Haxhinasto takon Zeybecki: Kompanitë turke të përdorin të njëjtat standarde si në Turqi

18 Dhjetor 2014, 20:17Ekonomia TEMA

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto priti sot në një takim dypalësh Ministrin e Ekonomisë së Republikës së Turqisë, Nihat Zeybekci.

Duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm marrëdhënien historike të bashkëpunimit politik dhe ekonomik të dy shteteve, ministri Haxhinasto u ndal në rëndësinë që kanë një sërë bashkëpunimesh në fushën e transportit dhe infrastrukturës.

“Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e transportit dhe infrastrukturës, për projekte me rëndësi të përbashkët, mbetet prioriteti ynë dhe për këtë i bëj ftesë investitorëve turq për të zhvilluar potencialet e tyre edhe në Shqipëri”, tha Haxhinasto.

Një nga çështjet e theksuara nga  Haxhinasto në këtë takim ishte cilësia e shërbimit të ofruar nga investitorët turq në Shqipëri.

Ai i kërkoi Ministrit Zeybekci, që standardi i aplikuar nga kompanitë turke që operojnë në vendin tonë të jetë në nivelet me të cilat këta invesistorë operojnë në Turqi.

Ndërsa Ministri i Ekonomisë në Republikën e Turqisë, Nihat Zeybekci, shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin në të gjitha fushat, duke i dhënë një rëndësi të veçantë transportit dhe infrastrukturës me shtetin shqiptar, i cilësuar një nga sektorët më të rëndësishëm për Turqinë.

Më tej, ai u shpreh se Turqia e vlerëson bashkëpunimin aktual në fushat e transportit dhe infrastrukturës dhe u angazhua për vullnetin maksimal për të rritur performancën në këto projekte.

Në fund të takimit, Ministri Haxhinasto vuri theksin edhe njëherë mbi gatishmërinë për eksplorimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, nëpërmjet partneritetit publik dhe privat me investitorët turq, në fushat e transportit dhe infrastrukturës. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje