Atletico Madrid ka nisur të studiojë terrenin për të gjetur sa më parë zëvendësuesin e Arda Turan në mesfushë. Sinjalet që ka dhënë lojtari turk lënë pak vend për optimizëm, ai dëshiron Barcelonën dhe në rrugën drejt Katalunjës askush nuk mund ta ndalë, madje as Diego Simeone, i cili e ka vlerësuar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit të tij. Tashmë që çështja “Turan” po merr një drejtim pa kthim, drejtuesit e “Los Conlchoneros” janë dorëzuar ndaj idesë, duke nisur sondazhet e para për pasuesin e tij. Identikiti më i saktë që i përshtatet karakteristikave të Turan është boshnjaku i Romës, Mirelem Pjanic.
Gjatë sezonit të fundit mesfushori ballkanas ka hasur në vështirësi të mëdha ashtu si e gjithë skuadra e Romës, por vlera e kartonit të tij ka rënë shumë pak, prandaj kjo do të jetë edhe pengesa më e madhe në bisedimet mes dy klubeve. Në të shkuarën, Pjanic ka qenë në orbitën e Liverpool, por klubi anglez është tërhequr pikërisht për shkak të çmimit të lartë të kartonit. Roma kërkon plot 45 milionë Euro por Atletico Madrid do të tentojë deri në fund t’i ulë sa më shumë pretendimet e presidentit James Pallotta.
Një dorë të fortë në këtë çështje Atletico mund të marrë nga vetë lojtari, i cili nuk duket i lumtur në “Olimpico” me trajnerin Rudi Garcia që ka nisur të besojë përherë e më pak te aftësitë e tij. Aktualisht, Atletico është në fazën e studimit pasi një çmim i tillë është i papërballueshëm për klubin. Presidenti dhe trajneri Simeone po reflektojnë dhe gjatë ditëve të ardhshme mund t’u japin një shtysë të madhe bisedimeve për të plotësuar vendin e lënë bosh nga “Sulltani i Stambollit”.