Zgjedhjet si tregues i pragmatizmit dhe idealizmit të durrsakëve

30 Qershor 2015, 20:11Blog TEMA

Nga Rezart Kthupi 

Zgjedhjet mbaruan dhe pamvarësisht se rezultatet ende nuk janë shpallur në mënyrë përfundimtare, ato të votave për këshillat bashkiakë, ka ardhur koha të bëjmë të paktën një përpjekje për analizë. Paraprakisht dua të theksoj se ky shkrim bazohet mbi dy premisa kryesore. Premisa e parë është se rezultati i arritur nga Partia Demokratike në këto zgjedhje ishte pozitiv për këtë forcë politike, në rang kombëtar. Kjo premisë bazohet në faktin se në këto zgjedhje PD vinte pas humbjes katastrofike të vitit 2013 dhe mbi të gjitha pas një periudhe 2 vjecare gjatë së cilës betejat politike të saj nuk kishin prodhuar ndonjë impakt të jashtëzakonshëm tek votuesit. Pozitiviteti i rezultatit të arritur duhet parë gjithnjë në dritën e një fushatë në të cilën PD u paraqit e vetme përpara elektoratit ose në rastin më të mirë me mbështetjen e vetëm një partie politike serioze, asaj Republikane.

Pikërisht për këto dy arsye rezultati i arritur është pozitiv. Ndoshta jo më i miri por padyshim një bazë shumë e mirë për të filluar betejën elektorale për zgjedhjet e vitit 2017. Premisa e dytë është se analiza e zgjedhjeve në Durrës duhet, të paktën në këndvështrimin e Partisë Demokratike të kryhet mbi shifrat e zgjedhjeve vendore të vitit 2011 të arritura në territorin e bashkisë së vjetër. Vetëm duke krahasuar rezultatet ndërmjet dy zgjedhjeve vendore mund të krijohet një panoramë e qartë e dinamizmit të votës dhe të asaj se cfarë ka ndodhur me votën e durrsakëve në këto katër vjet. Me qëllim që kushdo që e lexon shkrimin të ketë mundësi të kontrollojë vërtetësinë e shifrave po bashkëngjis tabelat me rezultatet e publikuara nga KQZ vetëm në pjesën e tyre përmbledhëse. Përpara se të paraqes këndvështrimin tim mbi shifrat e fushatës doja të sillja në mendjen e të gjithë atyre që përpara fillimit të kësaj fushate, gjatë saj dhe pas saj kanë trumbetuar me të madhe blerjen e votës si faktorin kryesor që vendos kahun e fituesit në durrës se ishte pikërisht ky qytet dhe qark që në vitin 2005 i dha fitoren me shumicë absolute partisë demokratike pamvarësisht se edhe atëhere u ushtrua e gjithë forca e pushtetit dhe e parasë që pushteti i atëhershëm dipononte. Të pretendosh vetëm 10 vjet më pas që durrsakët janë njërëz që blihen me para është në rastin më të mirë injorancë dhe në rastin më të keq djallëzi për të shpëtuar nga përgjegjësia. Rezultati i zgjedhjeve vendore 2015 duhet analizuar thellë sepse Bashkia e Durrësit ishte ndër bashkitë e pakta që konsiderohej si e mundshme për t’u fituar nga ana e PD bazuar edhe në faktin se diferenca e votave, në tavolinë, ishte e vogël, konsumi I kandidatit kundërshtar presupozohej I madh dhe sepse Durrësi ishtë një ndër bashkitë e pakta në të cilën ndarja e re tërritoriale ishte favorizuese për opozitën. Pikërisht për arsyet e renditura më lartë rezultati I marrë është në kah të kundërt me pritshmëritë e PD. Humbja e Zotit Xhaferri në vitin 2011 ishte e hidhur si për shkak të humbjes në vetvetë si për shkak të rezultatit dhe diferencës me të cilën u humb bashkia. Duke filluar që nga zgjedhjet e vitit 2000 rezultati i arritur në zgjedhjet e vitit 2011 ishte më i thelli me të cilin PD kishte humbur ndonjëherë bashkinë. Por askush nuk e kishte menduar se kjo shifer mund të katërfishohej vetëm 4 vjet më pas. Unë nuk kam ndërmend të analizoj arsyet e humbjes apo se kujt i takon faji. Kam bindjen se kjo është një cështje që i takon strukturave të partisë, të paktën atyre drejtuese prandaj edhe do të kufizohem të paraqit vetëm faktet duke lënë të lirë cdo interpretim lidhur me arsyet se pse dhe si u arrit në këtë rezultat. Zgjedhjet në Bashkinë e re Durrës u mbyllën me një diferencë prej 13.719 votash. Një shifër tejet e lartë por ajo që vlen të përmendet është se kjo diferencë votash është vetëm 320 vota më e madhe se diferenca e votave që është arritur në territorin e Bashkiksë së Vjetër. Në territorin e Bashkisë së Vjetër Dako ka marrë 41.120 vota ndërsa Duma ka marrë 27.721 vota për një diferencë prej 13.399 votash. (Në shifrat e përdorura për bashkinë durrës nuk janë përdorur rezultatet e qëndrës së votimit 1503 e cila është qëndra e votimit në të cilën votojnë të dënuarit që gjenden në burgun e Durrësit.). Sikurse shikohet edhe nga rezultati i mësipërm është qyteti ai i cili i ka dhënë pjesën dërmuese të votave, kandidatit të maxhorancës, më të cilat është krijuar diferenca ndërmjet kandidatëve. Krahasuar me zgjedhejt e viteve 2009 – 2011 dhe 2013 vëmë re, shiko tabelën, se rezultati më i lartë i arritur është ai i vitit 2011 në vlerën e 29.871 votave ndërsa ai më i ulëti ai i vitit 2013 në vlerën e 24.319 votave. Në qoftë se do të krahasonim vetëm zgjedhjet lokale atëherë rezulton se ndërmjet dy kandidatëv të Partisë Demokratike ka një diferencë prej 2.150 votash në favor të Zotit Xhaferri. E thënë ndryshe kandidati i vitit 2011 për Bashkinë Durrës, ka marrë në njëjtin territor 2.150 vota më shumë se kandidati i vitit 2015.

Për më shumë ky rezultat duhet parë nën dritën e faktorëve të rritjes natyrale të numrit të zgjedhësve apo të shtimit natyral të numrit të zgjedhësve për shkak të migracionit të brendshëm. Sikurse shikohet edhe nga tabela në vitin 2015 numri i votave të vlefshme është më shumë se 5000 vota në krahasim me vitin 2011. Ajo c’ka është shqetësuese është tkurrja e vazhdueshme e Partisë Demokratike përballë Partisë Socialiste. Territori i Bashkisë së Vjetër Durrës ka në total 93 qëndra primare votimit të cilat për efekt të ligjit zgjedhor ndahen në fraksione. Pamvarësisht se partitë luftojnë vecant për cdo qendër nënë apo bijë, për efekt lehtësie është më e thjeshtë të bëhën krahasimet duke marrë në konsideratë rezultatin e përbashkët të qëndrave të votimit të cilat janë pjesë e të njëjtës qëndër nënë. Në vitin 2009 dy partitë e mëdha dilnin fituese në mënyrë pak a shumë të barabartë përsa i përket numrit të total të qëndrave të votimit. Kthesa e madhe është vitit 2011 në të cilin PS fitonte 71 nga 93 qëndra votimi për të arritur kulmin në vitin 2015 kur PD arrin të fitojë vetëm 2 qëndra votimin nga 93 gjithsej që ka territori i Bashkisë së Vjetër.

Në zgjedhjet e vitit 2015 Pastia Demokratike ka fituar vetëm qëndrat e votimit 1420 me një diferencë prej 335 votash dhe qëndrat e votimit 1467 mënjë diferencë tepër të vogël prej 4 votash. Është shqetësues fakti që janë humbur të gjitha qëndrat e votimit të lagjeve 1, 2, 3 dhe 9 të cilat kanë qënë zakonisht të fituara nga PD. Gjithashtu janë humbur edhe qëndrat e votimit në Kënetë dhe Shkozet, të cilat vetëm 4 vjet më parë konsideroheshin bastione të PD. Bazuar në këto shifra analiza duhet të bëhet mbi dinamikën e lëvizjes së votës, e kalimit drejt së kuqës, të arsyeve së ndodhjes së këtij fenomeni dhe përpara se të tregohen me gisht qytetarët e durrës si votëshitës të drejtojmë gishtin ndaj vetes duke pranuar ato ç’ka nuk kemi bërë mirë apo që nuk kemi bërë fare. Analiza e arsyeve të këtij rezultati nuk mund të fshihet pas blerjes së votës, ushtrimit të pushtetit administrativ, makinerisë propagandistike apo pushtetit të parasë. Kushdo që kandidon apo ka marrë pjesë në një fushatë çfarëdo e di që të gjitha këto janë fenomene që ndodhin në fushatat shqiptare. Durrësi ka treguar që është njëkohësisht edhe qyteti i pragmatizmit edhe qyteti i idealizmit dhe kur mungon ky i fundit nuk mund të ankohemi pse vota shkon në kahun e gabuar.

3 komente në “Zgjedhjet si tregues i pragmatizmit dhe idealizmit të durrsakëve”

  1. s.o.s says:

    ti mor shok se ke kuptuar akoma qe PD ne Durres eshte e mbaruar se ka pasur drejtoruca si puna jote dhe e shokeve te tu. Kaq kollaj kujtoni ju se harrojne njerezit, per 2 vjet?

  2. aaa says:

    Ky ka nje parim ne jete. Ja fut dhe ja ka fut te gjithve qe e kane ndihmu ne karrjeren politike ne PD

  3. Iljona says:

    Per sa kohe te kete njerez si puna jote ne rradhet e vet dega e PD Durres, e humbur do jete gjithnje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje