Baze nxjerr nga shtypi vëllimin poetik "Jug". Një dedikim për mikun e tij Sokol Olldashi, në përvjetorin e ndarjes

19 Nëntor 2014, 19:36Kulturë TEMA
Baze nxjerr nga shtypi vëllimin poetik "Jug". Një dedikim

Gazetari Mero Baze, sapo ka nxjerr nga shtypi një përmbledhje me poezi nën titullin “Jug”, e cila synon të jetë një antologji e përzgjedhur e poezive të autorit, shumica e të cilave janë botuar në gazetat kulturore në vend. Në faqen e parë të librit ai i ka bërë një dedikim mikut të tij duke shkruar, “Sokol Olldashit, për ta bërë më të plot mungesën e tij në përvjetorin e ikjes”.

Ndërkohë poezia e fundit e librit i është kushtuar Olldashit dhe është një elegji plot dhimbje cinizëm dhe mall për fatin e tij politik dhe njerëzor. Libri është i botuar në amazon.com ne linkun http://www.amazon.fr/Jug-Poezi-Mero-Baze/dp/1477588957/ref=sr_1_1?ie=UTF8&qid=1416422075&sr=8-1&keywords=mero+baze

Ai po ashtu eshte botuar në një tirazh të kufizuar vetëm për miqtë e tij në print në Tiranë. Mero Baze është autor i gjashtë librave publicistikë. Ai ka botuar poezi në shtypin shqiptar prej vitit 1985. Ky botim është një përzgjedhje e poezive të tij. Me poshte poezia per Olldashin qe eshte pjese e ketij libri.

 

Sokolit

Shpikëm ikjen tënde, kur të kishim zbuar

Në një natë pus, ku vetëm vdekja lëvizë

Kemi frikë të themi, pse shkove vet në varreza

Siç kemi frikë, pse varret të kishin zënë prit!

 

Shpikim vlera, që ndoshta nuk i kishe

Se na mungon heroi  brenda nesh

Kemi frikë të themi, vërtetë si ishe

Siç kemi frikë, atë që ishe vërtetë.

 

Shpikim zënka, që me ty s’i kemi bërë

Për të të kërkuar falje, tani që nuk je

Kemi frikë të themi, se nuk u zumë kurrë

Siç kemi frikë, se mund të ziheshim vërtetë.

 

Shpikim vese, që ndoshta nuk i kishe

Për pije, çmenduri dhe gra

Kemi frikë të themi se ike pa arsye

Siç kemi frikë të themi, se arsye ka.

 

Shpikim histori që s’i kemi jetuar

Për të mbushur boshllëqet, që krijuan të tjerë

Kemi frikë të themi, që nuk i jetuam

Siç kemi frikë, se s’do t’i bënim vërtetë.

 

Shpikim armiq, që ti nuk i kishe

Për të parë, sesi i mundje në betëjë

Kemi frikë të themi, që ti s’doje luftë

Siç kemi frikë të themi, se lufta qe në derë.

 

Shpikim besnikë, që ti nuk i kishe

Për ta bërë të shëndrij ikjen tënde

Kemi frikë të themi, që po të linim vetëm

Siç kishim frikë lodhjen tënde

 

Të shpikim ty, sa herë jemi vetëm

Dhe nuk e shpjegojmë dot çfarë ndodh rreth nesh

Kemi frikë të themi, se bota do qe ndryshe

Po aq frikë, se ti mund ta bëje “më përshesh”.

 

Ngrihu tani, mos rri gjatë aty!

Asgjë nuk të shpëton nga çfarë kemi shpikur

S’na duheshe shumë, kur ishe mes nesh

Të ribëmë, se na duheshe, tani që ke ikur.

 

Tallu po deshe me ç‘të kemi bërë

Siç talleshe me veten dhe jetën e parë

Me frikën tënde nga qiejtë dhe qentë

Që dhe në këtë jetë nuk të janë ndarë.

 

Ngrihu, se tani s’je më ai i pari!

Të ndryshuam, të bëmë, siç na duhesh tani

Kemi frikë ta pranojmë kush vërtetë prehet tek varri

Por më frikë kemi talljen nga ty.

 

Lini një Përgjigje