Tashmë që Bacca dhe Luis Adriano janë zyrtarisht kuqezi, ëndrra e madhe mbetet Zlatan Ibrahimovic. Adriano Galliani nuk nxitohet, sulmi duket i kompletuar dhe ai do të presë derisa suedezi të lirohet nga Paris Saint Germain për t’u bashkuar me Milanin, sepse rikthimi i Ibrahimovic në “San Siro” do të ishte “qershia mbi tortë”. Suedezi nuk ndihet komod në Paris dhe zërat për një largim të tij nga Franca janë të shumtë.
Ibra ka kërkuar që të largohet falas duke hequr dorë nga 16 milionë Eurot që përfiton në sezon sepse Milani i ka premtuar të njëjtën shifër por për dy sezone. Nëse Al Khelaifi bindet ta lerë të lirë shtatlartin, atëherë sulmi i Milanit mund të konsiderohet i kompletuar. Me pasurimin e repartit ofensiv, sytë e drejtuesve në Milanello janë kthyer nga mbrojtja, pothuajse e gjitha për t’u riformatuar. Dy janë emrat që dominojnë mbi të gjithë në listë, Romagnoli dhe Laporte. Për të parin Roma kërkon 15 milionë Euro, ndërsa për të riun francez, Galliani ka nisur kontaktet me Athletic Bilbaon, por edhe në këtë rast, çmimi mbetet i lartë, 15 milionë Euro.
Në rast se nuk arrihet marrëveshja për këta dy emra, alternativa më e mundshme është 27-vjeçari i Espanyol, Hector Moreno. Sipas mediave iberike, mbrojtësi meksikan ka kërkuar të nisë një eksperiencë të re duke shfaqur hapur dëshirën e transferimit në një klub të Serie A. Por ndërkohë që puna për ndërtimin e Milanit po vazhdon, shoqëria ka caktuar numrat e dy blerjeve të reja. Kështu, Carlos Bacca do të mbajë numrin 9, ndërsa Luiz Adriano numrin 70.
ju shtua dhe superkaqol skuadres.