Superliga zvicerane e futbollit është një kampionatet ku futbollistët me orgjinë shqiptare po shprehen më mirë në këtë fillim sezoni. Paraqitjet e Shkëlzen Gashit gjatë muajt gusht, por edhe ato të dy futbollistëve të tjerë me origjinë shqiptare, Albert Bunjakut dhe Berat Sadik nuk kanë qëndruar pa rënë në sy të gazetës së mirënjohur zvicerane “Blick”, e cila ka hapur një sondazh ku gjithsecili mund të japë votën e tij për të përcaktuar lojtarin më të mirë të muajit të fundit në ligën e parë të futbollit helvet.
Në garë së bashku me Gashin, Bunjakun dhe Sadik janë edhe lojtari i Zyrihut, Davide Kiumiento dhe ai i Jong Bois, Rafael Nuzolo.
Gjithsesi, favoriti kryesor për të fituar padyshim është Shkëlzen Gashi.
Futbollisti i kombëtares shqiptare ka qenë përcaktues tek Bazeli me tre gola dhe dy asiste gjatë muajt gusht, duke ndihmuar skuadrën e trajnerit Paolo Soza të kryesojë e vetme Superligën zvicerane pas 7 javëve të para.
Në votimet e deritanishme sulmuesi i Bazelit udhëheq me 45,9 të votave dhe ky fakt e bën pothuajse të sigurt fitoren e Gashit në këtë garë.
Vetëm 16,2 të votave ka grumbulluar lojtari i Zyrihut Davide Kiumiento, ndërkohë që në vend të tretë pozicionohet Bunjaku me 16,1%.
Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës ka bërë shumë mirë gjatë muajt të kaluar me skuadrën e tij St Gallen, duke shënuar gjithsej tre gola, dhe me meritë pozicionohet në vendin e tretë.