Haxhinasto: Të fillojmë zbatimin e rrjetit bazë të transportit mes vendeve të Rajonit

23 Qershor 2015, 10:03Ekonomia TEMA

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e Ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor në Riga, organizuar nga Violeta Bulc, Komisionere për Transportin dhe Jean Eric Paquet, Drejtor për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, gjatë zhvillimit të aktiviteteve për korridoret Evropiane të Transportit TEN-T.

Haxhinasto informoi të pranishmit, se hapi i parë konkret në zbatimin e rrjetit bazë të dakordësuar midis palëve, në kuadër të procesit të Berlinit, është krijimi i grupit teknik me Malin e Zi, për të përgatitur aplikimin për studim fizibilitetit për projektin e autostradës Adriatiko-Ioniane, pranë institucioneve financiare në BE, i cili do të mblidhet në Tiranë javës që vjen.

Ai gjithashtu informoi për angazhimin në plotësimin e studimeve dhe programimin e investimeve për Korridorin Veri-Jug, pjesë e kësaj autostrade.

“Dëshiroj t’ju informoj se kemi punuar në terma konkrete në lidhje me përfundimin e të gjitha studimeve për segmentet e Korridorit Adriatiko – Jonian,  të tilla si Thumanë – Vora, By-pass i Tepelenës,  apo  lidhja Tiranë – Durrës. Sa i takon punimeve kemi pasur progres konkret, sa i takon zbatimit të By-Passit të Rrogozhinës, atij të Fierit dhe shumë segmente të tjerë pjesë e këtij Korridori”, tha ai.

Pjesë e rëndësishme e procesit është edhe hekurudha, për të cilën ministri Haxhinasto deklaroi se qeveria shqiptare është duke i kushtuar shumë vëmendje, nëpërmjet studimit dhe projektimit për lidhjen Tiranë – Durrës dhe me Aeroportin e Rinasit, si dhe për projektin e fizibilitetit për të gjithë rrjetin hekurudhor shqiptar, duke përfshirë edhe lidhjet me fqinjët.

Duke falënderuar edhe Komisionin për mbështetjen e dhënë, ai deklaroi aprovimin e financimit të studimit të fizibilitetit për linjën hekurudhore të Korridorit VIII-të, rehabilitimin e segmentit Durrës-Lin-Pogradec, si dhe ndërtimin e linjës së re Lin- Kufiri me Maqedoninë.

Pjesë e temave të diskutimit ishin edhe barrierat jo-fizike, të cilat kanë rezultuar me kosto jashtëzakonisht të lartë, në një studim të fundit të Bankës Botërore, për të cilat ministri u shpreh se mund të bëhet shumë më tepër, për lehtësimin e kalimeve kufitare.

Duke folur për masa të tjera, ministri Haxhinasto deklaroi  se “mbështet shumë idenë se duhet të bëjmë më shumë për qëndrueshmërinë në sistemet e transportit, ku sapo kemi konkluduar një marrëveshje me Bankën Botërore, për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar me financim rreth 130 milionë USD për 5 vitet e ardhshme, e cila do të na ofrojë shërbime shumë më cilësore në rrugët tona kombëtare”.

Ai theksoi, se siguria rrugore është prioritet për sektorin e transportit rrugor shqiptar dhe se ky komponent duhet parë më seriozisht në të ardhmen.

“Rezultati që kemi pasur është 25% më pak aksidente në 2 vitet e fundit, i arritur nëpërmjet investimeve në sinjalistikë, të cilat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha ai.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës ftoi homologët e Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë në ndërmarrjen e një tryeze të përbashkët në Tiranë, për të siguruar vazhdimësi në procesin e heqjes së barrierave jo-fizike për transportin midis vendeve fqinje.

3 komente në “Haxhinasto: Të fillojmë zbatimin e rrjetit bazë të transportit mes vendeve të Rajonit”

  1. gjini says:

    He ju lumte !Po ndertoni hekurudhen me u lidhe me Kosoven nepermes me fqinjeve! Na shqiptaret vazhdojme me prodhue paradokse!Ndertojme hekurudhen me u lidhe me pjesen tjeter te vendit tand tue kalue neper nji shtet tjeter??? Duem me u lidhe me Kosoven tue kalue neper Maqedoni???Dakord ,dakord edhe ajo duhet ndertue pasi cdo rruge sjell zhvillim,por se pari duhet lidhun mbrenda vehtes direkt Shqipni Kosove.Po a e dini ju se kjo rruge sa i rrite koston produkteve qe transportohen prej andej?Pse nuk studjohet ndertimi i hekurudhes mes Kosoves dhe Shqipnise ne linjen Shkoder-Gjakove ,jo ma shume se 85 km neper lugine te lumit Kir dhe Drin??Nga Tirana ne Prishtine nepermes Maqedonise i thone me ba gati 400 km rruge ,ndersa Shkoder Gjakove Prishtine ma pak se dyfishi i saj 130 km.A e ka ba kush llogarine sa asht efektiviteti i asaj rruge dhe sa i kesaj qi po them une?Sa do te jete efekti i faktorit kohe ne koston e produkteve qe do te transportohen prej andej per vite e vite te tana??Vertet po shkojme ne Europe dhe kufijte mund te zhduken,por kesaj i thone me krue veshin e djathte me dore te majte!!Pastaj linja Shkoder Gjakove sjell edhe shume te ardhuna se u krijon mundesi edhe shteteve te tjera me perdore kete linje per te dale ne portet e Adriatikut si Tivari,Shengjini dhe shkurtimin e levzjes nga mbrendesia e Gadishullit per ne pjesen Perindimore te tij tue u lidhe me hekurudhat bregdetare malazeze dhe kroate.Mandej kjo linje i rrit vleren vendit tone tue ba nyje te qarkullimit hekurudhor nderballkanike Shkodren dhe Shqipnine e jo Maqedonine!

    1. lili says:

      Po keta Kane mendjen tek sa do vjedhim per veti,jo sa cost- effectif eshte rruga!sa ma e gjate Kaq ma shume pare per ta!mundesisht rreth botes per me mbri aty ngate!

  2. hsh says:

    Hekurudha LIN -Maqedoni nuk mund te behet sepse maqedonasit nuk do te pranojne qe te kaloje ne Radozhd.Me mire eshte qe hekurudha te kaloje nga Prrenjasi ne Frengove me tunel.Keshtu edhe Prrenjasi zhvillohet, edhe liqeni i Ohrit mbrohet nga ndotjet hekurudhore,dhe Frengova eshte fshat shqiptaresh ne Maqedoni e jo si Radozhdi qe eshte fshat maqedonasish.

    Pra PRRENJAS-Maqedoni nga Frengova ose Radolishti dhe jo Lin-Maqedoni.

    Per me teper ne Prrenjas sapo i fitoi zgjedhjet kandidatja e LSI-se.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje