INTERVISTA/ Çuçi: Zgjedhjet vendore 2015 sipas hartës së re

8 Nëntor 2014, 15:12Politika TEMA

Ministri i Shtetit për çështjet vendore Bledi Çuçi, deklaron se maxhoranca është e bindur të shkojë në zgjedhjet vendore që do të realizohen vitin që vjen me hartën e re administrativo-territoriale.

Në një intervistë për “Tema TV”, ministri Çuçi thotë se detyrë e maxhorancës është të garantojë një proces transparent zgjedhor, dhe vendimi për bojkot të zgjedhjeve i takon vetëm opozitës, ndonëse nuk e uron të ndodhë një gjë e tillë.

Për sa i përket ankimimit të territoriales nga ana e opozitës në Kushtetuese, Çuçi shprehet se nuk ekziston asnjë arsye që Gjykata Kushtetuese të rrëzojë këtë ligj, pasi sipas tij janë ezauruar të gjithë kërkesat Kushtetuese  dhe ligjore që kërkohen për bërjen e një reforme kaq të rëndësishme.

Çuçi prezanton edhe objektivat që synohen të përmbushen para konstituimit të 61 bashkive të reja: Vlerësimi financiar i komunave dhe pëfrcaktimi i saktë i koordinatave gjeografike të tyre.

Sipas tij 70% e komunave nuk kanë bërë asnjë vlerësim financiar dhe ende sot nuk dihet se sa është vlera e një komune. Ai garanton se ky proces do të zhvillohet nga qeveria për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm  vendor.

 

Nga Anisa Xhani

Z.Çuçi si i vlerësoni ecurinë e qeverisë në aplikimin e reformave pas ardhjes në pushtet?

Është e vështirë që me pak fjalë të përshkruhet e gjithë puna që ka bërë qeveria në vitin e parë të saj, por unë do thoja që që ajo që ka më shumë rëndësi dhe që bie në sy është kthimi i shtetit, kthimi i forcës së shtetit.Në fakt në Shqipëri në 20 vjet shteti ishte braktisur fare. Kudo madje, vazhdon të sundojë në masë të madhe informaliteti dhe në një vit ne kemi arritur të kthejmë besimin tek qytetarët shqiptarë, që Shqipëria në fakt është një vend dhe duhet të ketë një shtet europian,në mënyrë që të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Unë mendoj se për këtë gjë në vitin e parë, ne kemi demostruar një përpjekje  të lavdërueshme dhe rezultatet janë konkrete. Paralelisht me këtë gjë janë hedhur bazat  për shumë nga reformat e rëndësishme të vendit, të munguara në 20 vite, apo të diktuara nga kushtet e zhvillimit, të diktuara edhe nga përpjekja jonë për t’ju bashkuar Europës. Mendoj se është një vit me shumë intesitet, sigurisht reforma më e rëndësishme që edhe u materializua është reforma e rishikimit të hartës administrative territoriale, e cila për fat ka ridimensionuar nga pikpamja territoriale të gjithë njësitë e qeverisjes vendore të nivelit të parë, pra vetëm bashkitë, apo komunat dhe  hap një perespektivë krejt të re për zhvillimin e qëndrueshëm vendor.

Reforma territoriale u miratua në mënyrë të njëanshme  pa praninë e opozitës, ndonëse ndërkombëtarët apeluan disa herë për dialog. Opozita e ka dërguar çështjen në gjykatën Kushtetuese. Si do të operohet  nëse gjykata vendos të pezullojë këtë reformë?

Në fakt thirrjet e ndërkombëtarëve kanë qenë ftesa për opozitën.Pra thirrjet e ndërkombëtarëve kanë qenë një përpjekje e vazhdueshme  që të ftonin opozitën në këtë reformë kaq të rëndësishme, pasi ne kemi qenë transparent që në ditën e parë në iniciativën e reformës territoriale.Ne kemi qenë të hapur, e kemi demostruar, i kemi dhënë mundësinë opozitës më shumë se një herë të jetë pjesë. Ne krijuam  një komision të posaçëm për të udhëhequr reformën administrativo-territoriale, komision me përbërje pozitë-opozitë. Kemi ftuar përfaqësues të opozitës që nga niveli teknik deri në nivelin politik që të jenë pjesë e tryezave të diskutimit  dhe kemi bërë një proces konsultimi në të gjithë Shqipërinë, përfshirë këtu të gjitha bashkitë dhe komunat. Kemi qenë pjesë e tryezave, madje që vetë opozita ka bërë  për këtë çështje për të treguar që ne nuk duam të bëjmë një reformë të njëanshme, ne duam të bëjmë një reformë sa më konsensuale, sa më gjithëpërfshirëse, por si duket për opozitën kjo s’ka mjaftuar dhe ky është problem i opozitës. Pra ne bëmë gjithçka dhe ndërkombëtarët, duke parë pikërisht këtë vullnet për gjithëpërfshirje  nga ana e maxhorancës, i kanë bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme opozitës që të bëhet pjesë e procesit. Kshuqë unë mendoj se bojkoti i opozitës është thjesht një qëndrim  politik, jo pozitiv, i pa justifikuar  në gjykimin tim, por që nuk e cënon aspak standartin e reformës administrativo-territoriale, qoftë standartin  profesional, qoftë standartin politik apo demokratik të reformës sepse është një reformë që ka të bëjë me çështje demokratike. Pra, mendoj se thirrjet e ndërkombëtarëve kanë qenë për opozitën si pjesë e procesit.

D.m.th ju mendoni se vendimi i gjykatës Kushtetuese do të jetë në anën tuaj?

Gjykata Kushtetuese ka pavarësinë e saj për të marrë vendimin sigurisht, por unë mendoj, dhe këtë e them edhe nga bindja ime sepse jam personi  i cili jam marrë më së shumti me të gjithë procesin e reformës,unë mendoj që ne kemi ezauruar të gjithë kërkesat Kushtetuese  dhe ligjore që kërkohen për bërjen e një reforme kaq të rëndësishme.Unë mendoj se gjithçka është e dokumentuar , gjithçka është ezauruar për sa i përket  të gjithë kërkesave Kushtetuese apo qoftë edhe ligjore. Sigurisht pjesa më e madhe ka të bëjë me marrjen e opinioneve  dhe mendimeve nga komunitetet përkatëse për një reformë kaq të madhe.Mendoj se deri më sot, në 20 vjet , nuk ka pasur proces më transparent  dhe gjithëpërfshirës sesa  procesi që ne bëmë për reformën administrativo-territoriale. Kështuqë në këto kushte gjykoj se nuk ka hapësira, pse gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë këtë ligj, apo të pranojë kërkesën e opozitës.Gjithsesi duhet pritur vendimi i gjykatës, sepse është vendimi i një institucioni krejtësisht të pavarur, qoftë nga qevria, qoftë edhe nga parlamenti si organi që ka miratuar ligjin.

Pra ju zoti ministër jeni i bindur të  shkoni në zgjedhjet e ardhshme vendore  me hartën e re administrative?

Ne nuk jemi vetëm të bindur, por jemi edhe brenda të gjitha hapësirave ligjore për të shkuar  në zgjedhjet e ardhshme me hartën e re administrativo-territoriale sepse  tashmë ekzison një ligj, që ka rishikuar të gjithë hartën administrativo-territoriale të Shqipërisë,kshuqë nuk është çështje bindje , por çështje zbatimi ligji.

Ka pretendime nga ana e qytetarëve se ndarja e re territoriale  që ju keni miratuar, vështirëson përfitimin e shërbimeve. Ju keni deklaruar  se komunat do të vazhdojnë të funksionojnë, por me staf të kufizuar. Çfarë shërbimesh do të ofrojnë  ato?

Ka qenë një nga kushtet që ne kishim në fillim kur konceptuam këtë reformë.Pra, ne që në fillim thamë se do të bëjmë njësi më të mëdhaja dhe do të reduktojmë numrin e njësive duke e çuar nga 373, tashmë në 61 dhe kjo të të sillte krijimin e njësive në hapësirë territoriale më të mëdha. Për këtë arsye ne që në fillim kemi thënë se pavarësisht se territoret e bashkive të ardhshme do të zgjerohen  në mënyrë të konsiderueshme nga ato çka janë sot, ne do të garantojmë që shërbimet kryesore , shërbimet që ata marrin drejtëpërdrejtë edhe sot në zyrat e komunave  ne do ti mbajmë pikërisht në komunat ekzistuese, duke lënë një zyrë administrative, e cila do të jetë edhe dritare shërbimi, por edhe  në shërbim të drejtpërdrejtë, ndoshta gjendja civile dhe të gjitha ato shërbime që sot qytetarët marrin në zyrat e komunave. Këto gjëra do të mbesin pavarësisht nga krijimi i një njësie më të madhe. Përveç kësaj për çdo shërbim  që do të kërkohet vendimi nga zyrat qëndrore të bashkisë, zyrat që do të krijojmë do të shërbejnë edhe për ndërlidhjen e qytetarëve që nuk kanë mundësi të shkojnë deri tek bashkia e cila mund të jetë larguar pak dhe qyetari do përdorë këto dritare që ne do të krijojmë. Në komunat ekzistuese që janë sot dhe që nesër do të qëndrojnë si njësi administrative, të bashkisë së madhe. Kshuqë unë mendoj  që askush nuk duhet të  mendojë që tashmë që u krijua bashkia e madhe , largësia me qendrën do t’ju vështirësojë marrjen e shërbimeve. Kjo nuk do të ndodhi. Unë kam përfunduar edhe amendamentet përkatëse të ligjit , ta garantojmë me ligj funksionimin e këtyre zyrave, kështu që mendoj se çdo gjë është brenda gjithë vizionit që ne kishim  në bërjen e një harte me më pak njësi administrative.

Zoti ministër ju keni deklaruar se modeli i bashkive, do të jetë si ai i bashkisë së Tiranës, me një ndryshim, që përfaqësuesit e njësive vendore do të emërohen. Mos ndoshta kjo do të sjellë përqëndrim të kompetencave në duart e një njeriu?

Duhet të kuptojmë një gjë: Tashmë kemi 61 bashki dhe ka vetëm një kryetar bashkie.Pra kur zgjidhet, zgjidhet vetëm një kryetar bashkie dhe një këshill, ku kryetari ka administratën e vet  dhe këtë administratë ai e ngre, jo vetëm në zyrën qëndrore , por do ketë zyra edhe nëpër njësitë administrative që ai ka në kopetencë të vetë. Skema është shumë e thjeshë, pra të gjithë këta që do të shërbejnë në komunat ekzistuese do të jenë punonjës të bashkisë, kshuqë do i përgjigjen kryetarit të bashkisë, i cili do të jetë i përzgjedhur i drejtëpërdrejtë. Mendoj se kjo gjë është shumë e qartë dhe nuk duhet të krijojë asnjë problem. Dhe unë mendoj se nuk krijon asnjë problem as për sa i përket pjesës së marrdhënies midis komunitetit  dhe të zgjedhurit sepse do të jenë njerëzit që do të zgjedhin kryetarin e bashkisë dhe e gjithë përgjegjësia politike mbartet nga kryetari që zgjidhet drejtpërdrejt dhe nga këshilli që zgjidhet në mëyrë propocionale sipas ligjit.

Ju zoti ministër deklaruat në Komisionin e Ligjeve se ka rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në pushtetin vendor. Cilat janë këto rezultate?

Jo vetëm në pushtetin vendor. Unë lexova një pjesë të raportit të BE-së , për sa i përket zhvillimeve në Shqipëri. Në fakt dua të them se në një vit, të paktën ne kemi arritur të kthejmë besimin tek qytetarët që korrupsioni është një fenomen, i cili duhet të luftohet pa kompromis dhe nuk duhet të ketë njerëz me imunitet, çfarëdolloj imuniteti, që të shpëtojë ndaj ndëshkimit për korrupsionin. Këtë ne e kemi vërtetuar  dhe mund t’ju them se janë rreth 500 punonjës të administratës qëndrore, të kallëzuar në prokurori nga janri i këtij viti deri në tetor të këtij viti, përfshirë këtu të niveleve nga specialist deri në sekretar  të përgjithshëm apo kushdo qofshin këta, edhe kryetar komunash apo bashkishë. Pra, ka një vullnet të shprehur qartë në lidhje me  hapat që ne kemi dhe  sfidën me luftën ndaj korrupsionit. Pas një muaji ne do bëjmë një takim për transparencën  me publikun dhe me të gjithë shoqërinë  civile dhe ndërkombëtarët në lidhje me  veprimet që ne kemi ndërrmarrë në një vit  për sa i përket korrupsionit dhe aty  do të ketë sigurisht  ministrat përkatës. Do të flasim jo vetëm për kallëzime  dhe veprime ndëshkimore që kanë marrë për njerëzit që kanë ushtruar korrupsionin, por do të  tregojmë dhe për të gjitha masat që kanë marrë, rregullatore,  në mënyrë që të parandalojnë dhe minimizojnë korrupsionin, një fenomen kaq shqetësues për shoqërinë shqiptare. Kshuqë unë mendoj që është bërë shumë në një vit nga të gjithë sektorët. Kjo është një betejë që shtrihet në të gjithë sektorët  e pjesës së shërbimit publik, kshuqë kemi veprime  konkrete ndëshkuese, parandaluese dhe edukuese. Janë tre boshte të vizionit tonë në luftën kundër korrupsionit. Unë them që nëse ka pasur një gjë të qartë në profilin e kësaj qeverie ka qenë mosbërja kompromis  për ndëshkimin të gjithë paligjshmërisë dhe informalitetit që ekziston në Shqipëri. Shumë veprime të qeverisë kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit,përfshirë këtu edhe betejën  e shpallur ndaj vjedhësve të energjisë elektrike. Nuk ka vjedhje pa pasur një bashkëpunim me personat përgjegjës, elektriçistë , apo faturistë të energjisë elektrike. Dhe ku ka bashkëpunim ka rryshfet, dhe ku ka rryshfet  ka korrupsion. Kshuqë ne edhe në këtë betejë kemi qenë shumë të qartë: Do të dënohen si personat që vjedhin edhe personat që kanë lehtësuar  vjedhjen e energjisë elektrike.Dhe  këtë e kemi treguar me vepra konkrete.Janë sot në ndjekje penale biznesmenë që abuzonin dhe vidhnin energjinë elektrike , por edhe elektriçista dhe faturista  të cilët kanë ndihmuar  këta biznesmenë për të bërë vjedhjen e energjisë elektrike. E mora si shembull sepse e kemi të ditës si çështje për t’ju thënë që shumë veprime që janë marrë nga sektorë të ndryshëm të qeverisë kanë të bëjnë me masa anti-korrupsin. Për të mos thënë më tej se ne kemi një projekt shumë ambicioz për të modernizuar të gjithë shërbimin që iu ofrohet qytetarëve nga zyrat shtetërore, për të bërë një holl të madh ku njerëzit do të shkojnë të vetëshërbejnë, pa pasur nevojën e një punonjësi për të marrë shërbimin. Thjesht duke shfrytëzur shërbimin teknologjik të deritashëm dhe çdo shërbim të merret në mënyrë të dixhitalizuar. Mendoj se të gjitha këta masa kanë kthyer besimin jo vetëm tek shqiptarët tashmë se kjo qeveri nuk ka kompromis me korrupsionin, por edhe tek ndërkombëtarët të cilët janë shprehur shumë qartë për hapat pozitiv që ka bërë Shqipëria në luftën korrupsionit, por jo vetëm thonë ata, në luftën kundër krimit të organizuar, kundër drogës, etj, për disa fenomene që gati gati ishin bërë si pjesë e trupit të Shqipërisë dhe si pjesë e pandashme e shoqërisë. Gati-gati ishin bërë të pranueshmë për shoqërinë dhe kjo qevri po punon për ta çbërë atë.

Puna e bërë për reformën territoriale përgjatë këtij viti, është prezantuar edhe për publikun. Si të operohet më tej?

Ne kemi filluar një proces shumë ambicioz. Ne duam që bashkimi administrativ të mos i marrë asnjë ditë kohë  administratave të reja që do të dalin pas zgjedhjeve. Ne duhet të pregatisim të gjittë kushtet e nevojshme që pasi 61 bashkitë e reja të konstituohen të fillojnë të mendojnë për zhvillimin e territorit dhe të komunitetit të tyre dhe jo për çështje administrative  dhe pasojat që sjell bashkimi. Dhe për këtë gjë ne kemi marrë dy procese shumë të rëndësishme. E para, po bëjmë vlerësimin financiar të gjithë komunave  të Shqipërisë. Për fat të keq në këto 20 vjet 70% e bashkive dhe komunave nuk kanë bërë asnjë vlerësim financiar. Kjo do të thotë se nuk dihet se sa vlen një komunë , çfarë pasurie ka, çfarë inventarësh ka, çfarë borxhesh? Në fakt, është e detyrueshme që çdo vit, çdo entitet qoftë publik apo privat të bëjë vlerësimin financiar. Këtë gjë po e merrim përsipër ta bëjmë vetë, që bashkia që do të krijohet ta ketë më të lehtë bashkimin administrativ. Pra duke bërë këto vlerësime, këto entitete do të jenë edhe të çertifikuara nga pikëpamja financiare. E dyta, në 20 vjet nuk kemi kufinj të brendshëm ligjorë me koordinata të sakta. Kjo ka qenë shkak për konflikte të ndryshme herë pas here në të gjithë Shqipërinë. Rasti më publik ka qenë konflikti që ka pasur bashkia e Tiranës me komunën e Kasharit  për një pjesë të një fushe të madhe që nuk dihej se ku fillonte kufiri i njërës dhe ku përfundonte i tjetrës. Dhe si këto konflikte ne kemi në të gjithë Shqipërinë. Kshuqë, ne para se të konstituojmë njësitë administrative do ti qartësojmë me kordinata të sakta se ku është kufiri i njërës dhe ku është i tjetrës. Ky është një proces kolosal që nuk është bërë asnjëherë. Duam që bashkitë e reja të jenë të konsoliduara dhe të fillojnë me zhvillimin e qëndrueshëm vendor, për të rritur shërbimin e ndaj qytetarëve. Paralelisht me këtë në 6 mujorin e parë të vitit që vjen sunojmë të bëjmë një ligj të rti për qeverisjen vendore, për të konsoliduar raportin që kanë qevritë qëndrore në raport me qeverisjen vendore. Ne mendojmë se nuk mund të kemi zhvillim të Shqipërisë pa pasur zhvillim të qëndrueshëm vendor. Pra kemi axhendë të ngjeshur përpara.

Z.Çuçi e gjithë kjo kosto për këtë reformë. Por nëse opozita nuk bëhet pjesë e zgjedhjeve lokale ashtu siç edhe ka deklaron…?

Unë nuk besoj se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk e besoj dhe nuk e uroj sigurisht jo e jo, por nëse  nuk bëhet pjesë e procesit zgjedhor atëherë kjo është kosto për opozitën, jo për maxhorancën dhe as për shqipëtarët. Bojkoti është një vendim që e merr vetëm opozita brenda saj dhe nuk ka të bëjë fare  as me sjelljen e maxhorancës as me gjithë pjesën e reformave që qeveria është e detyruarë ndërrmarrë për ta çuar përpara Shqipërinë  dhe për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm. Kshu që, në rast se opozita nuk merr pjesë ky është një vendim vetëm i opozitës. Është në dorën e pozitës, është në gjykimin e opozitës merr apo s’merr pjesë. E rëndësishme është që ne të garantojmë të gjitha kushtet, jo vetëm ligjore për të pasur zgjedhje sa më të ndershme, sa më të drejta, sa më transparenete. Ky është misioni jonë, pastaj çdo forcë politike ka pikëpamjet e veta. Por unë nuk mendoj se opozita do të shkojë deri në këtë pikë sepse nuk ekziston  asnjë arsye që opozita ta marrë këtë vendim.

1 komente në “INTERVISTA/ Çuçi: Zgjedhjet vendore 2015 sipas hartës së re”

  1. niki says:

    Shpresoj te mos marre pjese ,dhe elektorati i djathte te votoj ne mase per te miren e Shqiperise ne favor te partise ,se Bamir Topi-it.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje