe drejtuesit e CEZ, që kanë abuzuar me detyrën.

Unë jam i vetmi drejtues i CEZ nga ana e qeverisë sonë.

Tani po të shpjegoj ku kam abuzuar me detyrën.

Kam futur në punë gjithë militantët e PD në çdo seksion si lexues sahatesh në CEZ, pasi ishin pa shkollë dhe nuk dinin zanat tjetër.

Nuk u kam mbledhur lekët Kukësit, Tropojës, Laçit dhe Milotit si zona të varfra, që votonin PD.

Pas kërkesës tënde më 2013, nuk ua mblodha lekët as në Kënetë në Durrës.

Kam bërë tenderat sipas porosive të Doktorit, natyrisht duke kapur dhe ndonjë gjë të vogël për vete.

Kam gjobitur sa kam mundur gjithë kundërshtarët e partisë. Ua kam prerë dritat bizneseve armike dhe kam identifikuar bizneset e tyre të reja.

Në një rast ka pasur një incident me ty, pasi e kishe regjistruar biznesin në emër të një armiku të partisë dhe e gjobitëm pa dashje, por ti ma bëre hallall gjobën vetëm të mos tregoja dhe nuk tregova.

Kam shtyrë sipas porosisë së partisë likuidimet me KESH, për shkak të krizës që kishim.

Kam bërë transformator special për vilën e Argitës tek Gjiri i Lalzit.

Kam mbajtur sekret gjithë pronat e tua, që i verifikoja nga kontratat me CEZ.

Pas gjithë këtyre ndereve, nuk e kuptoj pse do ma shpërbleni kështu, duke i bërë thirrje Edi Ramës të mos më amnistojë.

Edhe pse e kam armik të partisë, unë pata një tranzicion të butë me të, falë ndihmës së Koços, i cili vizitoi zyrat që javën e parë të ndryshimit të pushtetit dhe më inkurajoi të vazhdoja punën.

-Biri im, tha, vazhdo siç ke punuar se njerëz si ty na duhen. Me këtë rast unë i bëra dhe disa blerje të vogla transformatorësh, që i kishin ngelur pa shitur, por brenda rregullave dhe ligjeve.

Tani nuk e kuptoj këtë hallin tuaj, që doni me çdo kusht që unë të shkoj në burg. Dëgjoni thashetheme lart e poshtë për miliona dhe mendoni se ato i kam marrë unë.

Jo zoti Ed Ha Lim. I kemi marrë dhe ngrënë bashkë. Prandaj mos bëj presione të kota mbi qeverinë kundër meje, se po fillova të dëshmoj ç’ke bërë ti pastaj, nuk ka vend në botë që të jep strehim politik.

S(H)ahiti.

3 komente në “S(H)ahiti, letër Ed Ha Limit”

  1. "BALASHI" says:

    Hallll Mero! Je i jashtezakonshem. I nxjerr si me lezet nepermjet fejtonesh tere te vertetat. Bravo!,,,

  2. ed says:

    Sahiti dhe Fullani janë të një sahani. U ngopën dhe i shërbyen Berishës dhe e kthenë me Koçon dhe Ramën tani.

    Shumë poshtë.
    Rroftë Tema, që i nxjerr të palarat se qeverive dhe Koçove Sahitë e Fullanë u duhen.

    1. Arbri says:

      Mero Baze do hysh ne histori me keto fejtonet e tua.Ne se ata i lexojne dhe vazhdojne te bejne hipokrizi turp te kete ajo pjese e popullit qe u shkon prapa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje