Fushata nisi prej vërteti, edhe ligjërisht, megjithëse prej ditësh tashmë kandidatët po zhvillojnë takime, dëgjesa, e po bëjnë fushatë në forma të ndryshme dhe sipas mënyrës së tyre. Madje gjatë këtyre ditëve janë publikuar edhe sondazhet e para për garat më interesante, sidomos atë të Tiranës. Por duke ndjekur fushatën deri tani, referuar qasjes dhe deklaratave të kandidatëve, ajo që më ka tërhequr vëmendjen është se në disa raste, madje krejt hapur dhe publikisht, kandidati i Partisë Demokratike, Halim Kosova, ose është distancuar nga mënyra e qeverisjes së kryeqytetit nga kryetari i forcës politike që e ka kandiduar, ose i ka kujtuar atij cfare nuk është bërë ose është bërë keq në Tiranë, ose e ka cilësuar si të dështuar modelin e drejtimit paralel të Partisë dhe Bashkisë.
Në anën tjetër, ndoshta edhe për shkak të përgjegjësive të mëdha si kryetar partie, me nevojën për të qënë i pranishëm për prezantimin e kandidatëve në të gjithë Shqipërinë, kryetari Basha është parë shumë pak i pranishëm përkrah doktor Kosovës në fushatën e tij për Tiranën. Thënë këto, nëse i referohesh edhe dy sondazheve të publikuara, nga dy institute prestigjoze italiane, njëri nga Ora News dhe tjetri nga A1 Report, arrin të kuptosh se Halim Kosova është një kandidat që gëzon mbështetje më shumë se partia që e kandidon.
Arsyet për këtë mund të jenë disa, por kryesorja është se që në start, që në publikimin e emrit të tij si garues nën siglën e PD-së për Tiranën, doktori mori përsipër kostot e (keq)administrimit të kryeqytetit nga kryetari i tij, të cilat, përtej distancimit të tij publik, është i destinuar t’i mbajë deri në 21 qershor. Veç kësaj, kandidatit të opozitës i duhet t’u mbushë mendjen njerëzve dhe të rrëzojë teorinë që qarkullon rëndom se nëse Bashkia më e madhe në vend mban drejtimin e kundërt politik me atë të qeverisë, qytetarët kryeqytetas në vitet e ardhshme jo vetëm nuk do të shohin ndonjë ndryshim në investime, por rrezikojnë të përballen me degradimin e mëtejshëm të rrugëve, mungesën e ndriçimit, shërbimeve, pusetat e hapura, e mungesën e investimeve në çdo cep të një Bashkie që tashmë zgjerohet edhe më tej në territorin e saj.
Në këtë kontekst, nëse qytetari, mjeku, ish-ministri për pak muaj, Halim Kosova, do të hynte në garë si kandidat i pavarur, referuar edhe sondazheve, shanset e tij për një garë më të fortë, më të ngushtë, me kandidatin e mazhorancës do të ishin më të mëdha, pasi do të ishte një përballje emrash, alternativash, imazhesh, patjetër edhe programesh, pa ngarkesën politike në njërën anë dhe sigurisht me ngarkesën e madhe politike, por edhe me koston e pakënaqësisë për shkak të disa reformave aspak populiste në anën tjetër. Në këto kushte, Halim Kosova i pavarur, do të ishte shumë më i fortë dhe në vend të një gare me diferenca të mëdha dhe me kosto personale që në start, do të kishim një duel më të bukur dhe më të drejtpërdrejtë, që do t’i bënte mirë edhe vetë kandidatit të mazhorancës, Erion Veliaj.
E njëjta gjë gjithnjë në bazë të perceptimeve të para dhe sondazheve nuk po ndodh me Grida Dumën në Durrës, apo Voltana Ademin në Shkodër. Duket se kusuret e Bashës në Tiranë do t’i lajë Kosova. Në këto kushte, gëzuar fushatën që i paraprin sfidës së 21 qershorit, përfundimi i së cilës dihet ende pa u luajtur!