Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave ka ngritur Shtabin e Emergjencave për monitorimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura që kanë përfshirë të gjithë vendin gjatë 48 orëve të fundit.
Në krye të shtabit është ministri Edmond Panariti i cili po inspekton nga afër zonat e përmbytura. Ministri Panariti, aktualisht ndodhet në Lushnjë, dhe në një lidhje telefonike për mediat bëri të ditur se situata është nën kontroll.
Ministria tha se situata do të përkeqësohet për shkak të shtimit të reshjeve të shiut.
“Ne jemi duke ndjekur nga afër situatën. Të gjtha hidrovoret janë në punë dhe kanalet e kullimit janë të hapura”, bëri të ditur ai.
Ministri shtoi se për shkak se pritet përkeqësimi i situatës në vazhdim do të bëhet edhe evakuimi i banorëve, pasi lumejtë do të dalin nga shtrati dhe do të rrezikojnë jetën e banorëve.
“Shtimi i reshjeve do të na vendosë para detyrimit që të vëmë në zbatim planin e evakuimit të banorëve pasi dalja e lumenjve nga shtrati do të vazhdojë”, tha Panariti.
Referuar situatës në Novoselë, ai tha se aktualisht janë përmbytur rreth 400 hektarë tokë dhe përmbytje ka edhe në qarkun e Fierit për shkak të daljes nga shtrati i lumit Seman.
Ende tha ai nuk mund të kemi të dhëna të sakta se sa është dëmi i shkaktuar nga rehsjet.
Sa i përket situatës në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, ministri Panariti u shpreh se situata është nën kontroll.
Po ashtu ai tha se po baskëpunohet fort edhe me strukturat e policisë dhe të ushtrisë për të monitoruar situatën.