Angel Di Maria nuk u vonua shumë për ti kthyer një përgjigje presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez.
Vetëm pak orë pasi numri 1 i “Los Blankos” u shpreh se kampionët e Europës i ofruan mesfushorit argjentinas një kontratë të re me një pagë të majme dhe se vetëm Kristiano Ronaldo do të përfitonte më shumë se ai, por Di Maria preferoi largimin, erdhi edhe kundërpërgjigjja e 26-vjeçarit, që normalisht nuk ndan të njëjtën ide me Perez:
“Dëgjova deklaratat e zotit Perez dhe nuk më pëlqyen aspak, pasi nga ato që ai thotë asgjë nuk është e vërtetë.
Unë kurrë nuk kam thënë se dëshiroja të largohesha nga Reali i Madridit.
Gjatë Botërorit mendova vetëm për komptecionin dhe as që më shkonte në mend diçka tjetër.
Le të thonë çfarë të duan, por unë dua t’ju siguroj juve se ishte klubi i Realit që kërkoi largimin tim.
Besoj se 75 milionë eurot që përfituan nga shitja ime i shkonin përshtat ekonimisë së Los Blankos”.
I sigurt është fakti se tashmë mes drejtuesve të Realit dhe Angel Di Marias ka nisur një luftë e hapur, madje lojtari i Mançester Junaited në intervistën e tij theksoi se klubi madrilen i kërkoi atij të mos luante në finalen e Kupës së Botës:
“Ditën e finales së Botërorit rreth orës 11:00 mua më erdhi një letër nga klubi i Realit, ku më kërkohej të mos luaja në atë ndeshje.
Edhe pse e injorova atë, fati e deshi që unë të mosrikuperohesha në kohë për sfidën me Gjermaninë.
Gjithsesi, në këtë letër të Los Blankos kuptohet qartë vendimi i klubit për të shitur.
Frika e tyre ishte se nëse luaja unë mund të pësoja një tjetër dëmtim dhe në këtë mënyrë ata nuk do të gjenin dot një blerës për mua”.
Menaxheri i Di Marias, Eugenio Lopez konfirmoi gjithashtu faktin se merengesit pas Kupës së Botës nuk i kanë ofruar asnjë kontratë të re lojtarit argjentinas, ndërkohë që theksoi gjithashtu se ai dhe klienti i tij nuk i kanë kërkuar kurrë një kontratë të re me një pagë vjetore prej 8 milionë eurosh, pasi sipas Lopez Angeli, do të kishte qëndëruar në Madrid edhe për më pak se aq.