Partizani gjen nr.9, është kosovari Astrit Fazliu

20 Gusht 2014, 17:25Sport TEMA

Astrit Fazliu është përforcimi i radhës, që klubi i Partizanit ka realizuar në këtë merkato vere.

Sulmuesi kosovar, i cili deri ditën e martë ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ka arritur marrëveshjen me 15 herë kampionët e Shqipërisë.

Lojtari 26-vjeçar është një njohje e vjetër e trajnerit Shpëtim Duro, sepse së bashku ishin pjesë e skuadrës tetovare sezonin e kaluar.

Në futbollin kosovar, por edhe te Shkëndija, Fazliu ka qenë ndër protagonistët kryesorë me paraqitjet dhe golat e shënuar.

Te Partizani sulmuesi kosovar ribashkohet disa ish-shokë e tij, me të cilët ka luajtur më parë te Prishtina dhe Shkëndija e Tetovës. Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, sulmuesi në fjalë shënoi 8 gola me fanellën e Shkëndijës, ndërsa në fazën e parë ishte pjesë e Ferizajt, me të cilin realizoi 9 gola.

Në Kosovë, ai ka luajtur me Ferizajn, skuadrën e vendlindjes, dhe Prishtinën. Ai luan si sulmues qendror, por edhe në të dyja krahët e repartit ofensiv.

Te “demat e kuq”, kosovari do të mbajë të veshur fanellën me nr. 9.

Në këtë mënyrë, shkon në tre numri i lojtarëve të marrë me vete nga trajneri Duro tek të kuqtë nga skuadra e Shkëndijës së Tetovës.

Veç sulmuesit Astrit Fazliu, më herët i janë bashkuar Partizanit edhe Bunjamin Shabani dhe Ardian Cuculi. Afrimi i Fazliut është një avantazh për stafin, pasi sulmuesi nuk hyn në grupin e lojtarëve të huaj, ku lejohet që në fushë të aktivizohen vetëm katër të tillë.

Sipas një vendimi të marrë nga FSHF më herët, futbollistët nga Kosova nuk konsiderohen të huaj në futbollin shqiptar. Fazliu vjen pas një faze intensive përgatitore me Shkëndijën, madje ka luajtur edhe në një takim të tetovarëve në Ligën e Europës.

Kështu që sulmuesi është i gatshëm që ta nisë kampionatin që këtë javë, por aktivizimi i tij varet nga zgjedhjet që do të bëjë trajneri Shpëtim Duro për ndeshjen e parë me Laçin. Astrit Fazliu ka qenë në fokusin e Partizanit që në merkaton e janarit, por në fund sulmuesi u “rrëmbye” nga trajneri Duro te Shkëndija e Tetovës.

Që kur Duro mori drejtimin e Partizanit, emri i Astrit Fazliut është përfolur si mundësi përforcimi për të kuqtë, gjë e cila u realizua në mesditën e djeshme.

 

Alban Hoxha: Kjo skuadër ka lojtarë që japin garanci

Portieri dhe një nga liderët e Partizanit, Alban Hoxha, foli për ndeshjen e javës së parë të kampionatit, atë që të kuqtë do të zhvillojnë në Laç kundër vendasve të drejtuar nga Armando Cungu: “Na pret një sfidë delikate pasi përballë do të kemi Laçin, një skuadër e cila është mjaft e fortë në shtëpi. Gjithsesi ne do të kërkojmë t’i bëjmë një nisje sa më pozitive kampionatit të dielë. Gjatë gjithë fazës përgatitore skuadra ka shfaqur një formë mjaft të mirë fizike, gjë e cila është reflektuar edhe në ndeshjet miqësore ku kemi mundur të shënojmë edhe shumë gola. Mendoj se këtë sezon jemi më të fortë. Në skuadër janë afruar lojtarë cilësorë, të cilët japin garanci. Jam i bindur se ky do të jetë viti ynë pasi Partizani lufton për të dy trofetë e mundshëm, titullin dhe kupën”.

2 komente në “Partizani gjen nr.9, është kosovari Astrit Fazliu”

  1. Titi says:

    Vendin e katert mire e keni,sa me lart me
    Mire,por duhet hythe.urime ne ndeshjen e pare?????????

  2. Kendveshtrim tjeter says:

    Pika me e dobet e Partizanit,eshte trajneri Duro !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje