Ligji për pushtetin vendor, debate në Kuvend/ Bylykbashi: Komisarët politikë do emërojnë administratorët

3 Shkurt 2015, 16:57Politika TEMA

Deputetë të mazhorancës dhe opozitës debatuan në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku u diskutua në prani të ministrit për Cështjet Vendore Bledi Cuci ligji për pushtetin vendor.

Opozita e ka cilësuar projekligjin e sjellë nga qeveria si një arnim ligjor që bëhet për hartën territoriale, draft i cili ndryshe nga ç’thotë mazhoranca do të prekë drejtpërdrejtë Kodin Zgjedhor.

Nënkryetari i komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi tha se ndryshimet do të prodhojnë komisarë politikë që do të emërojnë të gjithë organigramën e bashkive.

Në përgjigje të akuzave të Bylykbashit ka reaguar deputeti Bashkim Fino, i cili tha se kompetencat për të zgjedhurit vendorë janë të njëjta pavarësisht se kë forcë politike përfaqësojnë.

“Pse të zgjedhurit vendorë tuaj mund të caktojnë administratorë më të mirë dhe ata socialistë më të këqinj. Ligji i jep kompetenca të njëjta kryetarëve të njësive vendore qofshin ato socialistë qofshin demokratë”, theksoi Fino.

Por ministri  Çuçi tha se mazhoranca nuk do të prekë sistemin zgjedhor pa opozitën. Ministri Çuçi renditi risitë që sjell ky projektligj në funksionin e njësive të reja administrative, të dalë nga ndarja e re territoriale, me 61 njësi vendore.

“Ndryshimet që paraqesim sot për ligjin 8652 për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes vendore pasqyrojnë ose përbëjnë dy grupe ndryshimesh. Grupi i parë ka të bëjë me ndryshimet që vijën si nevojë për të harmonizuar dhe përshtatur ligjin e ri për Ndarjen Administrative-Territoriale me ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore. Dhe e dyta janë disa ndryshime që vijnë sipas një axhende të përbashkët që kemi pasur prej kohësh me Këshillin e Evropës”,tha  Çuçi.

Nënkryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Oerd Bylykbashi, kërkoi që shqyrtimi i projektligjit të shtyhet pasi ai duhet të bëhet me konsultë të ekspertëve vendas dhe të huaj, pasi është një ligj që kërkon 3/5 e votave në seancë plenare.

“Kemi kohë për një proces të konsultuar sa më mirë. Të thërrasim shoqatat, ti dëgjojmë, të thërrasim ekspertët e Këshillit të Evropës dhe të konsultohem me ta dhe sugjerimet e tyre ti marrim parasysh dhe të bëjmë një ligj të mirë.

Ligji është i rëndësishëm pasi kërkon 3/5 dhe si i tillë kërkon qasje të pjekur, të matur, të konsultuar dhe sa më gjithëpërfshirës”, u shpreh Bylykbashi.

Relatori i projektligjit, Bashim Fino dha dakordësinë e tij për këtë propozim të nënkryetarit të Komisionit, duke shprehur se ishte i gatshëm që ky ligj të miratohej bashkërisht.

“Hajdeni këtu të bëjmë bashkërisht me konsensus një proces konsensual. Doni ta bëjmë proces konsensual edhe për këtë ligj që është teknik, hajde ta bëjmë, jam i hapur. Jam gati të ribëhet edhe një herë një proces konsensual për këtë projektligj, që ka pesë nene teknik, por meqënëse e kërkon opozita, jam plotësisht dakort që ta bëjmë.

Të thërrasim aktorët e interesit, të thërrasim OJQ-të, Këshillin e Evropës, USAID, kë të duan ata. Të bëjnë edhe propozim komplet se kë duan dhe hajde të bëjmë një proces konsensual edhe për këtë projektligj”, tha Fino.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Fatmir Xhafaj, shprehu dakortësinë e tij me shqyrtimin e këtij projektligji nen për nen, pasi të bëhen edhe seancat dëgjimore me ekspertët e huaj dhe vendas.

“Dakord me propozimin e bërë edhe nga relatori përfundimisht për organizimin e seancave dëgjimore. Zoti Fino në cilësinë e relatorit i cili do të çmohet nga grupi i opozitës, zoti Bylykbashi ose cilido nga kolegët e vet.

Të takohen që të vendosin cilët janë organizatat që do të ftohen, ku do të ftohen, si do të ftohen, për çfarë do të ftohen dhe për të bërë të gjithë modalitetet e nevojshme për të bërë organizimin e të gjithë këtyre seancave dëgjimore. Unë e kuptoj vullnetin e kolegëve të mi të mazhorancës, për të respektuar këtë kërkesë të opozitës.

Dhe asgjë e keqe, kjo ka qenë në natyrën dhe në mënyrën e funksionimit të këtij komisioni gjatë gjithë kësaj legjislature. S’ka arsye se pse bëjmë përjashtim edhe kur e kërkon opozita një gjë që ne e kemi bërë pjesë të metodologjisë së punës”, tha Xhafaj. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje